Mbrëmje e poezisë në Spille

MBRËMJE E POEZISË NË SPILLE’

Një takim i bukur poetësh, larg çdo formalizmi skaletash moderatorësh, thjesht për veten e vet, për emocionin e vet artistik, pasionin e çiltër të shprehësisë prozodike, për shpirtin e vet poetik të secilit, u zhvillua natën e mbrëmshme në qytezën e plazhit të bukur turistik të Spillesë, mes peizazhit të saj piktoresk të pragmbrëmjes dhe ngrohtësisë së afinitetit shpirtëror të krijuesve, siç i shkon për shtat lirizmit të poezisë, në tarracën e këndshme të strukturës hoteliere për pushues familjarë të Vilës “Prençi”, “Zambaku i detit”.
Me urimin e mirëseardhjes, për autorët pjesëmarrës dhe familjarët pushues të vilës në fjalë, nga e “e zonja e shtëpisë”, poetja e re, inspiruesja dhe organizatorja e “Mbrëmjes Poetike” në Spillenë e saj frymëzuese, Arta Tagani si dhe nga shkrimtari i mirënjohur kavajas, Ramazan Hushi, në orën 8 të mbrëmjes, filloi leximi i vargjeve lirike nga poetët e pranishëm, në një atmosferë të larmishme emocionesh estetike të stileve, teknikave e procedeve të individualiteteve të tyre letrare.
Kështu, nga lirika sociale mbresëlënëse, që të vë në mendime, si pasqyrim i një një realiteti të dyzuar ndjesish mes dy vendesh, Shqipërisë, trevës së vendlindjes së saj të Kavajës dhe Italisë, ku punon dhe jeton familjarisht prej dhjetëra vitesh, e Arta Taganit, te lirizmi nostalgjik i poetes së njohur, Flora Gjondedaj, poezia interesante për detin e autores tjetër, me disa vëllime të botuar, po nga Durrësi, Merita Kuçi Thartori. Për të vijuar me lirikën prekëse të një tonaliteti tjetër ndjesor, atë të autorit nga Prizreni, Berat Batiu, për nderimin e herojve dhe martirëve të Luftës së Kosovës. Më tej , tankat e autorit Ramazan Hushi, realizuar me një ndjeshmëri të hollë lirike, vargjet humoristike të fabulistit nga Kavaja, Shefik Myftiu, me “thumbime” për realitetin tonë politik e shoqëror të ditës, te lirika e bukur për dashurinë e poetes tjetër të kësaj zone ( trevës së Rrogozhinës), mësueses Adelina Mina, te vargjet meditative të autorit të këtyre radhëve, për të kaluar në një impresion të thellë emocionues nga autori Xhaferr Xhihani, për një nga krijimet shumë të njohura të folklorit të trevës së Kavajës, “Kënga e qyqes”, gjer te vargjjet si kushtim për “Zambakun e detit”, (emri i vilës hoteliere ku u zhvillua veprimtaria artistike, në nderim të frymëzueses dhe organizueses së saj, poetes Arta Tagani) të autorit Hasan Korbi e gjer te lirika e ndritshme familjare për mbesën e vet, të Engjëll Kokojkës, poetit pushues me familje nga Përmeti, në vilën mikpritëse.
Për t’u përmbyllur me një koktejl dhe aperitiv deri në orët e vona të natës, gotash me verë dhe gatimesh të poetes frymëzuese e kurajoze për ngjarje të tilla të bukura, me dëshirën që ajo ka për ta kthyer në një traditë të përvitshme, “Mbrëmjen poetike” të Spillesë, qytezës së plazhit të resorteve turistike, tashmë, jo vetëm të banorëve miqësorë vendas dhe pushuesve gjer nga Ballkani edhe Europa, por dhe të poetëve.
Më poshtë, dy lirika të mia lexuar në këtë mbrëmje magjepsëse çiltërie dhe idealizmi artistik si dhe foto nga veprimtaria mbresëlënëse:

Durim Çaça

KADENCË,

Spille’, Kavajë, korrik
shtëpi me mure agimi
shtëpi me frymë yjesh
me zemër krahësh e poleni
kurm flauti e kundërmimi pishash
me duar valëzuese deti
me atdhe drite buzësh
ndriçimi ritmesh e gjinjsh
me karkalecë lodrues
mjegullimë mistike
shtëpi me shi pjalmues burrëror
me zjarre perëndish malli
shi pjalmimi të dashure
besoj te gjunjët
besoj te sytë
dal, eci lumturisht, pa ëndrra
shkulm i kulluar, i kthjellët
nëpër dunat e rërës
gjer larg, në Grethin e Madh
pa brenga, hareshëm
qoftë gjithçka e bukur para meje
qoftë gjithçka e bukur pas meje
e bukur gjithçka poshtë meje
e sipër meje
e me bukuri u përmbylltë…
SARABANDË
lër gjithçka të të ndodhë
bukuri, hov, tmerr
lumturia më e madhe në botë
që ësht’ ajo e një iluzioni tjetër
Buda në lavdi, forma e ujit
hareja e virgjër e luleve
dehja e bletëve
dashuria e thell’ që ësht’ të shohësh
te një njeri i përditshëm bukurin’ e përjetshme
yllësimi, shkulmi, humnerimi, lulësimi
misteri me themele n’mungesën si prani
tramundana që merr gjethen e vyshkur
të mendjes
ah, ashk, shend, llahtari
gjithçka të të ndodhë, lër
sytë që duken ëmbëlsisht tragjikë
lajthia që këndon n’gjuhën tënde
aromën e vet
lavdia e buzëve, e trëndafilëve të kuq
si flakë që burojnë nga toka në vesk
retë ornamentale, këngët e dëshirimeve
gremina e dridhshme në natën e botës
puthja e ballit të gruas me delikatesën e zefirit
e solemnitetin e Solomonit
marrëzia e hershme e asketizmit
forca e jetës që gjendet te gjuha e shprehjes
lër gjithçka të të ndodhë
bukuri, hymn, tmerr
melankolia e qëndresës së vonë
dinjiteti i qetë i dhembjes
ngrohtësia shtypëse e zjarrit dhe afshit
në vatrën e kasolles së kreshtës
e njeriu që përgjunjet vetëm kur falet
a për të njohur vetveten…

Durim Çaça

Flora Gjondedaj Dervishi

Më 25 korrik 2026 isha pjesëmarrëse në mbrëmjen e veçante poetike, dhe e ndiej se nuk mund të rri pa përgëzuar publikisht nismëtaren dhe organizatoren , njëherazi poete emigrante, Arta Tagani .

Zonja e nderuar na mundësoi të jemi miq në Spillen e bukur, pranë natyrës,kur dielli përshëndeti e shkoi të pushojë në valët lozonjare Adriatike dhe i la poetët në shoqërinë e hënes deri në mesnatë.

I magjishëm ky takimi në tarracën romantike, të vilës “Zambaku i detit.” Ku poetët e pushues qëndruan si në një odë miqësore e shijuan veç të tjerash kulinarinë e Artës. A janë të rralla këto pritje ? Do të përgjigjem me një urim : U shtofshin ! Përgezime, përgëzime për poeten emigrante, Arta Tagani!

Natyrisht ,një falënderim të veçantë për mbështetësit e këtij organizimi, krijues , si: Dr. Durim Çaça , profesor Ramazan Hushi , prof Adelina Mina, etj .

Dhe në fund morëm dhuratën më të bukur, vëllimin poetik, të Durim Çaçës “Elozhe hënës” që t’i bën më të freskëta ditët e fundme të korrikut .Tërhoqi vëmendjen një poezi mjaftë e arrirë poetikisht dhe goditëse për tematikën aktuale, sociale e poetes së talentuar, Merita Thartori Kuçi ,( drejtuese shkolle ). Po aq i këndshëm ishte udhetimi ynë me profesoreshën e anglishtes ,Bora Kuçi , një guiduese bukuroshe , admiruese e artit ,e cila na e zvogëloi largësinë për në qytezën verore . .. Mirënjohje e nderim !