A ju kujtohet kur hapnim albumin e familjes?Judita Dedi

Judita Dedi

A ju kujtohet kur hapnim albumin e familjes?

Dikur, fotografitë nuk bëheshin çdo ditë.
Ishin të rralla. Për një festë, një dasmë, një ditëlindje, një diplomim apo një udhëtim të veçantë.
Pastaj futeshin me kujdes në albumin e familjes, i cili zinte vend në bufe ose në një vend të dukshëm të shtëpisë, si një nga sendet më të çmuara të asaj kohe.
Albumi ruhej me fanatizëm, sidomos nga gjyshërit. Kur e merrnim ne fëmijët për ta parë, porositë ishin gjithmonë të njëjtat..
Shikoje me kujdes.
Mos i përthyej faqet.
Mos i hiq fotografitë nga vendi.
Kur ta mbarosh, vendose aty ku e more.
Kur vinin miq apo të afërm, pas kafesë vinte një ritual që sot pothuajse ka humbur.
Merre albumin…
Faqet hapeshin ngadalë, njëra pas tjetrës.
Këtu kemi qenë në Pogradec…
Kjo është dita e parë e shkollës…
Këtu kam qenë ushtar…
Këtu është dasma jonë…
Këtu janë gjyshërit… sot nuk jetojnë më.
Kjo është shtëpia e vjetër që na lanë të parët.
Dhe pikërisht aty fillonin historitë.
Albumi kalonte nga një dorë në tjetrën dhe secili ndalej te fotografia që i zgjonte një kujtim.
Askush nuk nxitonte.
Nuk kishte rëndësi sa zgjaste rrëfimi.
Kishte gjithmonë dikush që shtonte..
Po, e mbaj mend edhe unë… dhe një histori sillte një tjetër.
Të zotët e shtëpisë nuk tregonin vetëm se kush ishte në fotografi.
Tregonin si ishte shkrepur ajo foto, çfarë kishte ndodhur atë ditë, si jetonin atëherë, si u njohën, çfarë ëndrrash kishin, pse qeshnin në atë çast, pse dikush mungonte, kush nuk jetonte më.
Dhe ishte edhe një zakon tjetër i bukur.
Në pjesën e pasme të fotografisë ose poshtë saj, shkruanim me kujdes datën, muajin, vitin, vendin ku ishte bërë dhe, jo rrallë, edhe një fjali të shkurtër. Mjaftonin pak fjalë që, pas shumë vitesh, të kujtohej menjëherë ai çast.
Ato shënime të vogla i jepnin fotografisë një shpirt tjetër; nuk tregonin vetëm kur ishte bërë, por ruanin edhe emocionin e asaj dite…
Një fotografi sillte një kujtim, kujtimi sillte një tjetër dhe, pa e kuptuar, kalonin orë të tëra mes bisedash.
Nuk ishte thjesht një album fotografish. Ishte historia e një familjeje.
Mua më pëlqente jashtë mase ai ritual.
Kudo që shkoja, kërkoja të shihja albumin e familjes.
Nuk më interesonin vetëm fotografitë.
Prisja me padurim shpjegimet e të zotëve të shtëpisë.
Vetëm dëgjoja. Më pëlqenin historitë njerëzore që fshiheshin pas çdo fotografie.
Çdo album ishte një botë më vete.
Nuk shihnim vetëm fytyra. Rijetonim njerëz, vende, emocione, të qeshura e mall.
Albumi nuk ruante letra fotografike.
Ruante historite e familjes.
Sot bëjmë qindra, ndoshta mijëra fotografi në vit. Janë në telefon, në rrjete sociale.
I shkrepim me një prekje të gishtit dhe i harrojmë me të njëjtën shpejtësi.
Kur vijnë miq, askush nuk thotë më..
Po ta tregoj albumin tonë.
Sepse albumi nuk është më mbi tavolinë.
Është fshehur diku mes mijëra skedarëve, që i ruajmë me kujdes… por rrallë i hapim.
Ndoshta nuk kemi humbur fotografitë.
Kemi humbur kohën për t’u ulur pranë njëri-tjetrit dhe për t’u treguar historitë që fshiheshin pas tyre..