E paharruar- Mira Zaho Mëhilli

E paharruar
 
Vite shumë kanë kaluar,
në rrjedhën e tyre,
fisnikërisht kujtimeve
ti, gjyshja ime lartësohesh.
 
 
Kujtoj e kurrë s’harroj
buzagazin tënd
me dritësimin e syve
këndshëm binjakëzuar.

 

Peshë hallesh përmbi supe,
heshtur shpirtit ndrydhje ti,
trishtimi zemrës tulatur,
veç gëzim shpërfaqje.

 

Anë shamisë flok’t e argjendta,
ballit me dritë harkonin,
si kurorë e praruar
shkëlqimin syve shtonin.

 

Kujtoj e kurrë s’harroj,
llërëpërveshur përherë ti,
futanë lidhur mesit,
çdo gjë ndrinte pastërti,
lulet ngjyrat ndezur.

 

Eh, përrallave kur na tregoje,
zhyteshim si me magji,
trembeshim prej kuçedrës,
gëzonim sa s’fluturonim,
kur i varfri me bareshën,
të lumtur përgjithmonë jetonin.
 
Gojëmjaltë, fytyrëqeshur,
shpirtin plot mirësi,
si hyjneshë e dritësuar,
e paharruar gjyshja ime ti!