Baladë – Vater-Melisa Baboci

Melisa Baboci

Baladë – Vater

Dola lart brigje më brigje,
të kërkoj me lot e ligje.
Pyeta gurin, pyeta zallin:
“A e patë shtëpinë e mallit?”

Guri foli: “S’e kam parë,
veç kam ndier një zjarr të tharë.
Që kur ikën bijtë e saj,
dera rri me heshtje e vaj.”

Dola pyllit, dola fushës,
pyeta hijen e një dushku:
“A e pe oxhakun tim,
që më thërret në çdo agim?”

Dushku tundi degët lehtë:
“Rrënjët mbajnë çdo të vërtetë.
Shtëpia pret si nënë e mirë,
me një dritë ndezur në errësirë.”

Fola lumit valë-valë:
“Pse më merr kaq larg me mall?”
Lumi tha me zë të ngjirur:
“Kush ikën, mbetet i lidhur.”

Kur u ktheva në atë prag,
putha gurin, putha prag.
Muret s’folën, por e dija,
zemra ime ishte shtëpia.

Dola prapë brigje më brigje,
jo më kot e jo me ligje.
Se njeriu, sado të shkojë,
te rrënjët e veta do të kthehet një ditë.
Melisa_Poetry 📖📚🖋