Gazeta e grisur-Ariel Bella

Ariel Bella

Gazeta e grisur
Fjalët e tua,
si copa gazete të grisura,
të mbledhura shuk
në dorën time të majtë,
kërkojnë të më prekin
aty ku dhimbja ime
rrin e fshehur.
.
Vijnë me zëra të heshtur,
sikur gëlltitin çdo gjë
që është shkruar në rreshta,
rreshta që dikur
i mbaja vetëm për vete.
.
Por tani u mbush kupa.
Nuk mundesh më
të më lëndosh
me praninë tënde,
që më bën të mbaj fajin
për plagët që nuk i krijova unë.
.
Kështu e ka kjo jetë…
Të duan për ca kohë,
të lexojnë faqet e tua,
të njohin historinë tënde,
dhe pastaj të lënë
si një gazetë të harruar
në duart e erës.