Poezi nga Shkurte Berisha

PESHA E NJË PIKE LOTI

Detin e piva të tërë,
Derisa ngeli vetëm rërë.
Me një gllënjkë të gjithin e ktheva,
Dhe asgjë unë nuk ndjeva.
Por kur piva vetëm një pikë lot,
Mu duk se u shemb kjo botë.
Në gjoks diçka më shtrengoi,
Fryma gati më ndaloi.
Ç’përbërje ka kjo lëndë,
Që peshon kaq rëndë?
Ç’ka të veçantë vallë,
Ky shpirt që pikon i gjallë?

MESAZH NË RËRË

Në një shezllon e shtrirë në rërë,
Një pulebardhë pranë meje qëndroi.
Në atë hapësirë jo dhe aq të gjerë,
Disa shkronja të paqarta ajo shkroi.

Më pas m’u afrua e m’u ul në krah,
Palosi flatrat, e qetë qëndroi.
Sikur donte të nxirrte çdo gjë në pah,
Të shihte nëse unë po e lexoj.

U mundova ta deshifroj, por ishte e vështirë,
Shenja mbi rërë nuk dukej aq mirë.
Kur shkronjat i lidha, lexova fjalën “ART”,
Pulebardha hapi krahët e fluturoi lart.

Ky mesazh i bukur mua më gëzoi,
Kuptimin e tij unë mirë e kuptova.
Mbi Adriatik ajo lumtur fluturoi,
Teksa me sy e me zemër e shoqërova.