Adresë pushimesh-Lumo Kolleshi

Lumo Kolleshi

ADRESE PUSHIMESH
 
Të të them se do më gjesh nën pishat e Golemit,
Tek nxjerr nga lëkura ime rëshirë një diell,
Tek përzihen thashethemet me guaskat e detit,
Ku nata dhe retë nuk gjejnë aspak qiell;
Ti,burokrati i turizmit,gojën do ta mbushësh plot,
Do të më mburësh e do thuash: vërtet patriot.
 
Por unë si unë,gjysmëngjëll a gjysmëdjall,
Të gjitha detet i dua pa plagë.
Ja,të të them se në jug e kaptova një mal
Dhe poshtë ullinjve u gjeta në Pargë;
Ti,burokrati ,saçmave në gojë do t’u japësh zjarr,
Pa Zot e pa fe do më quash,thjesht një tradhëtar.

 

Pa le pak më tej spirancën ta hedh nën re a mbi re,
Në brigjet e Egjeut,diku në Peloponez,
Me brengë të zë këngën “Moj e bukura More”,
Ti,burokrati,do shqyesh sytë si mbi pleh një këndes
E mua do të më bësh për një gjysmëleku:
Kalë i drunjtë,i shitur te greku.

 

Të ta prish pak mendjen më fjalët e Buzukut
Që i gjej qelibare këtu në Kalabëri,
Në vend të çadrës deri në pritjë të muzgut,
Paq të shtrihem nën një ulli
E t’i lutem tokës me përgjërime:
Më jep ca lule për arbëreshën time.
Mos të të them se flatrat më çojnë pak më larg,

Ku hapet çallmë e detit Marmara,
Ti gojën prapë do mbushësh me farmak:
S’të mjafton shqiptarka,mor maskara!
Ç’të të them më tepër,nuk dua të të trullos,
Me detet ndihem veç një albatros.