Për dy si ne-Ariel Bella

PËR DY SI NE

Për dy si ne,
që jeta i rriti mes dallgëve të saj,
me nga një biletë në dorë
për të parë botën
dhe për të udhëtuar pa tren.
.
Qëndruam nëpër stacione pa orare,
pa kohë për nisje,
vetëm me rrugë përpara
dhe zemra që dinin
se duhej të niseshin.
.
U takuam në vagona
ku secili ndihej i vetmuar
dhe u bëmë bashkë
për ta mbaruar udhëtimin.
Atëherë kishim dy bileta.
Pastaj na mjaftoi njëra.
Ishte për të dy.
.
Vazhduam nëpër dallgë pa brigje,
nëpër stuhi e ditë të qeta,
me guximin për të mos u ndalur.
Dhe vazhdojmë edhe sot,
nëpër stacione pa emër,
me buzëqeshje që i njohim vetëm ne.
.
Sepse për dy si ne
udhëtimi nuk mbaron.
Mjafton të kemi një biletë
dhe njëri-tjetrin.
. Ariel Bella