Shyqyri Fejzo



Ai ishte një misionar i heshtur i miqësisë midis dy popujve e vendeve.
Friedrich Markgraf. I lindur 1 shkurt 1897 Berlin-Friedenau , ndërruar jetë më 8 mars 1987 in Zurich, (Deutcher Botaniker.)
Pas maturës, Markgraf kreu studimet në degën e biologjisë në Universitetin Friedrich-Wilhelms të Berlinit dhe i përfundoi ato në vitin 1922 me doktoraturën (Dr. phil.) me një disertacion me titull “Bredoëer Forst pranë Berlinit: një studim botanik-ekologjik”.
Si studenti i fundit i doktoratës te Adolf Engleri, ai vazhdoi botimin e Botanische Jahrbücher (Botimet vjetore botanike). Përveç kësaj, ai përfundoi veprën e August von Hayek-ut Prodromus Florae Peninsulae Balcanicae (vëllimet 2 dhe 3). Ai ishte këshilltar rajonal (“Regional Adviser”) për Shqipërinë në Flora Europaea dhe mori përsipër rishikimin e vëllimit IV/1 të veprës së Hegi-t Illustrierte Flora von Mitteleuropa.[1]
Në vitin 1939 ai u martua me Ingeborg Dannenberg (1911–1996), një botaniste e diplomuar dhe e specializuar në llojin Festuca (Schwingel).[2]
Pas habilitimit të tij, ai mori fillimisht një profesurë për botanikë në Universitetin Friedrich-Wilhelms në Berlin dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, në Universitetin Ludëig-Maximilian të Mynihut. Atje ishte gjithashtu drejtor i Kopshtit Botanik München-Nymphenburg (1956–1958). Në vitin 1958 Markgraf u bë profesor i rregullt (Ordinarius) për botanikë në Universitetin e Cyrihut dhe deri në pensionimin e tij ishte drejtor i Kopshtit Botanik të Cyrihut dhe i Institutit për Botanikë Sistematike.[3]
Gjatë karrierës së tij akademike dhe shkencore, ai u mor veçanërisht me çështje të sistematikës botanike, me morfologjinë e bimëve, si dhe me gjeobotanikën, duke ndërmarrë edhe udhëtime kërkimore në rajonin e Mesdheut. Friedrich Markgraf (1897–1987) zë një vend të veçantë në historinë e marrëdhënieve kulturore e shkencore midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Botanist, fitogjeograf dhe studiues i pasionuar i natyrës ballkanike, ai i përkiste brezit të shkencëtarëve evropianë që nuk mjaftoheshin me studimin nga bibliotekat, por e kërkonin dijen në terren, mes maleve, fshatrave dhe njerëzve.
I formuar në traditën e fortë shkencore gjermane, Markgraf e pa Shqipërinë jo si një hapësirë ekzotike të largët, por si një vend me vlera të mëdha natyrore e kulturore, ende të pashkruara dhe të panjohura për botën shkencore evropiane të kohës. Pikërisht kjo e shtyu që në vitet 1920 të ndërmarrë udhëtime të vështira drejt një vendi që atëherë sapo po formësonte shtetin e vet modern.
Veprimtaria e tij shkencore u shtri më pas në universitete dhe institucione botanike prestigjioze, por Shqipëria mbeti një nga pikat më domethënëse të veprës së tij. Studimet dhe botimet e Markgrafit për florën shqiptare janë sot ndër themelet e botanikës dhe fitogjeografisë së këtij vendi.
Në Shqipëri ai krijoi baza të rëndësishme për studimet e mëvonshme të botës bimore lokale.Me emrin e Markgrafit është quajtur bima …Viola markgrafii është në fakt një hibrid — jo specie “standarde” — midis dy specieve që Markgraf mblodhi në Shqipëri.
Dietari Gjerman Friedrich Markgraf është personi nga të parët që ka ardhur në Shqipëri dhe ka punuar këtu për një kohë relativisht të gjatë.
Ekspeditat në Shqipëri (1924 dhe 1928)
Ekspeditat e Friedrich Markgrafit në Shqipëri, në vitet 1924 dhe 1928, përbëjnë një ndër kapitujt më domethënës të bashkëpunimit shkencor gjermano‑shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX. Ato nuk ishin udhëtime turistike, por misione të mirëfillta shkencore, të ndërmarra në kushte të vështira infrastrukturore dhe natyrore.
Markgraf përshkoi zona malore, lugina të thella, fshatra të izoluara dhe territore ende të paeksploruara nga botanistët evropianë. Ai mblodhi qindra mostra bimësh, regjistroi emërtime popullore në gjuhën shqipe, vëzhgoi shpërndarjen e vegjetacionit dhe lidhjen e tij me klimën, relievin dhe jetën e njeriut.
Ekspedita e parë, në vitin 1924, i shërbeu njohjes së terrenit dhe vendosjes së kontakteve të para me realitetin shqiptar. Ajo e bindi studiuesin gjerman se Shqipëria përfaqësonte një territor kyç për të kuptuar kufijtë dhe ndërthurjet midis botës mesdhetare dhe asaj kontinentale evropiane.
Ekspedita e dytë, në vitin 1928, ishte më e thelluar dhe më sistematike. Ajo solli materiale të shumta shkencore, të cilat u përpunuan dhe u botuan në vitet pasuese në vepra që sot konsiderohen klasike për studimin e florës shqiptare.
. Fotografia si dëshmi shkencore dhe njerëzore
Një dimension i veçantë i veprës së Markgrafit janë fotografitë e realizuara gjatë ekspeditave të tij. Këto imazhe nuk kanë vetëm vlerë dokumentare, por edhe një forcë të rrallë artistike dhe humane.
Në to shfaqen peizazhe të egra malore, rrugë të ngushta, fshatra të ndërtuara me gur, burra e gra me veshje tradicionale, fëmijë që shikojnë me kureshtje objektivin e aparatit fotografik. Janë pamje të një Shqipërie që sot jeton vetëm në kujtesën historike.
Markgraf nuk e fotografon Shqipërinë nga lart, me syrin e të huajit superior. Ai e sheh atë nga afër, me respekt dhe vëmendje, si një realitet të gjallë ku natyra dhe njeriu bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë. Këto fotografi janë sot një pasuri e çmuar për historinë, etnografinë dhe kulturën shqiptare.
Objekt i punës tij ishte studimi i florës spontane të vendit tonë dhe shtrirja gjeografike e saj marrë në relacion me Europën. Po të shikosh grafikët dhe hartat e udhëtimit të këtij të riu 27 vjecar, herbariumet e bimëve të mbledhura, konkluzionet e dhëna për mbrojtjen e doktoraturës mbetesh pa fjalë për qartësinë e mendimit, dhe forcën argumentuese. Rezultatet e punës së tij shkencore dolën në disertacionin An den Grenzen des Mittelmeergebietes: Pflanzengeographie von Mittelalbanien (Në kufijtë e Mesdheut: gjeografia e bimëve të Shqipërisë qendrore), Berlin 1927, i cili doli në një version të zgjeruar me titullin Pflanzengeographie von Albanien (Gjeografia e bimëve të Shqipërisë), Shtutgart 1932. Në vëllimin Pflanzen aus Albanien, 1928 (Bimët e Shqipërisë, 1928), Vjenë 1931, shënoi edhe emrat shqip të bimëve të gjetura me ekspedita.
Friedrich Markgraf me punën e bërë realizoi synimet e tij për karierën në studime në fushën e vet, ku midis të tjerave, ishte dhe përvoja e fituar në Shqipëri. Nga ky dietar kanë çfarë mësojnë dhe specialistët shqiptarë të fushës, mbasi nga konkluzionet e tij për florën spontane, shtrirjen e saj, llojet e rralla të zbuluara etj, janë udhërrëfyes për punën e mëtejshme, që shkon nga “shinat” e shtruara nga dietari gjerman. Si një shkencëtar që ka ardhur në Shqipëri e punuar këtu, po ndalim në disa aspekte, që bazuuar në fotografitë, konkluzionet, shënimet që ka lënë nuk mund ti anashkalojmë.
Në gjeografinë e lëvizjes tij përfshihet pothuajse e gjithë sipërfaqja e SHqipërisë, bile duhet thënë pjesa më e vështirë e teritorit të saj. Pa tjetër dietarit i ka rënë në sy prapambetja, varfëria absolute dhe një sërë dukurish të cilat stononin komplet me gjendjen që Markgraf kishte lënë në Gjermani. Por ai, si një njeri me kulturë dhe largpamës, asnjëherë nuk u ndal në këto dukuri dhe ti lakonte apo të fyente njerzit që punonte me ta dhe kontaktonte, apo njësitë që mbulonin organet e organizmat shtetërore të kohës. Vetë varfëria është një vuajtje e madhe, por edhe një turp për ata që e kishin mbi shpinë. Por, Markgraf në asnjë shënim apo publikim nuk u ndal që të lëndonte më tej shqiptarët.
Duke qëndruar gjatë në zonat më të thella malore ku ai dhe ekipi që e shoqëronte(me gjermanë e shqiptarë) e preku deri në thelb mënyrën e jetesës shqiptare, ushqyerjen, fjetjen, jetën në familje, shkallën e shoqërizimit, mikpritjen, besën, patriotizmin. Duke gjykuar për këto dukuri, del konkluzioni se ai ka qënë jo vetëm një dietar shkencëtar klasi, si e vërtetoi koha, por edhe njeri që rrezatonte mirësi.
Unë, autor i këtij libri, kërkoj ndjesë se në këtë rast po e hedh për një moment, tutje modestinë. Më ka joshur puna dhe vepra e dietarit gjerman për shumë arësye e fakte. Nuk po ndalem për rëndësinë, kontributin shkencor etj.të cilat janë përmendur në libër. Po ndalem në një fakt. Në të dy ekspeditat shekcëtari gjerman ka qëndruar gjatë në Shënepremte e Grabovë Sipër. Ai, me syrin e sociologut dhe shkencëtarit shikonte aty sidomos në jetën shoqërore e sociale, dicka sociale autoktone, që reflektonte mardheniet gjysëm patriarkale e feudale të kohës. Këtë, më mirë se çdo leksion, apo shkrim e flasin 2-3 foto të bëra në atë fshat e zonë. Veçanërisht fotoja me titullim nga vetë Markgraf,”Burrat e Shënepremtes” flet shumë.