Mos më gjeni vajatore për Lurën!Namik Selmani

Namik Selmani

Mos më gjeni vajatore për Lurën!
 
Oh, ç’më humbin fjalët në shpatet e zhveshura të Lurës!
Liqenet magjikë më duken si sy që natë e ditë lotojnë
Kush, kush do më sjellë zërin në gjoksin e mbushur?
Apo të më shërojë zemrën që prej vitesh lëngon?
 
Do ta vë një djep në trungun e prerë të një pishe
do të vë një arkivol me aromë të gjallë kujtese
Në Lurën e gjymtuar vargu të më marrë rreze drite
Të nis hapin e ditës duke mbjellë filizin e një dege.

 

Nuk dua të zgjoj këngët e trimave me harkun e lahutës.
Që flasin për kreshnikë me plisa që fitojnë beteja.
Kush ma risjell blerimin që përkëdhel shtigjet e Lurës?
Kush më shkruan mbresat si gurët ndër bedena?

 

Kjo Lurë më verbon sytë e ballit e më bëka memec.
Kam mall për kroje ujëkristali dhe hijen e lisit
Më dhemb që për sëmundjen që nuk kam mjek.
Në pritjen e shpejtë të rigjimit dhe të rinimit.
 
Më dhembin mushkëritë dhe në zheg, në verë.
Një kollë e shpeshtë më jep një rënkim në vite
Po nuk dua të bëhem vajator për trungjet e prerë.
Nuk dua të hap dyert e elegjive mbushur me dhimbje.