Migel Flor

Dikur flija me një radio mbi kokë….
Nuk ishte thjesht një aparat. Ishte një dritare. Një zë që hynte në dhomën time kur nata flinte, një frekuencë që sillte lajme, muzikë, kulturë, poezi dhe njerëz. Radioja ishte një thesar i vogël që mbaje pranë veshit dhe, pa e kuptuar, të mësonte të dëgjoje….
Dikur radioja shqiptare kishte peshën e një institucioni…..
Në historinë e saj, radioja nuk u ndërtua vetëm mbi mikrofonin, por mbi përgjegjësinë që vinte pas tij… Emisioni duhej të kishte përmbajtje, moderatori duhej të kishte zë, kulturë, artikulim, përgatitje dhe mbi të gjitha, respekt për dëgjuesin. Frekuenca nuk ishte një hapësirë bosh ku mund të hidhej gjithçka. Ishte një hapësirë që duhej merituar.
Mikrofoni nuk të bënte moderator…
Ashtu si një penë nuk të bën shkrimtar…
Ashtu si një zë nuk të bën interpretues…
Dhe pikërisht këtu nis ndryshimi mes radios së djeshme dhe një pjese të radios së sotme.
Sot radiot janë shtuar si kërpudhat pas shiut. Teknologjia e ka bërë të lehtë të hapësh një radio, të krijosh një faqe, të transmetosh drejtpërdrejt dhe të vendosësh një mikrofon përpara vetes. Por lehtësia e transmetimit nuk është domosdoshmërisht cilësi e komunikimit.
Dikur radioja kishte profesionistë….
Sot, shpesh, mjafton të kesh një profil në Facebook, një mikrofon dhe dëshirën për t’u dëgjuar…
Por të dëgjohesh nuk do të thotë të kesh diçka për të thënë.
Kjo është plagë e një pjese të radios së sotme.. ngatërrohet dukshmëria me vlerën, audienca me cilësinë, zhurma me ndikimin dhe numri i shikuesve me suksesin…
Radioja e vërtetë është arti i zërit.
Dikur dëgjuesi nuk kishte fytyrën e moderatorit përpara. Kishte vetëm zërin.
Dhe zëri duhej të bindtte…
Nuk kishte nevojë për fotografi të kuruara, poza, filtra apo një ikonë që të tërhiqte syrin. Kishte timbrin, artikulimin, ritmin, inteligjencën e fjalës dhe aftësinë për të krijuar një botë vetëm me tingull.
Kjo është dhe magjia e radios…
Një moderator i mirë nuk lexonte vetëm tekstin. Ai dinte ta shwiptonte fjalën…
Dinte kur të heshtte…
Dinte kur ta ulte zërin.
Dinte kur ta ngrinte.
Dinte të dëgjonte të ftuarin.
Dinte të mos bëhej më i rëndësishëm se emisioni…
Mbi të gjitha, dinte se mikrofoni nuk ishte pronë personale. Ishte besim i publikut….
Po si meritohet emri moderator?
Duke e vendosur titullin poshtë fotografisë?
Moderator bëhesh kur ke kulturë të përgjithshme, gjuhë të pastër, artikulim, përgatitje, refleks, etikë, aftësi intervistuese, njohuri mbi temën dhe respekt për kohën e dëgjuesit…
Një moderator duhet të dijë më shumë sesa pyetjet që ka shkruar në një letër…
Duhet të jetë në gjendje të ndjekë mendimin e të ftuarit, ta kapë një kontradiktë, të bëjë pyetjen që nuk ishte planifikuar dhe, kur duhet, t’i lërë hapësirë edhe pauzës…
Edhe pauza është pjesë e radios pra…
Sot, në disa emisione, dëgjojmë të kundërtën.. pyetje të cekëta, ndërhyrje të shpeshta, interpretim të dobët, artikulim të pasigurt dhe emisione që nuk lënë asnjë gjurmë pasi mbarojnë…
Problemi në fakt nuk është se dikush nuk është profesionist…
Problemi nis kur joprofesionalizmi paraqitet si standart…
Radioja nuk duhet të jetë një klub ku secili që ka mikrofon të shpall veten moderator.
As Facebook-u nuk e kthen automatikisht një transmetim live në radio….
Mund të ketë radio në Facebook, por platforma nuk garanton dinjitet radiofonik. Dinjitetin e sjell përmbajtja…
Një radio serioze nuk matet me klikime.
Suksesi i saj mbështetet mbi besueshmërinë, profesionalizmin, përmbajtjen, zërat, përgatitjen, etikën, vazhdimësinë dhe marrëdhënien me dëgjuesin…
Një radio duhet të ketë identitet.
Duhet të dish ta dallosh nga një tjetër edhe pa parë emrin…
Duhet të ketë programe me arsye për të ekzistuar.
Duhet të ketë moderatorë që nuk e përdorin mikrofonin për të dëgjuar veten, por për t’i dhënë diçka dëgjuesit…
Dikur dëgjuesi kërkonte stacione radioje..
Sot, në epokën e rrjeteve sociale, radioja duhet të dijë të fitojë përsëri dëgjuesin….
Pa zhurmë..me cilësi.
Pa ikonë….me zërin…
Me gjurmën që lë pas çdo.emision…
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse unë ende e kujtoj atë radion mbi kokën time….
Ishte një aparat i vogël, por brenda tij kishte një botë të madhe.
Sot kemi teknologji shumë më të fuqishme.
Kemi kamera, internet, transmetime të drejtpërdrejta, Facebook, platforma dhe mijëra mundësi.
Por pyetja mbetet e njëjtë…
A kemi ende zëra që meritojnë të dëgjohen?
Sepse radioja mund të ndryshojë frekuencën.
Mund të ndryshojë aparatin.
Mund të ndryshojë platformën.
Por një gjë nuk duhet të ndryshojë kurrë..
Respekti për dëgjuesin…
Dikur flija me një radio mbi kokë.
Sot shumë flenë me telefonin në dorë.
Megjithatë telefoni nuk e ka vrarë radion…
Radioja rrezikon të vdesë atëherë kur dikush harron se mikrofoni nuk është privilegj, por përgjegjësi…