Ervina Toptani
Kur jeta bëhet e hidhur, gatuaj një ëmbëlsirë.
Sa herë ndodhte diçka e vështirë, ndonjë hall i ri në familjen tonë, gjyshja ime thoshte:
“kush ka dëshirë një copë ëmbëlsirë?”
Asnjë analizë, asnjë moral, asnjë fjalë e madhe. Vetëm kaq.
Ashtu pa fjalë, fillonte me qetësi të rrëmonte nëpër sirtarë për të gjetur një dorë miell, ca lugë sheqer, nja dy kokrra arra, një portokall a limon të mbetur. Hapësira që më parë ishte e mbushur me pasiguri, mërzi ose frikë, papritur mbushej me aromën e diçkaje që të kënaqte shpirtin ndërsa e nuhasje: një ëmbëlsirë që nuk zgjidhte asnjë problem, por bëhej mënyra më e mirë për të mos u dorëzuar.
Duke u rritur kuptova se ime gjyshe nuk bënte thjesht ëmbëlsirë. Në të vërtetë bënte strehë, bënte kujtesë, bënte magjinë që ne të mos e shihnim vuajtjen si fund por si një ndalesë të përkohshme mes dy filxhanëve me çaj.
Kjo është një nga mënyrat më të mençura për të mbijetuar emocionalisht, të krijosh dritë në kohë errësire. Dhe ajo grua e vogël me sytë larushë e aromë jete ndër flokët e thinjur, e bënte këtë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, me pak sheqer, miell dhe duar që nuk dridheshin edhe kur zemra kishte arsye të dridhej.
Do një copë ëmbëlsirë? Më është ngulitur në mendje si një mantra jetësore. Ka të bëjë me aktin e qëndresës përmes ngrohtësisë. Është një mënyrë për t’i thënë jetës: ti mund t’më vesh përballë dhimbjes e vështirësisë por s’mund t’më vesh përposhtë. Në vend të mëzitem, do të ngroh shtëpinë me aromë vanilje e portokalli, do të gatuaj dashurinë e ta vë mbi tavolinë.
Në kohët moderne, kemi shpikur shumë mënyra për të “zgjidhur” problemet por unë vazhdoj të jetoj më atë mënyrën e vjetër, duke prekur me duar e ndjerë me shpirt. Ndoshta ajo që kemi humbur është dëshira për të qëndruar pranë njëri-tjetrit në mënyrën më të thjeshtë, për të krijuar çaste që nuk i zhdukin e as i zgjidhin problemet, por i zbusin ato.
Një ëmbëlsirë nuk e ndryshon botën por të lehtëson një ditë të vështirë. E ndoshta, në një kohë kur gjithçka kërkon shpjegim të madh, përqindje, statistika dhe analiza, mjafton pak kakao e pluhur pjekës për të kuptuar se të mbijetosh nuk do të thotë gjithmonë të luftosh, ndonjëherë do të thotë të gatuash një ëmbëlsirë.
Tani, sa herë që ndjej një trishtim të papërcaktuar, apo kur një njeri i dashur më thotë “s’jam mirë”, nuk kërkoj fjalët e duhura. Bëj vetëm pyetjen magjike: “Ke dëshirë të bëjmë një ëmbëlsirë?”
Dhe aty, pa e ditur, fillon shërimi.