A kemi nevojë vetëm për një Akademi që prodhon më shumë dije, apo për një kulturë akademike që di të debatojë me dhe mbi dijen që prodhon? Teuta Sadiku

 
A kemi nevojë vetëm për një Akademi që prodhon më shumë dije, apo për një kulturë akademike që di të debatojë me dhe mbi dijen që prodhon?

Teuta Sadiku


Autori ,kritiku dhe studjuesi Robert Martiko ndërton gjithë shkrimin mbi një kundërvënie:
“administrimi i dijes dhe prodhimi i ideve”
Në artikulli i tij botuar në Destinacion me titull “Deri kur Akademia Shqiptare nuk do të hyjë në botën e ideve “ai shkruan: “Akademia mund të prodhojë fjalorë, histori, enciklopedi, platforma, indekse dhe botime, por pyetja më e rëndësishme është:
Çfarë mendimi të ri prodhojnë të gjitha këto?”
Këtu unë jam dakord me kritikun Robert Martiko,sepse një fjalor nuk është vetëm një inventar fjalësh. Një histori nuk është vetëm renditje ngjarjesh. Një enciklopedi nuk është vetëm grumbullim informacioni.
Pyetja akademike fillon pikërisht atëherë kur materiali i mbledhur fillon të interpretohet.
A është vërtet problemi se Akademia “nuk hyn në botën e ideve”?
Kjo është pyetja e parë sepse shkrimi e pohon këtë mjaft fuqishëm, por nuk e demonstron plotësisht.
Autori merr dy intervista dhe prej tyre krijon një përfundim shumë më të gjerë për Akademinë.
Këtu po pyes:
A tregojnë këto intervista se Akademia nuk prodhon ide, apo tregojnë vetëm se këto intervista nuk i paraqitën idetë?
Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Mund të kemi një institucion që bën kërkime të thella, por një intervistë publike që flet kryesisht për organizimin e projekteve.
Prandaj po ndërtoj pyetjen:
A është problemi mungesa e ideve në Akademi, apo mungesa e artikulimit, komunikimit dhe debatit publik rreth ideve që Akademia prodhon?
 (pyetje e ngritur nga vetë Robert Martiko në artikujt e mëparshëm)
Në artikull thuhet se Akademia duhet të jetë “laborator i ideve”.
Unë do ta çoja një hap më tej:
Çfarë do të thotë “ide” në shkencat humane?
Sepse nuk mjafton të themi se duhet të kemi ide.
Pra çfarë është një ide akademike?

A është një interpretim i ri,një pyetje e re, një koncept, një teori, një mënyrë e re për të lexuar materialin,një lidhje e re ndërmjet dy fushave, një problem i vjetër i parë nga një këndvështrim i ri?
Ndoshta problemi nuk është vetëm që Akademia duhet të prodhojë më shumë ide. Ndoshta duhet të krijojë hapësira ku idetë mund të përplasen.
 Pyetja nuk është vetëm se ku është ideja, por ku është debati , konflikti i ideve.
Një akademi e gjallë nuk është thjesht një vend ku prodhohen ide.
Akademia është një vend ku ideja parashtrohet , kundërshtohet ,vihet në provë , riformulohet ,zhvillohet më tej.Pra, dialogu është pjesë e prodhimit të ideve.Autori i artikullit thotë se interpretimi shqiptar duhet të vihet në dialog me këta mendimtarët e lashtë ose filozofët bashkëkohorë.
Ngre pyetjen se a duhet çdo studim shqiptar të kalojë domosdoshmërisht nga Platoni, Kanti, Hegeli, Husserli ose Heideggeri që të jetë bashkëkohor?
Mendoj jo domosdoshmërisht, sepse ekziston rreziku tjetër i krijimit të një varësie teorike nga kanoni perëndimor.

Mund të ndodhë që ne të marrim një material shqiptar dhe ta detyrojmë të hyjë në skemat e filozofisë perëndimore, në vend që ta pyesim materialin shqiptar:
Çfarë konceptesh mund të prodhojë vetë ky material?
Martiko pyet se deri kur Akademia do të administrojë dijen pa hyrë në botën e ideve?
Unë do të pyesja se nga  do të vijnë idetë e reja.
Vetëm nga Akademia ,nga universitetet ,nga studiuesit e pavarur,nga shkrimtarët, nga dialogu ndërdisiplinor.
Kjo është një pyetje por edhe problem i sistemit shqiptar të prodhimit të dijes.
A është sistemi shqiptar i dijes në gjendje të njohë dhe të përfshijë dijen që prodhohet jashtë institucioneve të tij?

Prandaj nuk do ta mbyllja diskutimin me shprehjen se autori ka të drejtë.
Do ta mbyllja me një seri pyetjesh të hapura:
    Çfarë quajmë ide në shkencat humane?
    A mjafton prodhimi i dijes faktike pa interpretim?   A mund të ekzistojë interpretimi pa teori?
  A duhet kultura shqiptare të lexohet vetëm përmes kategorive të mendimit perëndimor, apo mund të prodhojë ajo vetë kategori konceptuale?
Kush e prodhon sot dijen shqiptare,kush ka të drejtë të marrë pjesë në këtë prodhim, çfarë ndodh me studiuesin e pavarur?   

Dhe pyetja tjetër a kemi nevojë vetëm për një Akademi që prodhon më shumë dije, apo për një kulturë akademike që di të debatojë me dhe mbi dijen që prodhon?
Sepse dija që nuk vihet në dialog ngurtësohet; ideja që nuk vihet në debat mbetet vetëm pohim.
Ndaj në këtë dialog me artikullin e Martikos nuk ngre kritikë ndaj Akademisë, por i ftoj në një diskutim për atë se çfarë duhet të jetë sot një institucion i dijes shqiptare.
Nuk e shtroj çështjen nga deklarata se Akademia nuk prodhon ide.
Por ngre problemin e mungesës së hapësirave ku idetë të mund të mblidhen, të përplasen, të vihen në provë dhe të zhvillohen përmes dialogut intelektual.
Ne flasim për festivale, konkurse, takime krijuesish, promovime librash, aktivitete kulturore,të cilat nuk janë të pakta.Por këto nuk janë domosdoshmërisht hapësira kritike.
Mund të kemi shumë prodhim artistik dhe shumë ngjarje kulturore, por pyetja është:
A ka pikëtakime , a debatohen interpretimet,a ka përplasje, idesh, teorish për këtë prodhim .
Problemi nuk është mungesa e prodhimit kulturor, por mungesa e qarkullimit kritik të ideve rreth këtij prodhimi.

Projekti, aktiviteti,podcasti nuk është domosdoshmërisht debat intelektual.
Një konferencë mund të ketë 30 kumtesa dhe të mos prodhojë asnjë debat real.
Një podcast mund të ketë një studiues shumë të mirë dhe përsëri të mbetet monolog.
Një intervistë mund të jetë informative, por jo domosdoshmërisht intelektuale.
Një festival poetik mund të mbledhë 100 krijues , por secili të mbetet brenda hapësirës së vet.
Por pyetja që duhet ngritur është:
“Çfarë mund të bëhet më pas asaj që tha poeti, artisti, kritiku , studiuesi?”
Sepse kjo është një shkallë tjetër e marrëdhënies me dijen.
Nuk mjafton konsumimi i dijes ,duhet të vijë reagimi intelektual ndaj dijes.
Ta pyesim materialin shqiptar se çfarë koncepti mund të prodhojë ai vetë ,sepse një mit nuk është vetëm objekt interpretimi, një simbol nuk është vetëm një shenjë që duhet shpjeguar,një vepër arti nuk është vetëm diçka mbi të cilën aplikojmë një teori.

Ato mund të jenë burime të pyetjes filozofike.
Dhe këtu ndryshon drejtimi:
Jo vetëm filozofi e lashtë, filozofi evropiane dhe më pas kulturë shqiptare,
por lëvizje  edhe nga kahu tjetër ,ku nga kultura shqiptare të ngrihen pyetje filozofike ,të ndërtohen koncepte.
Kjo do të ishte vërtet një kthesë epistemologjike.
Pra ajo që theksoj si detyrë para studjuesve, kritikëve, akademisë shqiptare është jo thjesht një studim folklorik, një kritikë letrare ,por një eksperiment metodologjik mbi mënyrën se si një formë e kulturës popullore mund të prodhojë pyetje filozofike koncepte të reja filozofike.
-Si është organizuar sot sistemi shqiptar i prodhimit të dijes?
Pra, në vend që ta mendojmë dijen si diçka që prodhohet vetëm në institucione, ta mendojmë si një ekosistem ku institucionet, universitetet, studiuesit e pavarur, kritikët, artistët, revistat, diaspora dhe platformat publike ndërveprojnë.

Nuk pyetet se a prodhon Akademia dije, por çfarë bën Akademia me dijen që prodhohet brenda dhe jashtë saj.
Sepse një Akademi e gjallë nuk duhet vetëm të prodhojë e të ruajë dijen, duhet edhe ta vërë në qarkullim kritik.
Duhet të krijojë vende,hapësira  ku një ide mund të kundërshtohet ,një interpretim mund të rrëzohet.
Ku një studiues mund t’i thotë një tjetri: Nuk jam dakord, dhe ja pse.
Ku një studiues i ri mund të sfidojë një autoritet të vjetër.
Kjo do të ishte një Akademi që nuk ka frikë nga konflikti intelektual.
Dija që nuk hyn në dialog ngurtësohet. Ideja që nuk hyn në debat mbetet vetëm pohim.
Çfarë lloj kulture akademike i duhet Shqipërisë që dija të mos mbetet vetëm prodhim, por të bëhet proces i gjallë i debatit, kundërshtimit, interpretimit dhe prodhimit të koncepteve?
Nëse dija shqiptare prodhohet në shumë vende dhe nga shumë zëra, a nuk është sfida e Akademisë së sotme që të bëhet vendi ku këto dije takohen, kundërshtohen dhe transformohen në mendim?
copyright Teuta Sadiku