Më zgjoni…Rubjana Nika

Rubjana Nika

Më zgjoni…

Më zgjoni herët,pa zbardh agimi,
kur bota është në qetësi,
të shijoj pak paqe shpirtërore
të shëroj shpirtin mbytur në mërzi.

Më zgjoni herët,dielli pa dalë,
kur “zhurmat” mbytëse 
flenë akoma,
këngën e zogjve t’shijoj ngadalë,
në mendje t’i ruaj si jehona.

E mos më thoni ,ëndërrimtare,
“tip i mbyllur”,idealiste,
më mirë në një  mbretëri ëndrrash
se në këtë botë pesimiste.

Njësh me natyrën  fantazindjellë
e shpirti pezull jashtë kësaj bote,
sesa mes kaosit njerëzor;
kjo prona ime,kjo prona jote.

Njësh me Muzën vargjendjellë,
natyrën gdhend në piedestal,
se të thur himne kultesh njerëzore,
kur kodra kthehet në një mal.