Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Më 5 qershor 1943, në Matogjin të Smokthinës, u formua çeta partizane “Zigur Lelo”. Krijimi i saj nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por rezultat i një pune të gjatë, të organizuar dhe të vazhdueshme politike, propagandistike e ushtarake të zhvilluar në të gjithë krahinën.
Që nga viti 1942, në fshatrat e Smokthinës ishin krijuar grupet edukative dhe njësitet guerile, të cilat në atë kohë quheshin edhe “ushtarët e popullit”. Ato përfaqësonin bërthamat e para të luftës së organizuar dhe të armatosur. Krahas ngritjes së organizmave të para të pushtetit nacionalçlirimtar, lindi nevoja edhe për krijimin e njësive luftarake që do të mbështesnin veprimtarinë e tyre, do të kryenin aksione kundër pushtuesit dhe do të përgatitnin terrenin për zgjerimin e luftës së armatosur.
Njësitet e armatosura të fshatrave ishin shkëndijat e para të luftës së armatosur në Smokthinë. Ato u krijuan mbi bazën e një pune të organizuar dhe të menduar. Më 27 prill 1942, në Shalës, me porosinë e Hysni Kapos, u zhvillua një mbledhje me aktivistët e Smokthinës. I deleguari me pseudonimin “Xhoxhi”, Jorgo Plaku, dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shtroi detyrën për krijimin e njësive guerile në çdo fshat.
Detyrat e këtyre njësive ishin të qarta: sigurimi i armëve, kryerja e aksioneve, goditja e njësive ndëshkuese dhe lufta kundër pushtuesit. Aksionet do të kryheshin nën drejtimin e organizatës së Partisë dhe të komandës së Qarkut të Vlorës, duke ruajtur me rreptësi sekretin.
Njësiti gueril i Ramicës, nën drejtimin e Lavdosh Zaçes, në vjeshtën e vitit 1942 kreu një aksion të armatosur kundër një emisari italian të fashizmit. Njësitet guerile të Smokthinës shpërndanin materiale propagandistike, zhvillonin veprimtari agjitative dhe punonin veçanërisht me të rinjtë për përgatitjen e tyre për luftën e armatosur.
Në këto njësite bënin pjesë Mevlan Dervishi, Hysni Bocaj, Nazif Lamorëndi (Hasanaj), Luto Canaj, Shuaip Llanaj, Sadik Zotaj, Reiz Rukaj, Lavdosh Zaçe, Dane Mehmeti, Perlat Hasani, Dervish Bocaj, Moisi Elezi, Ziso Isai, Aliko Mehmeti, Musa Ramo, Gilo Lame e të tjerë.
Pjesëmarrja në veprimtarinë ilegale ishte rritur ndjeshëm që nga fillimi i vitit 1942 dhe ishte shtrirë edhe në radhët e rinisë. Të rinjtë që u aktivizuan në këtë lëvizje përvetësuan gradualisht format e organizimit, disiplinën dhe përvojën e punës së fshehtë, duke u përgatitur për të marrë pjesë drejtpërdrejt në luftën e armatosur.
Krijimi i celulës së Partisë në Smokthinë
Viti 1943 e gjeti Smokthinën me një veprimtari të gjerë politike, organizative dhe luftarake. Puna e grupeve edukative ishte shtrirë në të gjithë fshatrat e krahinës, ndërsa veprimtaria e njësive guerile, brenda dhe jashtë Smokthinës, kishte rritur autoritetin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Situata e re kërkonte forcimin e punës organizative dhe shtrirjen e saj në çdo fshat, në çdo familje dhe në shtresa të ndryshme të popullsisë. Smokthina, si një krahinë e thellë malore, po merrte gjithnjë e më shumë rëndësi si bazë mbështetëse e luftës.
Në këto rrethana lindi nevoja për një drejtim politik më të organizuar. Përvoja e krijuar edhe në fshatrat e Mesaplikut tregonte se një nga kushtet për koordinimin e veprimtarisë ishte krijimi i celulës së Partisë.
Më 5 shkurt 1943, në shtëpinë e Minushe Islamajt, nënës së Pajo Islamit, pesë nga aktivistët më të dalluar të grupeve edukative, në prani të Hysni Kapos, sekretar politik, dhe Mehmet Shehut, sekretar organizativ të Komitetit Qarkor të Vlorës, shpallën krijimin e celulës së parë të Partisë për Smokthinën.
Mbledhja u zhvillua në kushtet e ilegalitetit të plotë. Ajo shërbeu për të analizuar situatën politike e ushtarake dhe për të përcaktuar më qartë detyrat që shtroheshin për organizimin e luftës në krahinë.
Me krijimin e celulës u bë edhe ndarja e detyrave. Mevlan Dervishaj u ngarkua me punën ushtarake; Aliko Mehmeti me propagandën; Njazi Canaj dhe Sadik Zotaj me punën me rininë dhe gratë; ndërsa Bako Dervishaj, i zgjedhur përgjegjës i celulës, u ngarkua me punën për Këshillat Nacionalçlirimtare.
Megjithëse detyrat ishin ndarë, të pestë, në veprimtarinë e përditshme, përgjigjeshin së bashku për të gjitha problemet e organizimit dhe të luftës në Smokthinë.
Kësaj celule iu bashkuan edhe komunistë të tjerë smokthinjotë, të lidhur me veprimtarinë e Partisë që nga themelimi i saj më 8 nëntor 1941, ndër ta Shefqet Musaraj, Pajo Islami, Veiz Pipa, Shahin Ruka, Shaqo Derri, anëtar i Partisë Komuniste Franceze, si dhe Lavdosh Zaçe, një prej 37 komunistëve të fillimit në Vlorë. Edhe pse disa prej tyre vepronin jashtë Smokthinës, ata mbetën të lidhur me krahinën dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në punën agjitative, politike dhe luftarake.
Bijtë e Smokthinës ishin të pranishëm në mbledhje, biseda, mitingje dhe veprime të ndryshme luftarake. Ata zhvillonin një punë të gjerë sqaruese me popullin dhe ndihmonin në krijimin e klimës së nevojshme për zgjerimin e luftës kundër pushtuesit.
Celula përballoi detyra të shumta, ndër të cilat edhe puna me grupet edukative të çdo fshati, të cilat, në kushtet e kohës, shërbenin edhe si një aktiv i rëndësishëm politik dhe luftarak. Nga këto grupe dolën antifashistë, komunistë, pjesëtarë të çetave partizane, drejtues të pushtetit nacionalçlirimtar dhe të organizatave të masave.
Veprimtaria e celulës u zhvillua në kushte të vështira, në një krahinë të thellë malore, por ajo arriti të krijojë një jetë të gjallë politike e luftarake. Parullat “Vdekje fashizmit – Liri Popullit” u bënë pjesë e përditshmërisë dhe jehonin nga të rinjtë, gratë, burrat dhe të moshuarit.
Në kuadër të kësaj veprimtarie pati edhe pranime të reja në radhët e Partisë. Në gusht 1943 u pranuan Gilo Lame dhe Perlat Hasani, ndërsa në tetor 1943 Qeriba Derraj. Pas Operacionit të Dimrit, celula pati një përbërje të re, ku përfshiheshin Liri Arapi, Qeriba Derri, Gilo Lame, Njazi Jaho, Perlat Hasani, Qazim Thanasi e të tjerë.
Nga njësitet guerile te çeta partizane
Veprimtaria e njësive guerile krijoi kushtet për ngritjen e Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për formimin e çetave territoriale. Pjesëmarrja e smokthinjotëve në veprimtari të ndryshme politike e luftarake, si Lufta e Gjormit dhe Operacioni i Pranverës i vitit 1942, dëshmoi shpirtin e tyre luftarak dhe gatishmërinë për t’u përballur me pushtuesin.
Gjatë vitit 1943, lufta e armatosur në mjaft krahina të vendit po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha. Në këto kushte, celula e Partisë në Smokthinë i propozoi Komitetit Qarkor të Vlorës që në krahinë të krijohej një çetë partizane. Pas shqyrtimit të situatës dhe të kushteve të krijuara, propozimi u miratua.
Kështu, pas një periudhe të gjatë përgatitjeje politike, organizative dhe ushtarake, Smokthina ishte gati të krijonte formacionin e saj të organizuar partizan.
5 qershor 1943 – lindja e Çetës “Zigur Lelo”
Përurimi i çetës u zhvillua më 5 qershor 1943, në Matorukaj, pranë shkollës së Matogjinit. Në këtë ceremoni morën pjesë luftëtarët e çetës, aktivistë të lëvizjes dhe mjaft patriotë të Smokthinës, përfshirë edhe burra që kishin marrë pjesë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.
Fjalën e përshëndetjes e mbajti i deleguari i Komitetit Qarkor, Delo Balili. Ai foli për situatën politike të kohës, për luftën kundër pushtuesit fashist dhe tradhtarëve, si dhe për detyrat që shtroheshin për formacionin e ri luftarak.
Foli edhe Veiz Pipa, i cili u zgjodh komisar i çetës.
Komandanti i saj, luftëtari me përvojë dhe antifashisti Mevlan Dervishaj, së bashku me luftëtarët, u betua para flamurit kombëtar:
“Betohemi para këtij flamuri të shenjtë, që është simbol i nderit dhe i lirisë së popullit tonë.”
Betimi u përsërit fuqishëm nga të 21 luftëtarët e çetës. Flamuri i çetës iu besua Luto Canajt, një prej aktivistëve më të rinj të saj.
Çeta mori emrin “Zigur Lelo”, në nderim të patriotit trim të Smokthinës, i cili më 5 qershor 1920, në Luftën e Vlorës, ra heroikisht në ballë të luftëtarëve të krahinës dhe mbeti dëshmor në fushën e nderit.
21 luftëtarët e parë
Në ditën e përurimit, në përbërjen e çetës ishin:
- Mevlan Dervishaj – komandant;
- Veiz Pipa – komisar;
- Sadik Zotaj – intendent, dëshmor;
- Moisi Elezi;
- Ismail Velo – dëshmor;
- Myftar Bocaj – dëshmor;
- Kamber Sullaj – dëshmor;
- Gani Gabaj – dëshmor;
- Lesko Lekaj – dëshmor;
- Mulo Dervishi – dëshmor;
- Syrja Sarçaj – dëshmor;
- Aliko Mehmeti;
- Perlat Tafilaj;
- Luto Canaj;
- Feim Zenelaj;
- Elmaz Hasamataj;
- Bato Zotaj;
- Sadedin Sullaj;
- Sefedin Sullaj;
- Bilbil Veshaj;
- Xhemil Liçaj.
Mevlan Dervishaj, Sadik Zotaj dhe Aliko Mehmeti ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe pjesë e celulës së Smokthinës, ndërsa Veiz Pipa ishte komunist i ardhur nga Vlora.
Një çetë e lindur nga përvoja e luftës
Krijimi i Çetës Partizane “Zigur Lelo” shënoi një etapë të re në historinë e luftës antifashiste në Smokthinë. Ajo nuk u krijua nga hiçi. Në radhët e saj u bashkuan njerëz që kishin kaluar tashmë përvojën e njësive guerile, kishin marrë pjesë në Batalionin Territorial Vullnetar të Shullërit dhe kishin njohje të mirë të terrenit të krahinës.
Shumica e luftëtarëve ishin të rinj, rreth moshës 20-22 vjeç. Ata njihnin shtigjet dhe malet e Smokthinës e të Mesaplikut, kishin përvojë në veprimtarinë ilegale dhe luftarake dhe dinin të përdornin armët e kohës.
Kjo përvojë do t’u shërbente në ditët dhe muajt që pasuan, kur lufta do të merrte përmasa më të mëdha dhe çeta do të përballej me detyra gjithnjë e më të vështira.
Kështu, më 5 qershor 1943, në Matogjin, Smokthina hodhi një hap të rëndësishëm në organizimin e luftës së armatosur. Çeta Partizane “Zigur Lelo” u bë një nga shprehjet e kësaj përvoje të grumbulluar gjatë muajve të veprimtarisë ilegale, të punës së njësive guerile dhe të mobilizimit të banorëve të krahinës.
Emri i Zigur Lelos, patriotit që kishte rënë në Luftën e Vlorës më 5 qershor 1920, do të lidhte simbolikisht dy breza luftëtarësh: ata që kishin luftuar për mbrojtjen e Vlorës dhe të trojeve shqiptare dhe brezin e ri që, njëzet e tre vjet më vonë, po ngrihej në luftë kundër pushtuesit fashist. Në këtë kuptim, emri i çetës përfaqësonte edhe vazhdimësinë e traditave atdhetare dhe luftarake të Smokthinës.