Disa hapa pas…Kledia Alizoti

Kledia Alizoti

DISA HAPA PAS…

Kisha mbërritur herët në aeroportin «Nënë Tereza». Ishte maj dhe drita e butë e atij mëngjesi hynte përmes xhamave të mëdhenj, duke u shtrirë mbi pllakat e lëmuara të aeroportit.
Në ndryshim me JFK Airport, salla kishte pak njerëz që po udhëtonin atë ditë!
Për fluturimin tim duheshin akoma dy orë. Check-in, e kisha mbaruar, pasaportën dhe biletën i kisha vendosur me kujdes në çantë dhe, që nga mëngjesi i një dite më parë, nuk kisha më gjë për të bërë, veçse të prisja.
Mora një kafe të shkurtër dhe u ula pranë dritareve.
Ishte hera e parë që isha kthyer në Shqipëri për të parë familjen, që kur isha larguar për në Amerikë. Tani po i lija pas përsëri, por këtë herë ikja më rëndonte ndryshe.
Mamanë time e kisha lënë të sëmurë në shtrat, në një rrugë pa kthim.
E kisha akoma para syve, si fytyrën, ashtu dhe aromën e gushës, kur i mora erë për herë të fundit.
Ndërsa mbaja filxhanin e kafesë mes duarve, m’u rikthye kujtimi i një fjalie që më kishte thënë disa ditë para se të nisesha:
«Kudo që të shkosh t’u bëfsha, mos harro një gjë: askush nuk do të të dojë më shumë sesa ne.»
Atëherë ndoshta nuk e kisha përjetuar plotësisht peshën që ato fjalë do të derdhnin mbi mua vite më pas.
Afrova filxhanin te buzët dhe hodha sytë përtej xhamit. Avionët ngriheshin njëri pas tjetrit. Njerëzit përqafoheshin, ndaheshin, nxitonin drejt portave dalëse. Secili dukej sikur mbante me vete dy momente. Atë të kthimit dhe të nisjes…
Pak më tutje, në stolat e sallës, u ulën tre veta.
Në fillim nuk u kushtova shumë vëmendje.
Një grua rreth të gjashtëdhjetave, ndoshta jo më shumë se gjashtëdhjetë e pesë vjeç; një djalë i gjatë e i pashëm, diku nga mesi i të tridhjetave; dhe një vajzë e re, në fund të njëzetave të saj.
Çuditërisht, vajza më tërhoqi vëmendjen.
Më vonë do të mësoja që quhej Joana. I shoqi e thërriste shkurt, Ana.
Kishte një trup të hollë, me një hijeshi nga ato vajza që bien në sy menjëherë. Mbante veshur një fustan elegant me një ngjyrë pane, të thjeshtë, i përmbajtur në model, që i mbështillte lehtë linjat e trupit. Kishte diçka prej nuseje ende tek ajo, jo vetëm në ngjyrën e fustanit, por dhe në kujdesin me të cilin ishte veshur, në freskinë e fytyrës të përzier me lodhjen dhe me një lloj ndrojtjeje që nuk mund ta fshihte.
Ndoshta dasma kishte qenë vetëm një ditë më parë.
E moshuara ishte krejt ndryshe. E shkurtër në shtat, me trup të rrumbullakët e të ngjeshur dhe flokë të shkurtër, paksa të valëzuar.
Nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të kuptuar se ishte mësuar ta thoshte ajo fjalën e fundit. Edhe mënyra si u ul, si vendosi çantën pranë vetes dhe si iu drejtua të birit kishte hijen e njeriut që kontrollonte jo vetëm gjërat e veta, por edhe lëvizjet e të tjerëve.
«Pasaportat i ke? Biletat? Shikoji mirë», i tha të birit.
Ai i kontrolloi përsëri.
E vështrova për një çast. Ishte më i gjatë se e ëma, por seç kishte, në mënyrën e sjelljes së tij që e bënte të dukej fare i vogël pranë saj.
Nga biseda kuptova se kishin ardhur për dasmën e ta merrnin Joanën nga Shqipëria për t’u kthyer së bashku drejt Shteteve të Bashkuara.
Herë pas here i hidhja sytë nga vajza, por kujdesesha që ajo të mos e vinte re.
Vitet në Amerikë më kishin ndryshuar. Mënyra e të veshurit, e të qëndruarit, ndoshta edhe gjestet, nuk të bënin menjëherë të mendoje se isha shqiptare. Nuk doja që ta dinin se po dëgjoja dhe kuptoja çdo fjalë. Nuk doja ta vija në siklet.
Por, sa më shumë e shihja, aq më shumë i kthehesha viteve të mia pas.
Udhëtimit tim të parë drejt Amerikës.
Edhe unë kisha qenë pothuajse po aq e humbur. Po aq e ndrojtur. Me një ndjesi të huaj për atë që më priste, por, mbi të gjitha, me pasigurinë e njeriut që po lë pas një ambient të njohur dhe po shkon drejt një jete për të cilën nuk dinte pothuajse asgjë.
Mendimet i ndala në momentin kur Joana kërkoi të shkonte në tualet.
Sapo ajo u largua, atmosfera ndryshoi.
E ëma iu kthye të birit:
«S’ke pse t’i rrish aq shumë mbi kokë. Duhet të mësohet, të mos ketë gjithë atë vëmendje.»
Pastaj nisi të ankohej për një shqetësim të sajin, sikur vëmendja e të birit duhej të zhvendosej menjëherë tek ajo.
E pashë me kujdes djalin.
Faqet i ishin skuqur. U duk sikur nuk dinte ç’t’i thoshte. Ishte tashmë i rritur, i gjatë, i pashëm, e megjithatë në atë çast më dha përshtypjen e një njeriu që nuk e gjente dot ekuilibrin midis dy grave.
Joana u kthye.
Dukej e lodhur. Në fytyrën e saj dalloheshin gjurmët e pagjumësisë dhe të ditëve të ngarkuara që kishte lënë pas.
I kërkoi një kafe të shoqit.
Hapi çantën dhe nisi të nxirrte një dymijëlekësh.
«Po deshe kafe, ta blejmë ne», i tha e moshuara. «Tani duhet ta kuptosh: ne jemi një portofol, jo dy.»
Joana u step, e kapur në befasi nga qasja e së vjehrrës.
Nuk iu përgjigj.
Por as nuk i futi paratë përsëri në çantë.
Vazhdoi t’i nxirrte.
Diçka në fytyrën e saj ndryshoi. Për vetëm një çast, pashë t’i ndryshonte fytyra nga një zbehje gati në të zbardhur, në një rozë trëndafili mbi mollëza.
Hodhi sytë nga i shoqi.
Ai i mbajti të vetët ulur. I tregoi ku mund ta merrte një ekspres, pastaj i mori paratë nga dora dhe shkoi t’ia blinte kafenë me një hap si të përtuar.
E ëma dukej gati-gati e bezdisur.
Tha diçka nën zë e nuk u ndie më, e fundosur në stol.
Joana u ul dy karrige më tutje.
Pastaj bëri një gjest të vogël, të pafajshëm, që nuk e harroj dot edhe kësaj dite.
E afroi çantën dhe e shtrëngoi pas kraharorit.
Në ato momente nuk po shihja më vetëm Joanën, por po jetoja pas në kohë me veten time.
M’u kujtua ime më, para se të nisesha. Më kishte vënë në duar ca para.
«Po shkon të jetosh me njerëz», më kishte thënë. «Duhet të kesh diçka tënden, për çfarëdo nevojë që të të duhet.»
M’u zu fryma…
Nuk po e kuptoja, për Joanën, apo për vete…
Për ato pak para që një nënë ia fut vajzës në dorë para se ta nisë larg, apo që bashkë me to përpiqet t’i japë edhe një copëz pavarësie, një grimë sigurie, diçka të sajën në një vend ku ende asgjë nuk ishte akoma e saj.
Vështrova përsëri Joanën.
Rrinte dy karrige më tutje, me çantën të mbështetur fort pas gjoksit.
Ajo nuk e dinte që unë isha ajo, dhe ajo ishte unë.
Nuk e dinte as se, duke e parë atë, po e jetoja ikjen time për herë të dytë.
Fluturimi i tyre nisej para timit.
Kur erdhi koha për të shkuar drejt portës dalëse, i pashë të ngriheshin.
E ëma dhe i biri u nisën përpara.
Joana tërhoqi valixhet e saj dhe i ndoqi.
Jo përkrah të shoqit., disa hapa pas.
Më mbetën sytë aty.
Ecte me kokën pak të ulur dhe vështrimin përtokë, duke tërhequr valixhen pas vetes. Nuk është se kishte ndodhur ndonjë gjë, për dikë që nuk i njihte, as mund të quhej si diçka e madhe. Askush nuk kishte bërtitur. Askush nuk kishte qarë. Askush nuk kishte thënë ndonjë fjalë të jashtzakonshme.
E megjithatë, ato pak hapa të saj larg tyre më rënduan më shumë se e gjithë biseda që kisha dëgjuar.
M’u duk sikur ajo, nusja e re e shtëpisë së tyre, kishte kuptuar diçka.
Diçka që askush nuk ia kishte thënë drejtpërdrejtë.
Zgjodhi të mos u rrinte shumë pranë.
Të mos i kërkonte të shoqit vëmendjen e një çifti të ri, të sapomartuar.
Të mos fliste…
Ndoshta isha unë, që po e teproja.
Ndoshta po vendosja mbi supet e saj kujtimet e mia. Ndoshta ajo ishte thjesht e lodhur nga dasma, nga aeroporti, nga nata pa gjumë dhe nga udhëtimi i gjatë që e priste.
Por nuk munda t’i hiqja dot sytë prej saj.
Një vajzë e re po nisej drejt Amerikës.
Një valixhe në dorë. Një çantë të shtrënguar pas vetes. Bashkëshorti krah të ëmës, disa hapa para.
Dhe sigurisht fillimi i një jete të tërë që ende nuk dinte, çfarë e priste.
I ndoqa me sy derisa humbën mes njerëzve.
Nuk e di çfarë ndjeva.
Mbase më erdhi keq për Joanën…
Mbase u tremba për të…
Apo ndoshta, në ato pak hapa distancë që ajo mbajti pas tyre, pashë përsëri, atë, vajzën që kisha qenë dikur…
Mbeta aty, pranë xhamit të madh të aeroportit, me kafenë që tashmë ishte ftohur dhe kokën pas, tek ime më e sëmurë.
Përpara meje ishte rruga e gjatë drejt Amerikës…
Pas meje, një grusht ditësh të numëruara me gishta.
Dhe, për disa çaste, mes të dyjave, kishte kaluar Joana, me fain e saj…
#kleaspoetry
#kleasart #albanianculture
#originalart #gouachepainting