Nga India në Suedi me biçikletë për dashurinë-Përgatiti dhe përktheu:Gladiola Jorbus

Përgatiti dhe përktheu: Gladiola Jorbus

Nga India në Suedi me biçikletë për dashurinë
Një histori e pazakontë dashurie që kapërceu mijëra kilometra, kufij
dhe dallime kulturore

New Delhi/Borås – Dashuria mund t’i shtyjë njerëzit të bëjnë gjëra që në
pamje të parë duken të pamundura. Kjo është historia e Pradyumna Kumar
Mahanandia, i njohur si PK, një artist indian që në vitin 1977 vendosi të
shiste gjithçka që kishte, të blinte një biçikletë dhe të nisej nga India drejt
Evropës për t’u bashkuar me gruan që dashuronte. Ai mendonte se ajo
jetonte në Zvicër. Vetëm gjatë rrugës zbuloi se destinacioni i tij i vërtetë
ishte Suedia.
Një artist që jetonte në varfëri
Në fillim të viteve 1970, PK jetonte në New Delhi dhe fitonte jetesën duke
vizatuar portrete në rrugë. Paratë që fitonte i përdorte për të financuar
studimet për t’u bërë mësues vizatimi. Jeta e tij ishte e vështirë: ai jetonte
nën një urë dhe policia shpesh e largonte nga vendi ku punonte.
Në atë periudhë, dashuria nuk ishte shqetësimi i tij kryesor. Për të, më e
rëndësishme ishte të gjente para për të ngrënë dhe të vazhdonte
shkollimin.
Megjithatë, në mendjen e tij kishte mbetur një parashikim i bërë nga babai.
Sipas një parashikimi tradicional, PK do të martohej me një grua
muzikante, nga një tokë e largët, e lindur në yjësinë e Demit dhe që do të
kishte në pronësi një pyll ose tokë të madhe.
Takimi që i ndryshoi jetën
Fati mori një kthesë të papritur kur në New Delhi mbërriti Valentina
Tereshkova, kozmonautja sovjetike. Gjatë vizitës së saj në Indi, ajo pa
punën e PK-së dhe kërkoi që ai t’i bënte një portret.
Portreti u dorëzua para kamerave televizive dhe gazetarëve. Pas kësaj
ngjarjeje, emri i PK-së u përhap në të gjithë vendin. Njerëzit filluan të
qëndronin në radhë dhe çmimi i një portreti u rrit ndjeshëm.
Nga një artist i varfër, PK u bë papritur i njohur. Edhe kryeministrja indiane
Indira Gandhi e ftoi në shtëpinë e saj. Policia që më parë e përzinte nga
sheshi, tani e respektonte. Por ndryshimi më i madh në jetën e tij do të
vinte pak më vonë.

17 dhjetor 1975: takimi me Lottën
Më 17 dhjetor 1975, PK takoi një vajzë 19-vjeçare, e cila quhej Lotta nga
Boråsi i Suedisë. Ajo kishte udhëtuar me disa miq në Indi dhe dëshironte të
merrte një portret për nënën e saj.
Kur Lotta iu afrua PK-së, ai ndjeu menjëherë diçka të veçantë. Dora që
mbante lapsin i dridhej dhe ai e përshkruan momentin si një ndjesi, sikur në
mendjen e tij ishte hapur papritur një derë.
Edhe Lotta ndjeu se takimi nuk ishte i zakonshëm. Ajo u kthye të nesërmen
për një portret tjetër, dhe më pas edhe një herë tjetër.
Vetëm disa javë pas takimit, të dy udhëtuan drejt fshatit të PK-së në
Odisha, Indi, ku u martuan. Ata pothuajse nuk njiheshin, por Lotta ishte e
bindur se kishte takuar njeriun e jetës së saj.
Pas martesës, Lotta u kthye në Suedi për të përfunduar studimet e saj për
muzikë. Çifti jetonte i ndarë nga mijëra kilometra distancë, por komunikonte
përmes letrave dhe telefonit.
Me kalimin e kohës, PK kuptoi se Lotta përputhej çuditërisht me
parashikimin e babait të tij. Ajo ishte muzikante, vinte nga një kulturë dhe
grup tjetër shoqëror, kishte lidhje me tokën dhe pyjet e familjes së saj dhe
ishte e lindur në shenjën e Demit. Për PK-në, kjo ishte dëshmi se takimi i
tyre ishte i shkruar.
Por largësia po bëhej gjithnjë e më e vështirë.
Vendimi i jashtëzakonshëm
10 mijë kilometra drejt Borås-it
Pas rreth një viti e gjysmë, në vitin 1977, PK vendosi se nuk mund të priste
më. Ai shiti gjithçka që kishte dhe bleu një biçikletë.
Plani i tij ishte i thjeshtë: të shkonte me biçikletë deri te gruaja që
dashuronte.
Udhëtimi ishte i gjatë dhe i vështirë. PK kaloi nëpër Azi dhe Evropë duke
përshkuar rrugë të gjata e të mundimshme me biçikletë.
Pas pesë muajsh sfidues e sfilitës mbi biçikletë, ai më në fund mbërriti në
Borås. Takimi me Lottën tregoi se pritja dhe distanca nuk e kishin cënuar
aspak dashurinë e tyre.

Pas ribashkimit, PK dhe Lotta ndërtuan jetën e tyre në Suedi. Ata jetuan në
fermën e familjes së saj pranë Boråsit dhe patën dy fëmijë.
PK punoi për shumë vite si mësues arti, ndërsa Lotta punoi si mësuese
muzike. Më vonë, ajo u bë instruktore joge.
Për të dy, dallimet mes Indisë dhe Suedisë, gjuhët, kulturat dhe mijëra
kilometrat që i ndanin nuk ishin aspak të pakapërcyeshme. Ata besonin se
ajo që kishte rëndësi ishte lidhja mes dy njerëzve.
Historia e PK-së dhe Lottës nuk është vetëm një histori romantike, por
edhe një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit e shohin njëri-tjetrin.
Për PK-në, kufijtë midis vendeve nuk duhet të jenë më të rëndësishme se
lidhjet mes njerëzve. Mesazhi i tij është i thjeshtë: në vend që të mendojmë
vetëm për “vendin tonë”, duhet të mendojmë për “tokën tonë”.
Historia e një burri që udhëtoi nga India në Suedi me biçikletë për
dashurinë mbetet kështu një histori për guximin, besimin dhe fuqinë e një
lidhjeje që nuk u ndal nga distanca.
Burimi: Mediumi suedez ’’Arbetet’’