Përse të dua?Cikël poetik -Migel Flor

Përse të dua?

Mos më pyet përse të dua.

As lumi nuk e di
përse shkon
drejt detit,
as rrënja përse kërkon thellësinë.

Të dua siç kërkon drita dritaren,
siç kërkon nata yllin e saj të fundit.

As për sytë,
se koha ua ndryshon ngjyrën.

As për buzët se heshtja i plak.

As për trupin
se ai është veç një stinë
në kalendarin e mishit.

Të dua për atë që mbetet
kur bien gjethet,
kur shuhen zërat,
kur ikin vitet.

Për atë që s’e prek dot dora
por e njeh zemra.

Ndoshta nuk të dua unë.

Ndoshta të do ajo pjesë e shpirtit tim
që ndihet më pak e vetmuar
kur dëgjon emrin tënd.

Migel Flor

Pa titull

Një këngë guri qan
në greminat e heshtjes.
Asnjë zog s’këndon
Mbi degët e gjineshtrës.

Një shqipe tund krahët
nën sytë e një reje
e etur për ndeshje
dhe zëra beteje.

Dikush qan për terrin,
dikush qan për dritën.
Po fati të gjithëve
pa ndjerë u ngre pritën.

Kështu është kjo kohë
rreth nesh rrotullohet
ku jeta me vdekjen
në një trup takohet.

Migel Flor

Dy dete

U panë dy dete sy më sy
pranë të njëjtit breg të njëjtit qiell.
Kjo s’është legjendë as histori
por një baladë shkruar me diell.

U panë dy dete sy më sy.
Unë i kam pare, isha aty…

Migel Flor

Era jonë

Ajo përherë shikon nga rruga
dhe ënderron të lozë me erën
ndersa një libër gjysmë i hapur
Rrëfen pareshtur për pranveren.

Dritarja flet me yjet larg.
Perdja një tango nis me erën.

Migel Flor

Tri poezitë e Migel Flor-it nuk lidhen me një subjekt të vetëm. I bashkon diçka më e vështirë për t’u kapur: një shqetësim i brendshëm që herë del si terr, herë si det, herë si erë. Poetja nuk rri gjatë përballë sendit për ta përshkruar. I jep frymë dhe e lë të hyjë në jetën njerëzore.
Një gur qan. Dy dete shikohen. Një dritare flet me yjet. Një perde kërcen tango me erën.
Këto nuk janë thjesht zbukurime të vargut. Janë mënyra se si Flor-i e zhvendos realitetin nga ajo që shohim te ajo që ndiejmë.

1.“Pa titull” – bota që e ka humbur zërin

Poezia hapet me një nga figurat më të goditura të ciklit:
“Një këngë guri qan
në greminat e heshtjes.”
Ka diçka të dhimbshme në këtë pamje. Guri nuk duhet të qajë. Ai është pikërisht ajo që ne e mendojmë si të pandjeshme, të rëndë, të heshtur. Por poetja ja jep atij një dhimbje njerëzore.
Më duket se këtu qëndron çelësi i poezisë: heshtja nuk është mungesë zëri; është një zë që nuk arrin të dëgjohet.
Pastaj vjen:
“Asnjë zog s’këndon
Mbi degët e gjineshtrës.”
Edhe kënga është zhdukur. Guri qan, por zogu hesht. Sikur bota të jetë futur në një çast pezull, ku natyra nuk është më strehë, por dëshmitare. Dhe befasisht fut degët e gjineshtrës, ku Zogu këngëtar dhe të dojë të ulet e të këndojë, s’ka si ulet në vertikalitetin e tyre.
Shfaqja e shqiponjës e ndryshon menjëherë peizazhin:
“Një shqipe tund krahët
nën sytë e një reje
e etur për ndeshje
dhe zëra beteje.”
Shqiponja sjell forcë, jo qetësi. Ajo kërkon “ndeshje”. Është një figurë që e ngre poezinë nga dhimbja individuale drejt një atmosfere më të gjerë. Në këtë prirje ekspresioniste, peizazhi nuk na paraqitet siç është, por siç ndihet.
Më interesantja vjen më pas:
“Dikush qan për terrin,
dikush qan për dritën.”
Dy njerëz mund të vuajnë për arsye të kundërta. Njëri e kërkon dritën, tjetri ndoshta trembet prej saj. Por të dy janë të kapur në të njëjtën kohë.
Dhe fati nuk vjen si një figurë madhështore. Vjen pothuaj tinëz:
“Po fati të gjithëve
pa ndjerë u ngre pritën.”
Ky “pa ndjerë” është më i rëndë se çdo klithmë. Fati nuk ka nevojë të bëjë zhurmë. Mjafton të presë.
Dhe mbyllja:
“ku jeta me vdekjen
në një trup takohet.”
është më shumë se një mendim mbi vdekjen. Është një nga ato të vërteta që njeriu i di, por nuk do t’i thotë me zë. Ne jetojmë me vdekjen brenda nesh. Flor-i nuk e filozofon gjatë këtë fakt. E vendos në katër vargje dhe largohet.

2.“Dy dete” – një pamje që nuk i nënshtrohet reales

“Dy dete” është një poezi shumë e shkurtër, por pikërisht për këtë arsye kërkon të mos i vëmë menjëherë një kuptim përfundimtar.
“U panë dy dete sy më sy
pranë të njëjtit breg të njëjtit qiell.”
Fjala “sy” e ndryshon detin. Papritur kemi përballë dy qenie, jo dy hapësira ujore. Deti sheh. Deti ka një tjetër përballë.
Kjo është një poezi simboliste, sepse pamja nuk mbaron te pamja. Dy detet mund të lexohen si dy botë, dy fate, dy vetmi. Por unë nuk do ta mbyllja kuptimin vetëm këtu. Bukuria e vargut është pikërisht se nuk na detyron të zgjedhim.
“Bregu” është kufiri që i mban pranë dhe larg njëkohësisht. “Qielli” i mbulon të dy. Dy pafundësi nën të njëjtën pafundësi.
Pastaj poetja thotë:
“Kjo s’është legjendë as histori
por një baladë shkruar me diell.”
Kjo është një ndërhyrje e zgjuar. Legjenda do të kërkonte besim, historia dëshmi; balada kërkon përjetim. Ndërsa dielli i jep kësaj pamjeje ngjyrën e një kujtese që nuk pranon të zbehet.
Por vargu që më duket se e hap më shumë poezinë është:
“Unë i kam pare, isha aty…”
Jo “kam dëgjuar”. Jo “më kanë treguar”. “Isha aty.”
Këtu poeti bëhet dëshmitar i të pamundurës.
Dhe tri pikat në fund janë të rëndësishme. Poetja nuk e mbyll derën pas vetes. Na lë përpara një pyetjeje: ku është ai “aty”? Në një breg të vërtetë? Në kujtesë? Në ëndërr? Apo në atë vend të çuditshëm ku poezia e bën të besueshme edhe atë që realiteti nuk do ta pranonte?

3.“Era jonë” – dhoma ku sendet kanë shpirt

Me “Era jonë” ndryshon temperatura e ciklit. Terri largohet. Përplasja e deteve qetësohet. Hyjmë në një hapësirë intime:
“Ajo përherë shikon nga rruga
dhe ëndërron të lozë me erën”
Nuk dimë shumë për këtë “ajo”. Dhe ndoshta është më mirë kështu. Mjafton që ajo shikon nga rruga. Në këtë shikim ka pritje, dëshirë, një lloj padurimi të butë.
Në këtë frymë postromantike, natyra nuk është peizazh i varur pas figurës njerëzore; ajo bëhet bashkëbiseduese e saj.
Pastaj shfaqet libri:
“ndërsa një libër gjysmë i hapur
Rrëfen pareshtur për pranverën.”
“Gjysmë i hapur” është një detaj i vogël, por ka peshë. Një libër i mbyllur nuk premton asgjë. Një libër i hapur e ka nisur rrëfimin. Ky është vetëm gjysmë i hapur. Edhe jeta që sugjeron poezia duket e tillë: diçka ka filluar, por ende nuk është treguar.
Pranvera, pra, nuk është vetëm stinë. Është një premtim.
Dhe pastaj poezia arrin te dy vargjet e saj më të bukura:
“Dritarja flet me yjet larg.
Perdja një tango nis me erën.”
Këtu Flor-i nuk ka nevojë të shtojë asgjë. Dritarja bëhet gojë. Yjet bëhen dëgjues.

Timo Mërkuri