Robert Martiko
Rreth një tregimi të shkrimtarit Dr. Eduard Skufit
Vlera e këtij rrëfimi qëndron, para së gjithash, në rikthimin e një mikrohistorie të rinisë tiranase të viteve ’70. “Broduej” nuk shfaqet thjesht si një segment trotuari, por si një hapësirë simbolike ku një brez përpiqej të krijonte territorin e vet të lirisë: përmes librave, muzikës, teatrit, miqësisë, humorit, veshjes dhe ëndrrave për një botë tjetër.
Pikërisht këtu kujtesa personale fiton një kuptim më të gjerë. Përballë një realiteti të mbikëqyrur, ku shfaqen bunkeri, përgjuesi dhe frika nga devijimi, qëndron një rini që kërkon të jetojë normalisht. Beatles, Celentano, librat që kalojnë dorë më dorë, koncertet, “xhirua” dhe bisedat mes miqsh bëhen forma të vogla të autonomisë shpirtërore. Jo heroizëm në kuptimin monumental të fjalës, por rezistencë e përditshme ndaj varfërimit gjithnjë e më shumë të jetës.
Edhe figura groteske e “majmunit të Dr. Mokinit” merr kështu një domethënie përtej episodit: ajo përfaqëson imitimin, konformizmin, njeriun që humb individualitetin duke iu përshtatur mekanizmit të kohës. Përballë tij qëndron grupi i të rinjve që, me të gjitha kufizimet e veta, kërkon të ndërtojë një identitet kulturor dhe njerëzor.
Prandaj pjesa më e çmuar e shkrimit mbetet dëshmia e autorit. Detaje të vogla: një libër i ndaluar, një paketë “Papastratos”, një këngë e Beatles nën çadra, një koncert i Llukë Kaçajt, një tufë trëndafilash e lënë në Broduej pas diplomimit, arrijnë të ruajnë atmosferën e një kohe më mirë se çdo përkufizim i përgjithshëm për të.
Në këtë kuptim, Broduei tiranas bëhet metafora e një brezi: një copëz e vogël hapësire ku, në një shoqëri që kërkonte të përcaktonte edhe horizontin e ëndrrave, të rinjtë vazhdonin të ushtronin të drejtën më elementare dhe njëkohësisht më të vështirë, të imagjinonin një jetë tjetër.
Përtej asaj që autori përshkruan me mjaft ndjenjë, do të shtoja se historia i dha kësaj metafore edhe një paradoks të vetin. Shumë prej atyre që e frekuentonin Broduein, që admironin muzikën, modën, librat dhe lirinë e një bote përtej kufijve, pas rënies së diktaturës mbetën, në forma të ndryshme, trashëgimtarë të bindjeve dhe të skemave mendore të botës së vjetër.
Sepse mund të jetë më e lehtë të kapërcesh një kufi politik sesa kufirin që një epokë ka ngritur brenda mendjes. Kështu, Broduei mbetet jo vetëm kujtimi i dëshirës për liri, por edhe dëshmia e një paradoksi njerëzor: njeriu mund të ëndërrojë një botë tjetër shumë kohë përpara se të jetë në gjendje të çlirohet nga bota që vazhdon të mbajë brenda vetes.
