XHELAL MARKU – STUDIUES, GAZETAR, SHKRIMTAR DHE PUBLICIST I SHQUAR
Nga: OLIMBI DAFA
Është kënaqësi për mua, që në librin tim ”YJET NË SHKËLQIM”, të kem një figurë të ndritur, një zë të fuqishëm të Medias Kombëtare, të mirënjohurin Akademik Xhelal Marku, i cili me punën e tij profesionale katërdekadëshe, ka ndërthurur thesare brilante vlerash. Ai është një personalitet i shquar dhe dinjitoz i Medias dhe Shtypit, i cili në gjithë karrierën e punës së tij shumë të suksesshme, diti me zgjuarësi dhe mençuri të ruaj ekuilibrin, midis gazetarisë dhe ëndrrave të tij, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me krijimtarinë e tij të dobishme dhe cilësore, në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Dhe, para se të niste rrugëtimin e tij në profesionin e bukur e të guximshëm të gazetarisë, Xhelal Marku ka njohur mirë Kodin e këtij profesioni, që është: Betimi për të qënë përherë i vërtetë, i saktë dhe i paanshëm në pasqyrimin me korrektësi të realitetit, duke i qëndruar vazhdimisht besnik, doktrinës së tij publicistike. Ndaj ai, ka qenë këmbëngulës dhe gjithnjë në lartësinë e detyrës, për t`i parë e verifikuar gjërat dhe fenomenet nga afër. Dhe për të arritur këtë qëllim, Xhelal Marku zhytej thellë në rrahjen e fuqishme të pulsit të jetës dhe sillte në fokus tematikat e kohës, duke i përpunuar ato mjeshtërisht në laboratorin e shpirtit dhe të mendjes të tij, për t’na sjellë me zgjuarësi e mençuri, esencën e informacionit të dobishëm dhe me interes publik. Pra, ishin temat e zgjedhura, vizionet plot fantazi dhe ide të qarta, që ai i përcillte me dashuri në opinion, duke e bërë lajmin konkret, të gjallë e të vërtetë. Shkrimet e tij ishin një skaner i realitetit, ku publikohej fryma novatore dhe përvoja e përparuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, kulturës, sportit, shkencës, shëndetsisë e arsimit. Dhe kësisoj, Xhelali ishte një penë e veçantë dhe mjeshtër në profesionin e gazetarisë, i përkushtuar dhe i sakrificës, inteleligjent dhe me një gjykim të mprehtë, në hedhjen dritë mbi çdo gjë, a fenomen që konstatonte, të cilën e bënte lajm dhe ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve me interes publik.
Të jeshè i ndjeshëm është një mënyrë e dobishme, për të pasur kontrollin e kohës dhe hapësirës në jetë. Jo vetëm t’ju përshtatesh më shumë ndodhive, por mbi të gjitha t’i shërbesh sa më shumë dhe dinjitetshëm kombit. Ky është dhe qëllimi i gazetarisë dhe misioni i një gazetari profesionit, që të ndikojë me kulturën, estetikën e gjuhës së bukur, të mendimit të lirë në edukimin e mendimit të përkryer në tërësi. Dhe pikërisht këtë mision, Akademik Xhelal Marku e ka kryer më së miri…! Le të kemi parasysh këtu dhe faktin tjetër, që ka dhe të tillë gazetar(ucë) dhe Gazeta, që janë dezinformues dhe shtrembërues të fakteve, duke krijuar kësisoji, një mjegull çoroditëse e të dëmshme për shoqërinë, që u shërben vetëm thashethemxhinjëve dhe bosmenëve koprracë.
Dihet që gazetarët janë specialistët më të paguar, që kapin dhe trajtojnë problemet që ka shoqëria njerëzore, rreth të cilave ndezen dhe debate në opinionin publik, të cilat kontribuojnë në lavazhin e trurit të njeriut, por sjellin dhe zgjidhje të dobishme dhe efektive, kur ato trajtohen paanësishist dhe me argumenta bindës.
***
Xhelal Marku lindi më 26 mars të vitit 1949 në fshatin Kraj – Rec të rrethit të Dibrës. Shkollën fillore ai e mbaroi në fshatin e tij të lindjes me rezultate të shkëlqyera, ndërsa shkollën 7 vjeçare e mbaroi në fshatin Zall-Reç, që ishte katër orë larg, vajtje e ardhje në ditë, pasi në fshatin e tij, në Kraj-Reç, në atë kohë, nuk kishte shkollë 7 vjeçare. E megjithatë, ai edhe shkollën 7 vjeçare e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht, këto rezultate të larta në mësime, i mundësuan Xhelal Markut, vazhdimin e shkollës së mesme, si konviktor në Gjimnazin “Demir Gashi” në Peshkopi. Pas mbarimit të gjimnazit me rezultate shumë të mira, në vitet 1966-1968, Xhelali do të vazhdonte studimet e larta në Fakultetin Histori- Filologji, dega Gjuhë – Letersi Shqipe, në vitet 1968-1972, ku u diplomua me titullin: “Mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat e mesme”. Pas diplomimit, në janar të vitit 1973, ai emërohet mësues i letërsisë në Shkollën e Mesme “Bardhok Biba”të qytetit të Rrëshenit, ku punoi deri më 16 dhjetor të vitit 1974. Edhe pse ishte një kohë e shkurtër, ajo e mësuesisë, Xhelal Marku shënoi rezultate të larta në punën e tij si mësues letërsie në këtë shkollë. Ai u largua nga puna e mësuesisë, që e deshi aq shumë, për të cilën kishte investuar 16 vite shkollim të pandërprerë, pasi e përzgjodhi Radiotelevizioni Shqiptar, për të qënë gazetar i këtij institucioni mediatik kombëtar, fillimisht për rrethet Mirditë e Pukë. Puna e tij në RTSH, e bëri Xhelal Markun një nga gazetarët më të suksesshëm, ku spikati me profesionalizmin e tij për gati tre dekada me radhë, duke marrë edhe titullin: “Gazetar i Kategorisë së Parë” në vitin 1988. Ndaj ka të drejtë ai, ta quaj Radiotelevizionin Shqiptar, një universitet të dytë për të, që i dha titullin gazetar.
Autori Fran Lleshi, i cili shkruajti librin monografik për Xhelalin, vlerësoi atë si pionierin e parë të gazetarëve televizivë për Mirditën, Pukën dhe Matin. Në RTSH ai ka qenë jo vetëm gazetar e skenarist, por dhe regjisor dhe kameraman i përsosur, që xhironte në frontet më të vështira të vendit, si: në miniera, në uzinat e shkrirjes, në fabrikat e pasurimit të mineraleve, tek gjeollogët, barinjtë, e kudo tjetër. E ku nuk ka shkelur këmbë e këtij njeriu, duke u frymëzuar nga mendimi novator në praktikën e punës së tij krijuese.
Xhelal Marku rrjedh nga një familje patriotike, që nderohej dhe respektohej nga të gjithë në Dibër. Vëllai i gjyshit të tij, Selman Marku, ka rënë dëshmor në betejën e përgjakshme antiturke të vitit 1910 në vendin e quajtur Pëllume të fshatit Kraj-Reç. Ndërsa i pari i fisit të tij Sul Marku, ka qënë Komandant i Lëvizjes Antiturke në krahinën e Reçit – Mal i Parë i Dibrës.
Gazetari Xhelal Marku vlerësohet lart jo vetëm në profesionin e gazetarisë, por edhe në punën si mësues i shkëlqyer në gjimnaz, për përkushtimin, aftësitë, nivelin e mësimdhënies e të figurës e tij, që meritonte respekt nga të gjithë ! Në marrëdhëniet me nxënësit, ai e shfaqi veten jo vetëm si një mësues i dashur, por edhe si një prind, që kujdesej shumë për mbarëvajtjen e tyre në mësime.
Ja si shprehet Pjeter Doda, ish Shefi i Arsimit dhe Kulturës në Mirditë: “Xhelali – ish mësuesi im i shkëlqyer i gjimnazit, i donte dhe i respektonte nxënësit e tij. Ai bënte një punë të diferencuar me nxënësit dhe nxënëset e talentuara, duke i angazhuar ata/ato në veprimtaritë letrare dhe recitalet. Kësisoji ai krijoi rrethin e aktorëve amatorë, të cilët luajtën në disa veprimtari lokale të fjalës artistike, ku morën dhe çmime e medalje. Edhe në punën si gazetar i RTSH-së, thotë Pjetri, Xhelal Marku ka dhënë shumë nga vlerat e tij profesionale, duke sakrifikuar shumë, pasi terreni në Mirditë, ka qënë i vështirë. Me punën e tij të përkushtuar, ai ka krijuar një arkiv të mrekullueshëm dhe njihet si themelues i arkivit të RTSH-së për Mirditën, pasi ishte i pari gazetar terreni dhe nuk pati më një të dytë, që ta vazhdonte punën e tij.
Ndërsa Ndue Dedaj, shkrimtar, kulturolog, i cili ka qenë dhe nxënës i Xhelalit në gjimnaz, shprehet: “Xhelal Marku është reporteri, që me kamerën e TVSH-së në sup, la gjurmë dhe bëri emër në historinë e medias kombëtare…”! Dhe më tej, Ai e zbërthen deri në detaje figurën e mësuesit të tij Xhelal Marku, duke vlerësuar meritat e tij, jo vetëm si mësues, por edhe si gazetar në Mirditë dhe rrethe të tjerë të vendit, ku punoi.
Gjovalin Ndoja, shkrimtar, poet, e ka quajtur gazetarin Xhelal Marku: “Lajmëtari i bjeshkëve të lira”. I saktë, korrekt në punë, i urtë, i komunikushëm dhe i respektueshëm nga të gjithë, që për nga ecejaket, sakrificat, përkushtimi, profesionalizmi dhe oratoria e ka portretizuar atë si Bajron të shekullit XX-të e të XXI-të, që me pasionin e një vëzhguesi të imtë i “Ultratingujve“, që lëshonte zemra e mirditasve dhe “Valëve”, që mjeshtërisht e meritonte mendja e tyre e hollë”.
Në vlerësimin e saj për gazetarin Xhelal Marku, Marjana Sulejmani shprehet:
“Xhelal Marku është një personalitet i spikatur i medias Kombëtare Shqiptare”.
Ndërsa autori i librit monografik Fran Lleshi, shprehet: “Xhelali krahas suksesit në media dhe shtyp, po aq i suksesshëm është edhe në fushën e botimeve. Në vitin 2010, ai botoi librin e parë kombëtar për turizmin në Shqipëri me titull: “TURIZMI SHQIPTAR”, që është i pari libër i plot i këtij lloji tek ne, që i parapriu zhvillimit të industrisë turistike në vendin tonë”! Dhe për këtë arsye, thotë z. Lleshi, Xhelal Marku ka marrë shumë vlerësime edhe nga disa analistë e shkrimtarë të tjerë, poetë të njohur. Me këtë libër, ai afirmoi edhe aftësitë e tij profesionale si specialist i i lartë i turizmit, në Agjensinë Kombëtare të Turizmit, pranë ish Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku punoi në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, nga viti 2010-2013. Xhelali edhe aty shpalosi vlerat e punës së tij, ku gjithë potencialin e kësaj pune të madhe, voluminoze e vlerësuese, e pasqyroi në librin e tij “Turizmi Shqiptar”, i cili është një libër shumë i dobishëm dhe i rëndësishëm për kombin tonë, ku autori me një punë të kujdesshme, ju tregon lexuesve për historikun e turizmit, për resurset turistike, për traditat, për menaxhimin ndryshe të kësaj industrie të fuqishme të vendit, mbi bazën e zbatimit të politikave e të teknollogjive të reja kombetare, në përshtatje me kërkesat e tregut turistik botëror. Pra, është një libër, që duhet lexuar nga të gjithë, sepse z. Xhelal ka bërë një punë shumë të kujdesshme dhe me nivel, duke na e dhënë të plotë zhvillimin e turizmit dhe duke e pasqyruar atë edhe me foto mjaft të bukura, të cilat kur i shikojmë krenohemi me këto pamje mbresëlënëse të vendit tonë!
Intelektuali me karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale, e vlerëson gazetarin Xhelal Marku, shkrimtari Halil Rama – Mjeshtër i Madh, që shkruan me shumë konsideratë dhe respekt për punën e tij në Mirditë, Pukë, Lezhë, Mat, Kurbin dhe Krujë në librin monografik të Fran Lleshit të titulluar: “Xhelal Marku – Gazetari Akademik me Penë e Kamera” . .
Gjithashtu, bukur e ka zbërthyer në këtë libër, figurën e Xhelal Markut edhe Zef N. Brozi, ish Deputet dhe ish Kryetar i Gjykatës së Lartë: “Ai ka kontribuar në fushën e artit dhe të kulturës dhe dallohet për prezencën aktive dhe profesionale në median e shkruar”. Ai është një publicist i fjalës, i besës, i traditës, i mençurisë. Xhelali nuk mund të rri pa shkruar, sepse jeta është një kopsht me lule, të cilin ai e ka gërmuar për t’i marrë vlerat dhe ka fituar shumë përvojë, ndaj një mendje e ushqyer mirë, ka seç të shkruaj. Ai ka dy libra në duar që do t’i nxjerrë së shpejti…”
Xhelali ka marrë shumë vlerësime dhe dekorime, si :
1. “Urdhërin Naim Frashëri” në vitin 1988.
2. “Çmimi i parë” për “Reportazhin” në vitin 2008
3. Dy çertifikata “Mirënjohje” nga ish Bashkia Rëshen në vitin 2009 dhe nga ish Bashkia Peshkopi në vitin 2014.
4. “Qytetar Nderi” i ish Komunës Reç të Dibrës”, në vitin 2014.
5. “Nderi i Qarkut Dibër” në vitin 2017.
6. Si dhe titullin e lartë: “Akademik”, të akorduar nga Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve e Nju Jorkut, AAAS, New York, në vitin 2021.
Pra, ai është një model për të gjithë ata, që mund të mësojnë nga përvoja e punës së tij. Ai meriton shumë për atë ç’ka dhënë dhe vazhdon të japë, sepse mendimet e tij, kanë shumë dritë dhe diell. Ai mbështetet si referim për brezat e ndershëm në faktorët: dije, punë dhe djersë.
Autori i këtij libri Fran Lleshi, e vlerëson gazetarin akademik Xhelal Marku, si pionerin e parë të gazetarisë televizive, për Mirditën, Pukën dhe Matin në RTSH, i cili sillte për publikun emocionalitete të punës së tij krijuese, me shumë art e shije artistike, përmend se si shpaloseshin arritjet, trasformimet, mendimet kreative dhe shkencore, bota e pasur shpirtërore me epikën dhe poetikën e larmishme të asaj kohe.
Xhelali shkruan, se adhuron aromën e bojës e të letrës. Ai ka një mendje të ndritur dhe me një penë të rrallë dhe elegante, që vezullon në rrezen e zjarrit të diellit, për mendimin e kthjelltë, që e derdh mbi kartë. Shkrimet e tij, reportazhet, flasin shumë, sepse ai ka ditur t’i qëndisë ato me fijet e shpirtit, që është prezent në qënien e tij, dhe unë e ndjej derdhjen e tij. Këto shkrime bashkëndjejnë dhe përçojnë mesazhe të vyera, që të frymëzojnë brezat. Bravo Xhelal Marku, për mendjen e ndritur që ke dhe për dritën e mendimit, që ke derdhur e derdh akoma edhe sot, në botimet tuaja ! Ndaj ne, krenohemi për atë mendje që ke dhe shprehim respekt për atë që je ! Kur lexon Xhelal Markun, mëson se ai është mjeshtër i fjalës artistike dhe luan me të, si oqeani me valën dhe ka aftësi ta bëjë jetën të ndritur me dijen, që ndriçon jetën me rreze dashurie ! Ai shkruan jo thjeshtë për të treguar histori, por për të ndërtuar histori me fjalën e bukur artistike ! Ndaj pena e tij është vlerë !
Vlerat e publicistit, gazetarit dhe studiuesit të spikatur të medias kombëtare shqiptare nuk humbasin, sepse ato janë aty brenda në këtë libër. Të gjithë miqtë e tij do kenë në biblotekë librin e tij. E, në bibliotekë ecet pas dritës. Po, pas dritës së gjallë. Aty, qelizat embrionale krijuese, tek ky shkrimtar, kanë hedhur rrënjë të thella. Vlera e biblotekës është pasuria më e madhe. Në sytë e tij, unë shikoj fuqinë e shpirtit dhe dritën e sinqertë. Ai ka një mision fisnik me vlera, sepse ka derdhur botën e tij shpirtërore, që e ka të pastër e të pasur. Madje, tek ai spikat durimi e ndershmëria, si dhe guximi për të luftuar veset negative të shoqërisë si: gënjeshtrat, dyfytyrësitë, xhelozitë e çdo padrejtësi, që ka ndeshur në jetë. Dhe për këtë, ai ndjehet shumë krenar, sepse me ndikimin e tij, ka fituar besimin qytetar në zgjidhjen e disa problemeve me interes publik, duke arritur pikësynimin në misionin e tij, si gazetar profesionist. Gjithashtu në shkrimet e tij, Xhelal Marku ka përkrahur e mbështetur edhe vlerat e paçmuara shoqërore, siç janë: familja, dashuria njerëzore dhe miqësia.
Xhelali është dhe një njeri fisnik. Fisnikëria e tij dallohet në marrëdhëniet e tij me shokët e miqtë. Duket tek dashuria, respekti dhe miqësia, që ai ka rreth vetes, ku vlerësimi i tyre është larg egoizmit dhe urrejtjes. Këto janë virtyte të larta, që Xhelali i ka trashëguar nga familja dhe prindërit. Miqësia është privilegj. Ajo u ngjanë librave të vjetër, që koha u jep shumë vlerë. Lum kush e vlerëson dhe e mbanë të pastër miqësinë ! Ndaj, veprimtaria e tij çmohet dhe vlerësohet dhe ka marrë vemendje të veçantë, nga të gjithë lexuesit që e komentojnë. Një vlerësim shumë pozitiv ka shprehur për veprimtarinë e tij dhe njeriu i letrave, shkrimtari, poeti, eseisti, romancieri, kritiku, teologu dhe dramaturgu, Zekerija Idrizi. Ai është duke shkruar edhe një libër të veçantë monografik për jetën dhe veprën e Akademikut Xhelal Marku.
Kujtimet janë copëza nga jeta jonë, që lënë gjurmë në kujtesë dhe mbeten si një thesar në memorien dhe kujtohen vayhdimisht me shumë nostalgji.
A ka më bukur, se sa fakti që atë (Xhelal Markun), e vlerësojnë edhe poetët e këngëtarët, midis të cilëve autori përmend poetin mirditor Gjok Beci- Mjeshtër i Madh, poet i Kombit, poezi të cilën ai e ka titulluar : “Një jetë në media”.
Ja disa vargje:
Mirsevjen i tha Mirdita !
Mësuesit të shkollës “Bardhok Biba”,
Që për dy vjet brezave të ri,
U dhurove dije e mirësi…!
Në RTSH, ku të mençmit rendin,
Një Krajreças e zen vendin,
Me fjalë të zgjedhur e lidh jetën,
Nderon Dibrën, nderon veten.
Kur s’mjafton ç’ka thotë ekrani,
Penën merr kameramani,
Reportazhet nis me radhë,
Gazetar i klasit të parë.
Në një poezi tjetër, është poeti dibran Mevlud Buci, që shkruan për gazetarin Xhelal Marku. Titulli i saj është:
LUM C’KA RRIT NANA REÇIANE
Xhelal Marku – xhevair,
Por si shqipja, që kap renë,
Të dha mësim Shaban Demiri,
Mahir Domi me Kadarenë.
Të kujton gjithmonë Rrësheni,
Të nderojnë brezat, e gjith’ veriu
Zanin tand ka nigjue veni,
Jetë të gjatë Xhelal Aliu !
Za i kthjelltë e penëartë,
Tri dekada në Mirditë,
Emrin tand e ngrite lart,
Anë e kand në Republikë.
Arti e puna në RTSH,
Janë vertetë dëshmi thesari,
Të dha emër e të dhe zë,
Xhelal Marku – gazetari.
Nëpërmjet kësaj poezie, autori Mevlud Buci, nxjerr, në pah historinë dhe kontributin e familjes së Xhelal Markut, por dhe vlerat e krijimtarisë së këtij personazhi të njohur e publik.
Artisti gjithmonë mbetet artist, sepse inteligjenca dhe kultura janë indetiteti origjinal i gjuhës së bukur, që e shoqëron si një pashaportë ngado që të shkojë, tërheq publikun me një dinamizëm shpirtëror dhe kjo është një meritë, që jo çdokush e përvetëson kaq bukur e kaq thekshëm.
Fjalët e Xhelal Markut kanë vërtetësi, kanë shpirt, kanë art nxitës, frymëzim, rrëfim konciz, narracion të gjallë e korrekt dhe mjaft shprehës ! Ndër projektet e tjera të punës së tij krijuese janë edhe punët vijuese:
Përgatitja për botim e një libri me përmbledhje nga puna e tij publicistike ndër vite, përgatitja dhe promovimi i një dekumentari të metrazhit të gjatë për vendlindjen e tij, për të cilin ai po punon prej katër-pesë vitesh, si dhe një libër të ri me portrete, skica e monografi kushtuar figurave më të njohura të Dibrës dhe Mirditës.
Redaktori Albert Zholi, i cili i ka bërë një zbërthim kaq cilësor dhe të detajuar, e mbyll monografinë me një urim të thjeshtë:
“Faleminderit Xhelal Marku për punën tuaj të palodhshme dhe për historitë, që ju keni arkivuar në krijimtarinë tuaj shumëvjeçare në media dhe në shtyp! Ju jeni një frymë e fuqishme e fjalës së lirë dhe shpresojmë, që pasionin tuaj për lajmin e mirë dhe të saktë, do ta ndani me ne dhe për shume vite të tjera në të ardhmen ! Dhe në fund me urimin: Ju paçim shëndetmirë e jetëgjatë, por dhe në të tjera suksese në vazhdim të krijimtarisë tuaj!”
Ja pra ky është Xhelal Marku, për të cilin nuk mjafton kjo faqe virtuale e facebookut, për të pasqyruar gjithë veprimtarinë e tij produktive e të një niveli mjaft cilësor. Respekte pa kufij figurës dhe veprës së tij kapitale !
