Tri poezi-Nikollë Loka

Nikollë Loka

Larg dhe afër

I hedh sytë në botën rreth, shikimi ikën…

kalon horizontet shtatë herë rresht,

kalon orbitën…

dhe humb në një univers të paqartë,

të ujtë e të ajrtë…

e përshkon galaktikën…

Veç para pasqyrës kthehet në sy,

si qelq i thyer,

me veten mallëngjyer.

Në pasqyrë çdo ditë,

njeriu sheh imtësitë,

ca thinja e ndonjë rrudhë më tepër,

që e bëjnë më fisnik,

të urtë e më të vjetër.

Dhe e ndal ikjen,

e nis një udhëtim brenda vetes,

universit që zgjerohet,

në shtigje të reja drejt njohjes…

Çdo ditë e më i qartë,

çdo ditë me veten më i paqtë.

A të mori rrjedha?…

Si lindi rrjedha,

kush ta njoftoi ardhjen e saj,

si të mori me të mirë në prehër

e djela,

si iku e të la,

a thua të rrëmbeu parandjenja,

e të nxori te një breg,

te një va,

a të çoj në vise të reja,

ku zbret e zbret…

hijen ta djeg rrufeja,

kush e ndjeu, kush e pa!

Në të përpjeta,

kush të mbështeti,

kush të tërhoqi pas veti,

te një valë deti.

Nëpër ujëvara,

kush t’i hodhi sytë e të pa!

A të rrëmbeu jeta,

e në vende të shkreta,

të mori a të la!

Gjysma po, gjysma jo,

gjysma iu shtua detit,

e tjetra mbeti ndër dallgë,

por nuk iku larg,

deri te një breg,

te një va.

Trazohet vjeshta

Duke ecur fle ujë në rrjedhë të qetë,

pa shtrojë, pa mbulojë, pa nënkresë,

dhe rrëshqet

krejt lehtë,

e s’e ndjen kur e rrëmben dallga e parë,

në një va,

ku thyhet një zemër e qelqtë.

Padurimi shtohet prej bregut në breg,

kur largësia me detin shkurtohet,

dhe dallga që e merr nuk kuptohet,

ku ishte,

nga erdh,

ku u derdh,

e kur prej gjumit zgjohet,

zbret në një ujëvarë,

ku çlodhen sy ëndrrmitarë,

thellësi hijetinash të mbetura në breg,

me të kaltrën që nxihet ngadalë.

Trazohet vjeshta,

e djeshmja

krijon natyrë të qetë,

në pritjen për një herë të dytë,

e në vrullin e saj prej ujë,

i hapen sytë.