Qëndrim në pritje-Vullnet Mato

Vullnet Mato
QËNDRIM NË PRITJE
 
Kam qëndruar, para ballit tënd të lëmuar,
si para mbretëreshës së Egjiptit të lashtë,
pres çastin e volitshëm, për t’u afruar,
të flasim shpirtërisht, pak minuta bashkë
 
Kam qëndruar në skaj të syrit të shkruar,
si pikë loti ndalur, në çastin e gëzimit,
qerpikun tënd, ta bëj të lëngëzuar,
ta kthesh më lehtë tek unë, vështrimin;

 

Kam qëndruar, në cep të buzëve të tua,
si një tulipan i mbirë, ndanë greminës,
pres të thuash “Po!”, vetëm për mua,
pa më flakur nga shtjekat e buzëve tinëz;

 

Kam qëndruar nën harkun e vetullës tënde,
duke pritur majën e mprehtë të shigjetës,
ta tërheqësh harkun, në të vetullës kënde,
të më prekë zemrën, me dashurinë e zemrës;

 

Kam qëndruar në portat e zemrës bujare,
të jem sa më pranë, çdo ritmi dhe zëri,
ku pres çastin e ftesës përfundimtare,
kur ti, të më kërkosh, të jem i yti i tëri;
 
Kam qëndruar, para piramidave të gjoksit,
me dy devetë e syve, ngarkuar me merak,
duke shpresuar, që si Nefertiti, për Keopsin,
të më përjetësosh në gjoks, deri në sarkofag.