Po ti, kush je? – Jam poet!Gezim Llojdia

Gezim Llojdia

1.

Ka poetë që bota i harron ndërsa janë ende gjallë, dhe poetë që bota i zbulon vetëm pasi kanë ikur. Miliano Stefa i përkiste kategorisë së dytë një zë që u shua nga faqet e librave në vitet ’80, jo me dekret, por me heshtjen e ftohtë të një sistemi që nuk kishte vend për poezinë e tij. Në 79-vjetorin e largimit nga kjo botë, rikthehemi te fjalët e tij, te kujtimet e një jete të shkruar mes Gjirokastrës së gurtë, Tiranës së censurës dhe teatrove të provincës, ku çdo dramë e re duhej të kalonte nëpër sitën e “këshillave artistikë” pa asnjë lidhje me artin.

Kjo është historia e një poeti që humbi gjithçka Lidhjen e Shkrimtarëve, botimet, zërin publik për të mos humbur veten. Dhe që, pas 28 vjetësh heshtjeje të detyruar, u kthye me 10.000 vargje të mbajtura gjallë në fshehtësi, si diamante të nxjerra nga minierat e errëta të një shpirti që s’u dorëzua kurre.

2.

Miliano Stefa, një zë i bekuar i poezisë sonë, u zhduk nga raftet e librarive aty nga fillimi i viteve ’80. Për të nuk pati kurrë ndonjë dekret zyrtar apo të fshehtë thjesht orët u ngurosën. Njeriu i mësuar me gjuhën e poezisë, me fjalët e bukurisë hyjnore, e parandjeu vetë se po vinin ditë të errëta.Dhe shenjat e kohës tregonin qartë se dera e shtëpisë së vetme botuese do t’i mbyllej, dhe se për poezinë e tij nuk do të kishte më vend. Redaktorët e asaj kohe, të lodhur e të pashpirt, nuk e “kapërdinin” lehtë atë që shkruante.

Koha, ndonjëherë, sillet pa mëshirë me poetët.

Në perëndim i quajnë “të marrosur” ata që rrinë gjithë kohën pas fletëve, të hutuar në botën e tyre , një lloj i veçantë njerëzish. Sepse i fuqishëm është potenciali shpirtëror i poetit, dhe e fuqishme është pjella e tij shpirtërore, poezia, aq sa shpesh quhet produkt i frymës hyjnore.Në oborrin e krijuesve, poezia është lulja erëmirë që nxjerr polenin e artë. Era e ka çuar këtë polen nga lindja në perëndim herë me erëra jugore të bardha, herë me shtegtarë të hutuar që në fakt ishin vetë të shenjtët e ndërlikuar që sot i quajmë thjesht “poetë”.

3.

Miliano Stefa, 79 vjeç, iku nga bota e të dukshmëve. Por shpirti i tij vazhdon të shkojë e të vijë nga ajo strehë e fundit. Si gurët e rrallë të smeraldit, që shkëlqejnë në errësirë, drita e këtij poeti ndriçoi vende që, të mbuluara nga mjegulla, e jetonin jetën me shpirtin në terr.

“Minierat e shpirtit prodhojnë diamante të rralla.”

4.

Mbaj mend se më zgjodhi mua për t’i shkruar jetën. Më priste çdo ditë tek lokali “Le Petit”, pranë portit ulur në karrige, duke shfletuar ndonjë libër. E kujtoj në atë ngrysje të tij mistike, me vështrimin e thellë, dorën e djathtë të zgjatur me pesë gishtat hapur. Çfarë deshifronte kështu? Një shprehje mistike.Ky është poeti i dukshëm portreti i tij fizik i derdhur në kujtesë. Është poeti i gjallë siç ishte dikur.Dhe përtej peshës dhe muzgut, shfaqej i papërballueshëm me muzën e shpirtit të tij. Por këtu, në këtë kujtim, ai është i fiksuar përgjithmonë. Kohët na e kanë sjellë këtë portret si një rikujtim të përhershëm.

Njerëzit e këtushëm, brezat, si vdekatarë të zakonshëm që janë, kanë vdekur dhe janë harruar. Ndërkaq poeti rron dhe do të rrojë deri në historinë e fundit të kësaj toke.

3.

Intervista e bërë 3 vjet më parë me Miliano Stefën.

“Kam lindur në Varosh, në një ditë të shënuar 16 gusht 1933. Në Manastirin e Zvërnecit, kjo ditë shënohet si ngjarje në çdo kalendar, në çdo stinë vere.Banesa ku linda ishte dy kate e lartë, ishte banesa e Irfan Shukës një banesë që, ndonëse kohët e kanë lënë të vajtueshme, ende qëndron. Aty ku sot është kapelja, ishte shtëpia jonë, dy kate me gurë, e vjetër 250 vjet. Në katin e parë ishin dyqanet.Një dyqan ishte rrobaqepësi, tjetri fotograf dhe i fundit pastiçeri.

Prindërit… mbaj mend se im atë ishte shkolluar tek gjimnazi “Zosimea”, ku mësuan edhe frashëriotët. Ime më kishte bërë shkollë italiane. Në atë ngrehinë qëndruam gjatë periudhës 1933-1944.

…Një ditë, atje mbërritën me dy makina të zeza motrat e Zogut —Senie, Mexhide dhe Ruhije të veshura ushtarakisht. I priti poeti dhe kryetari i bashkisë, Ali Asllani. U ndalën tek Sheshi i Flamurit.

Im atë, Panajoti, kishte miqësi me Ali Asllanin, Harilla Kucullin, Jani Mingën dhe Xhevdet Kofinën.

Tri klasat e para i bëra italisht do të thoni ju, po ku? aty në Muradie, tek banka që shkruhej “Banca di Napoli”.

Me ndihmën e patriotit të njohur Jani Minga dhe mësuesit kuçjot Mustafa Luci, babai mësoi shqip, dhe nëna madje punoi edhe si mësuese. Im atë ka qenë fanolist .

Por çfarë dua të them: im atë luftonte në Manastirin e Ardenicës, ndërsa vëllai tjetër ishte në krahun e Zogut.

Kur u takuan, e pyetën njëri-tjetrin:

-Ku ishe ti? Përgjigjja: Tek manastiri.’

-Po ti?’

-Edhe unë, ndonëse kundërshtarë, njëri godiste me mitraloz e tjetri hidhte ujë për ta ftohur mitralozin.”

5.

Si ranë në kontakt me poezinë dhe, më qartësisht, përse zgjodhët të futeshit në letrat shqipe?

“Qyteti ynë detar ka emra të mëdhenj në fushën e letrave. Gjurmë të thella ndoshta një brazdë e ka hapur në thellësi Petro Marko. Im atë e kishte mik. Ai njeri i jashtëzakonshëm, shkrimtar i madh, më thërriste ‘poet’, për çudi për mua, ndonëse unë botoja në vitet ’50 në të gjitha gazetat e kohës. Petro Markon e zbulova kur shkrova poemën ‘Një ngjarje në gjimnaz’.”

Çfarë do të thotë pikërisht kjo ngjarje, në qytetin e Gjirokastrës?

“Përpara ardhjes së mëngjesit të shumëpritur për shkollim, hipa në një autobus të vjetër. Në dorë mbaja një valixhe druri, veshur me luks. Kur mbrita tek dyert e konviktit, një farë A.V. më pa shtrembër.

-Unë kam ardhur për studime,- i thashë.

Mesazhi i tij: Ke ardhur si një cjap i lëpirë. Ke këpucë me shollë këtu ka me opinga.

-Unë do të bëj terbiet -më tha.

Në qytetin e gurit zhvilloheshin zgjedhjet. Javën e parë nuk më kapën, por javën e dytë, nxënësit që kishin ardhur nga mali mbanin ende pistoletat në brez. U bë një mbledhje, ata thërrisnin: “Kriminelët në litar!

Një shok imi, N. Kokalari, më tha: “Këta do të të shqyejnë. Por pas teje është një deriçkë dil prej andej, dhe valixhen e ke tek sopati i Qadhimajve.'”

5.

Kadareja

“Ika… Në të vërtetë, dhe kjo ikje shënoi një ndryshim në kohën time. Atje, në atë gjimnaz, njoha Kadarenë, sepse Agolli pritej të nisej jashtë. Njohja me Kadarenë më ka befasuar.

Ismaili ishte i njohur, sapo kishte botuar :”Frymëzime djaloshare”. Ai ishte diku në vitin e dytë, unë në maturë. Isha në parvaz kur pashë Ismailin duke lexuar një libër kimie. I thashë:

-Çfarë po mëson?’

Ai m’u përgjigj: Ja, këto formulat e shpifura.

-Po ti kush je? Më pyeti. I tregova emrin.

Me Kadarenë kemi folur për letërsinë e rilindjes ai e njihte mirë. Flisnim edhe për letërsinë e viteve ’30. ai e njihte mirë, por nuk kishte ndonjë konsideratë të veçantë për të. Na lindi pikërisht atëherë ideja për të bërë një letërsi të re, moderne.

Kadare vishej pastër. Mbante një xhaketë, këpucë të bukura. Nuk mbante kravatë, ndërsa unë mbaja. Ishte mospërfillës ndaj gjithkujt. Kur pimë një herë kafe në Gjirokastër, më tha: “Shënoje në ditarin tënd, se ke pirë një kafe me njeriun më të madh të kombit.”

Kadare e ndjente veten absolut.Mësuesit e donin shumë. Shokët e ngacmonin se ishte i dobët dhe fizikisht i pafavorizuar. Flokët nuk i krihte asnjëherë. Ismaili buronte poezi. Shoqërohej me Agim Shehun dhe Bekim Harxhin, por më tepër qëndronte i vetmuar.

Kur ishte i vogël, kishte bërë një mulli për të bluar kallëzat e grurit, në oborrin e shtëpisë. Nga çdo dy pjesë miell që sillnin fshatarët, ai mbante një pjesë. Kjo, thotë duke qeshur, i solli nofkën “millonai” dhe besoj se prej andej lindën edhe këngët për ‘millonain’, si dhe poema “Ëndërrime’.”

Këtu, poeti Stefa mbyll një kapitull nga guaska e rëndë e harresës.Ai kapitull I qytetit të gurtë, kur iku në mëngjesin e parë. E përcolli deri në Memaliaj një kamion qymyri, ndërsa shoferi nuk i mori parat, por i tha: “Shko lahu, se je bërë si arap .Dhe priti derisa erdhi korrierja, për të zbritur në qytetin e tij, buzë detit.

6.

Shkuat në universitet, por atëherë çfarë ndodhi me poetin?

“Shkova në universitet për veterinari. Universiteti gjendej diku aty në Laprakë, ku deri në vitet 1990 ishte edhe shkolla e partisë. Atje gjeta njeriun e mirë A. Xoxa, vëllai i shkrimtarit Jakov Xoxa. Jakovi ishte kthyer nga jashte dhe ishte vendosur tek “Fleta letrare”.

Në vitin 1959 botova poemën :”Ushtarët”. Për këtë poemë mora medaljen e artë “Naim Frashëri”, klasi i parë, dhënë nga Qendra e Ushtrisë. Ndonëse isha në vitin e tretë të veterinarisë, fillova nga e para, vitin e parë, për letërsi. Me financat që më dha poema, bleva kostum, këpucë, kravatë dhe qera për tre muaj. Rreth fillimit të viteve 1960 përfundova shkollën.

7.

Rastësisht në konferencën e Tiranës.

“Në konferencën e Tiranës hyra rastësisht, si korrespondent i jashtëm i “Luftëtarit“. Aty dëgjova çfarë ishte kulti i individit dhe si e shtypi Enver Hoxha .Nga figurat që tashmë njihen, më shfaqet përpara Xhemal Broja, drejtori i Teatrit të Shtetit, që u ngrit kundër. Kur erdhi Enver Hoxha, gojët u kyçën, u ndje një lloj mpirjeje. Të gjithë u tulaten.”

8.

Në Zagor të Shkodrës

“Shkolla në Zagor ishte fillore. Më vonë më transferuan si mësues gjimnazi në Patos. Jepja letërsi në vitin e parë të gjimnazit të sapo krijuar. Atje, në atë qytet që ende quhet Patos, vinin ende gazetat ruse si :”Komsomolskaja Pravda”, “Pravda”, “Literaturnaja Gazeta”, “Ogonjok” nëpërmjet këtij shtypi mësuam idetë e Hrushovit.

Sekretar i naftës ishte djali i Riza Cerovës. Një ditë, më kujtohet, më tha: ‘Mos e mprih penën, se do të vesh në atë uniformë të burgut.Nuk ishte ekstremist më dha dhomë, radio, kolltuk. Shkruaja nëpër gazetat e Tiranës.

Mund të quhet kthim, pas dy vjetësh, në qytetin tim, pas një mërgimi nëpër shkollime e punësime, nga veriu në qendrën e naftës.

Më kanë pyetur më njihnin si dramaturg teatri. Asnjëherë nuk kam punuar si rrogëtar i thjeshtë. Mësues ishte profesioni im, deri në daljen në pension, tek shkolla „Jani Minga.”

9.

Konflikti me kritikët e poezisë

…Në hapësirat që lejoheshin, poezia nuk mund të ecte. Në një kuptim më të qartë, e kisha të vështirë të çaja rrugë. Kisha ndihmën e një njeriu brilant si Jakov Xoxa, por konfliktohesha vazhdimisht me Razi Brahimin.

Në vitin 1960 isha anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, me një kontribut prej 3 librash me poezi dhe një drame. Gradualisht, dramat e mia filluan të viheshin në skenat e teatrove profesionistë në Vlorë, Fier, Durrës, Korçë, Elbasan.

Me një bilanc të tillë, unë, M. Stefa, kam 16 drama në teatrot profesionistë. Dhjetëra drama të tjera u shkruan dhe u vunë në skenat e teatrove amatorë, që i kishte çdo ndërmarrje.

Si lindi konflikti? Nga ftohtësia e akullt e këshillit artistik aspak profesionist, por mediokër dhe jashtë çdo standardi. Asgjë nuk i lidhte anëtarët e tij me dramën dhe artin e të shkruarit dramaturgjik. Në Vlorë, këshilli artistik që vendoste për dramat dhe pjesët e skenës përbëhej nga: një punëtor i fabrikës së çimentos, marangozi i teatrit, kryetari i Bashkimit Profesional të teatrit drejtori i teatrit, sekretari i partisë ardhur si aktor nga lëvizja amatore.

Konflikti plasi kur dramën „Vëllezërit“ ma quajtën me „gabime ideore“. E çova këtë dramë në teatrin e Elbasanit, i cili e vuri menjëherë në skenë dhe, çuditërisht, pati sukses të madh. Ndërkohë, Ministria e Arsimit e bllokoi, dhe pas një muaji u rilejua, pas një sërë ngjarjesh tepër qesharake, ndalimesh e lejimesh. Më në fund, edhe teatri i Vlorës e vuri në skenë.

Në vitin 1980, libri „Nëse gdhend varg“ u ndalua në shtypshkronjë përmbante rreth 200 faqe poezi. Në atë kohë kërkova, në një farë mënyre, ‘divorcin’ me autoritetet e regjimit një vetë-përjashtim. Kisha lënë pas copëra mendimesh, copëra mashtrimi, zhgënjim pa masë, në shpirtin tim, gjithçka ishte në copëra.

Shkova në Lidhjen e Shkrimtarëve. Në katin e parë ishin ulur Dritëroi, Dalan Shapllo, KekoNë prani të tyre, i thashë Dritëroit: Me dëshirën time, largohem nga Lidhja e Shkrimtarëve, duke dorëzuar triskën, lejet krijuese, etj. Ndërhyri Dalani: Po dale, ta shikojmë këtë punë.’Ndërsa A tha: Do të ikë, le të ikë, në punë të vet.

Humba të gjitha lidhjet, ngriva të gjitha marrëdhëniet. Nga viti 1980 deri në 2008 nuk botova asnjë shkronjë.

Në vitin 2008, gjithë prurjen malin me poezi dhe krejt krijimtarinë time e botova në 12 vëllime. Kolana quhet :”Shtrati i Prokrustit”, me 10.000 vargje poezie.

Kur më pyesin nëse u ndëshkova për vetë-përjashtimin tim sigurisht që jo, ndonëse poezinë time e fshehëm mirë, që të mos gjendej deri në vitet ’90. Një pjesë e stivosa në shpirt, tjetrën e fsheha nëpër ndonjë vend kolltukësh, që të mos zbulohej sepse frika punonte më shumë se kushdo…

ripublikim.