Poezia të bën gjethe, të bën perëndi, të bën borë, por të ftohtë nuk ke ti-Intervistoi Marin Kelmendi

Intervistoi Marin Kelmendi

BISEDË KREJT E RASTËSISHME, SA SPONTANE, ME POETEN, ESTETISTEN E STILISTEN, PROZATOREN E MODERATOREN, ANILA KODRA-

POEZIA TË BËN GJETHE, TË BËN PERËNDI, TË BËN BORË, POR TË FTOHTË NUK KE TI.

Dhe, njeriu as vetë nuk e di të jetë bërë një figurë trigenometrike në gjeometrinë e vet, për të matur jo tokën, po skajet e paana të arteve, prandaj para botës ndjehet e ndihet si poete, e kap të bukurën si estetiste dhe i rrëfen me fjalë më të gjata sesa vargjet si eseiste: Anila Kodra,

– Kadare na ka mësuar të matin këto skaje. Të mos kemi frikë, kur e dëgjojmë të thotë se pas çdo fjale duhet të shpërthejë nga një minë. Prandaj poezia është e rrezikshme. Ama të vret bukur.

– Përse të kemi frikë nga poezia? Ajo është këngëzimi më i bukur që njeh njerëzia. Është frymë që ndodh, pa frymë të lë shpesh me atë minë. Të hedh edhe lart mbi re. Të bën valë e ti bregun lehtë lëdhaton. Në çast në dallgë të kthen. S’di sa ballë rihter i kalon. Të bën borë dhe ftohtë nuk ke. Si perëndi ndihesh, edhe pse nuk je. Të bën si gjethe, që mezi pret pranverë të vijë. Dhe, vesa e mëngjesit si magji aty të rrijë. Pandaj, poezia shpesh të kthen në kohën, në vitet, kur ishe pa u rritur mirë, ende i njomë.

Përse, vallë, përse t’i frikësohemi asaj që vjen ëmbël, e brishtë si lule e parë në maj. Asaj që me fjalë shpirti i shkruan dashurisë, dashurisë që veç paqe i sjell njerëzisë. Kush call u tremb nga një varg a strofë pasioni? Askush. Ju siguroj dhe më besoni, ndonëse poezia vjen si valë, si zjarr e kthehet në vullkan. Lum kush di të shkruajë. Shpirtin ka oqean.

– Kuptoj se poezinë nuk e ndan nga dashuria, as dashurinë nga poezia.

(I shkon pak buza në gaz. Vazhdon të përgjigjet, pa humbur serioziteti e bisedës.)

– I kam të shenjta dhe të shtrenjta. Janë frymë. Janë jetë. Janë magji të dyja. Ose, së paku, për mua janë të tilla.

Shumë herë, dhe sidomos kur fillova të hidhja poezi para shumë vitesh në fb, më vunë dhe një epitet, poetja e dashurisë.

– E kuptoj se duke folur për dashurinë, na zë nata. Megjithatë, na thuaj: Në vëllimet tuaja poetiké, ku ke më shumë dashuri?

(E di në gjumë, prandaj tregon pa menduar fare, duke i lexuar në heshtje titujt e librave të vet poetikë “Duke pritur”, “Dua…”, “Përtej limitit”…)

– Dashuria është thjesht një fjalë me gjashtë germa, por ajo, si ndjenjë, është shumëdimensionale. Çdo dashuri në zemrën tonë krijon një dhomëz të veten. Secila ka peshën dhe ndjesinë e saj, sepse dhe dashuritë ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ajo për prindërit, ajo për fëmijët, ajo për bashkëshortin, për natyrën, për kafshët, etj. –

Të tre vëllimet e mia poetike, dashuria është në plan të parë. Sepse, unë jam ngjizur nga dashuria e madhe e dy njerëzve që e donin shumë njëri-tjetrin. Jam rritur me po aq shumë dashuri. Dhe më mësuan të fal dashuri. Kam dashuruar dhe ende dashuroj.

Opsionet për të dashur janë të shumta. Dashuri është edhe ajo për katërputrakët. Edhe për një lule.

– Poetja Anila, ju sikur po ndërtoni mitin e dashurisë!

(Shikon në një skaj plot dritë, sikur të kërkojë përgjigjen prej andej.)

– Dashurinë gjithkush duhet ta kuptoj si një mit. Sepse, ajo në vetvete ka mitin e të krijuarit të jetës, të evoluimit të saj, të progresit dhe të zhvillimit. Dashuria është mit. Në sajë të saj janë krijuar mijëra legjenda.

– Po vëni shenja barazimi ndërmjet dashurisë dhe jetës.

(Në fytyrë i shpërfaqet një klimë miratimi, duke dashur të thotë se ja na e solle edhe një mit tjetër.)

– Nuk vë unë, por ato i vënë njëra-tjetrës. Jeta është gjithçka, në të cilën ndodh gjithçka. Ajo është një arsenal dashurish. Ashtu siç është edhe arsenal i ndodhive që i presim ose jo. Nëse kjo pyetje vjen për mua si individ, si poete, do të thosha: Jeta për mua është dhurata më e bukur që më kanë bërë prindërit e mi dhe Zoti, dhuratë që nuk mund të më vijë kurrë dy herë. Dhe, si të tillë, dua ta jetoj dhe ta gëzoj me gjithçka. Ajo më sjell çdo ditë. Çdo ditë timen e jetoj si të jetë e fundit dhe mundohem ta shtrydh dhe mushtin e saj ta pij deri në fund.

Edhe diçka. Ajo që dua dhe mundohem ta bëj, është se dua të mbetem gjatë në mendjen e njerëzve, kur të mos jem, se isha njeri i mirë. Dhe, mos të thonë me hipokrizi se ishte njeri i mirë, mes botës dhe i rrethuar prej njerëzve.

– Një njeri i mençur njëherë më la pa mend, kur e pyeta për vdekjen. Tha, pa menduar fare: Jam i zënë me jetën, prandaj nuk kam kohë të përgjigjem. Po Anila? Po poetja?

(Rri pa pa folur gjë. Të shkon një e dridhur se si do të përgjigjet.)

– Anila disa herë ka kalëruar mbi vdekjen me kalin e shpresës. Disa herë edhe kur ajo iu avit, vërtet nuk kishte kohë, mundësi, dëshirë për t’u marrë me të. Ishte shumë, po shumë herë më e nadhe sesa koha që më duhej për të qenë pranë fëmijëve, të cilët po rriteshin me shumë sakrifica. Ende edhe sot nuk kam kohë të mendoj për vdekjen, sepse duhet të shkruaj për gjithçka që Anila ka kaluar në jetë. Janë të shumta planet në këtë fushë.

Kam përpara vetes libra për fëmijë, fabula, tregime, thënie të ndryshme, qindra poezi.

– Jeta nuk është ajo që arrijmë ta shpjegojmë, por ajo që arrijmë ta ndiejmë përpara se të ikë, apo jo?

(Kujtohet të gjejë një thënie të saj të urtë, nga ato që po i bën gati për shtyp.)

– Jeta është ajo që kurrë nuk mund ta parashikojmë. Asnjëherë nuk mund të bëjmë llogari se çka na sjell dita nesër. Ndaj them që jetoj sikur të jetë dita e fundit, sot. Një poezi imja thotë: Ne jemi anije dhe varka në një det pa fund. Jemi si një lëvozhgë arre në të madhin det, etj. Për mua, jeta është ajo që më bën të lumtur. Edhe për këtë kam shkruar një poezi.

– Më lart keni thënë një mendim, sa interesant, sa të pamundur: Dëshiroj të më rrethojë bota dhe njerëzit!

(E ka përgjigjen në buzë.)

– Është e vërtetë. Dua gjithçka që më rrethon dhe çdo gjë rreth meje të më inspirojë që të shkruaj. Qoftë kjo dhe një zukatje blete, ose një cicërimë zogu. Ajo që dua dhe kërkoj nga bota është se dua paqe. Dhe nga njerëzit dua të falin dashuri, të jenë tolerantë, të jenë bashkëpunëtorë, të mirëkuptohen me njëri-tjetrin dhe të jenë sa më humanë. Kjo do të ishte rruga drejt paqes në botë. Ka shumë që duhet të jenë një Ago Jakup, që të gjejnë këtë rrugë të Zotit e të robit!

– Mbiemri yt më kujton mitin e Sizifit. Ai kishte gurin, ju fjalën. Të dy kodrën. Cili do të pushtoni kodrën me peshat tuaja, tek i torolloni deri në majë?

(Mendon thellë se ku dua të dal me këtë pyetje. Ama nuk e vonon përgjigjen.)

– Çdo gjë bëhet me durim, me sakrificë dhe me një vizion për të ecur përpara. Unë mendoj se përqendrimi tek ajo që kam si objektiv, që është durimi për të mos u kthyer pas, por dhe forca, bashkëngjitur me shpresën, do të sjellin mundësinë për të shkuar deri në majë. Jeta është një labirint, ku shpesh edhe e humbasim rrugën. E rëndësishme është që në çdo fund kthese të ketë rrugë për të ecur përpara. Shpesh na bëhet se jemi në mes të një tuneli dhe duket sikur fund nuk ka. Shpresa bën që hapat të mos i ndalim, deri sa të shohim një dritë të vogël në fund të tij.

– Anila nuk është vetëm poete. Tri profesionet tuaja të tjera janë stiliste, estetiste dhe moderatore.

– Çfarë koincidence: Dy kuadro të të njëjtit profesion nisin një intervistë pa ditur gjë njëri për tjetrin. Kanë thënë se rasti ështe mbreti i botës.

-Ja një rast i jeuar nga unë: Udhëtoja nga Prishtina për Tiranë, pas një aktiviteti atje. Në autobus, në sedilje të krahut tim, ishte ulur një çift. Mua më ra telefoni. Tek flisja, burri dëgjoi zërin.

Në sekondë, më pyeti: Mos je Anila Kodra ti, moderatorja e Radio – Lyrës?

Ktheva kokën. E pashë. Ishte i panjohur për mua. Më fal, i thashë, nuk ju njoh, edhe pse ju ma dini emrin.

Në sy të të shoqes u duk një shprehje habie! Me vete tha: Ku e njeh ky?

Por, burri ja behu në çast dhe tha: Ti vërtet nuk më njeh mua, por ty dhe diksionin tënd nga valët e radios e njeh gjithë bota, kudo ku ka shqiptarë. Ti dhe emisioni “Poezia në Rafio – Lyra me Anila Kodrën” dëgjoheni kudo.

Ishte vërtet një nga rastësitë më të bukura për mua.

– Vërtet, e tëra ishte e papritur ose DUKE PRITUR, si titulli i një libri tënd. Gjërat e rralla kanë supriza. Suprizat e poetët janë një, apo jo?

– Pooo! Ma kujtove. Ishte kohë që vetë nuk e bëja dot dhe vetëm prisja momentin: Të botoja librin e parë. Shoqet, duke parë dëshirën time, i vunë atë titull dhe e botuan me poezi nga fb im.

– Një pasion i përbashkët na kthen prapë në fillim: Tek ajo perëndia që ka emrin poezi. Çfarë bëhet me të? Vërtet, çfarë bëjmë me të?

– Do të ishte fat i madh për këtë perëndi, që thua ti, që gjithkush të arrijë ta perceptojë këtë: Janë shtuar shumë ata e ato që shkruajnë, por jo të gjithë dhe jo të gjitha janë poete, janë poetë.

Një shoku im poet thotë i dëshpëruar , se poezia sot, sidomos, është bërë si heqlat, I mbath kush del i pari nga shtëpia . A ka të drejtë?

-Edhe vetë poezia, si gjithçka tjetër, po kalon një nga krizat më të mëdha të saj. Dikush shkruan një bejte dhe thotë jam poet. Një tjetër bën plagjiaturë dhe i japin diplomë, një tjetër merr pjesë në një aktivitet si dëgjues dhe po ashtu mburret me hiçgjë.-

Ka shumë të drejtë.

-(Nuk e zgjat më shumë, sikur dëshiron që pyetjen time ta bëjë pjesë të përgjigjes së vet, edhe më të ashpër, edhe më ironike. Dhe, papritur bëhet amvise, t’i bëjë gati darkën familjes së saj.)

– Po Shqipëria? Ajo dhe revolucioni, sot, janë bërë sinonime. Ne afër tyre dhe brenda tyre flasim. Kemi edhe fjalën, edhe gurin. A jemi një popull sizif?

– Një popull që e do lirinë, e cila na është kufizuar kohët të fundit, por që e do tokën, vendin dhe rrnjët e tij, gjithmonë do të protestojë dhe do të ngrihet në revoltë. Frika përballë kësaj vale popullore, është frikë fizike, ndryshe nga frika e poezisë dhe e fjalës. Por, kur bëhen të dyja bashkë, atëherë e kupton se se gjërat nuk janë mirë.

Asgjë nuk është e pamundur, kur e kërkon një popull i tërë. Nuk ka barriera që e ndalin një popull. Nuk ka frikë që e gjunjëzon.

INTERVISTOI MARIN KELMENDI.