Vullnet Mato

Kisha vendosur, i përbetuar,
të mos përdor, asnjë lloj pije,
ta kisha trurin, burim të kulluar,
vetëm për vargje poezie…
të mos përdor, asnjë lloj pije,
ta kisha trurin, burim të kulluar,
vetëm për vargje poezie…
Por një vjelëse rrushi, qafëgjatë,
zbritur nga vreshtat në korije,
më solli mbi tryezë, një natë,
verë të ëmbël, ngjyrë qershie.
Në fillim, nuk pranova të pi,
t’i qëndroja betimit të burrit.
Por ajo, me frymën e saj, veri,
papandehur, më ngriu trurin;
Lëshoi mbi tryezë, një mjegull,
nga gjethe të ngrohta gushti,
m’u ngjit pas trupit, si pjergull,
më mbuloi, me bistakë rrushi.
Më dha gotën e buzëve të saj,
ku pikoi verë të bardhë gjiri,
më ndezi zjarr në trup, pastaj,
më verboi, me vetëtima syri;
Pasi më zbuti buzët e thara,
më përgjumi, qepallat e syve,
duke u përdredhur, porsi ngjala,
na rrokullisi në mëkat, të dyve…
Tani ma bën “bromp!” përherë
duke më thënë: “Kështu të dua,
të zbrazësh gotat plot me verë,
të më puthësh me zjarr, mua!;
Ç’të duhen vargjet që shkruan,
të hash, me lugë floriri bosh?
Vera ime, tërë ëndrrat t’i shuan,
realitetin e parajsës, të jetosh!…”
Vrava mendjen, një copë herë,
të nxirrja poezinë nga shpirti?
apo sorkadhen, me atë verë?…
Eh, kot mendova, prej saj të iki;
Ajo me zemrën, fole kanarine,
ma ka marrë zemrën time në gjoks
dhe sado i lutem, me përgjërime
nga gjoksi i saj, s’po e nxjerr dot…
Tani më deh, me verë të kuqe rrushi,
kujtesën me avuj pareshtur, ma godet.
Pastaj me dridhma, më pjek si prushi,
ndoshta, të harroj edhe se jam poet…
kujtesën me avuj pareshtur, ma godet.
Pastaj me dridhma, më pjek si prushi,
ndoshta, të harroj edhe se jam poet…