
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Shkolla e Ramicës dhe mësuesi i parë
Historia e arsimit në Ramicë është pjesë e historisë së përpjekjeve të banorëve të Smokthinës për gjuhën shqipe, dijen dhe kulturën. Që në vitin 1903, në Ramicë mbërriti Abetarja shqipe, e dërguar nga Hamit Lumi për Zaçe Xhelon, me porosinë: “Këtë Evëtare që po të çonj përdori ndër miq për të lëçitur shqip.” Në vitin 1906, Xhafer Drashovica u mësonte alfabetin shqip të rinjve të Ramicës.
Pas Shpalljes së Pavarësisë, arsimi shqip mori një zhvillim të ri. Shkolla e parë në Smokthinë u hap në Matogjin, në tetor 1913, me mësues Halim Xhelon. Më pas u hapën shkolla në Bashaj dhe, më 16 shtator 1918, edhe në Ramicë.
Veliko Sarçaj – mësuesi i parë i Ramicës
Veliko Jaçe Sarçaj, i lindur në Ramicë më 1898, pasi kishte ndjekur arsimin në Korfuz, u kthye në vendlindje dhe, me përpjekjen e Halim Xhelos dhe patriotëve ramiciotë, hapi shkollën shqipe të fshatit.
I frymëzuar nga idetë atdhetare të Rilindjes, ai iu përkushtua edukimit të fëmijëve. Ishte aktiv në shoqatat “Mbrojtja shkollore” dhe “Bashkimi”, mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 dhe në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas përplasjeve politike të kohës mbeti pa punë dhe u nda nga jeta në Ramicë, në vitin 1926, në moshë të re.
Ish-nxënësi i tij, Mevlan Dervishaj, e kujtonte si një mësues të përgatitur, me shkrim të bukur e të pastër dhe me një dashuri të veçantë për gjuhën shqipe e flamurin kombëtar.
Shkolla e parë u zhvillua fillimisht në shtëpinë e Hyso Sulejmanit, më pas në shtëpitë e Alush Manxharit, Bilbil Veshit e në mjedise të tjera. Klasa e parë kishte 16 nxënës, katër prej tyre vajza.
Nga ndërprerjet te rihapja e shkollës
Në vitet 1919–1926 shkolla funksionoi me ndërprerje. Në vitin 1920 u mbyll nga pushtuesit italianë, ndërsa në vitin 1926 u mbyll përsëri nga qeveria e kohës. Edhe gjatë viteve pa shkollë, dëshira për të mësuar shqip nuk u shua. Mësues Sadik Çobani vinte fshehurazi për t’u mësuar fëmijëve shkronjat shqipe.
Në vitet 1932–1940 në Ramicë nuk pati shkollë. Megjithatë, një brez i ri arsimdashësish vazhdoi studimet dhe ndër ta përmenden Bako Dervishaj, Sadik Zotaj, Reshat Agaj, Petref Agaj, Pajo Islami, Lavdosh Zaçe, Vilson Zotaj dhe Shyqo Ajazi.
Në shtator 1941 shkolla fillore u rihap në shtëpinë e Selim Tartarit, me mësues Avdyl Q. Haskon. Një vit më pas mësimi u ndërpre për shkak të veprimeve luftarake në zonë.
Arsimi në vitet e Luftës dhe pas Çlirimit
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Ramica u bë një nga qendrat e rëndësishme të veprimtarisë politike, ushtarake dhe shëndetësore të zonës. Këtu patën selinë struktura të rëndësishme të Luftës dhe prej Ramicës u nisën delegatët e Qarkut të Vlorës për në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944.
Në shtator 1944 u rihap shkolla fillore me 41 nxënës dhe një mësues. Pas Çlirimit, mësuesi i parë ishte Besim Feim Xhebraj, nga Vranishti. Më pas erdhën Çezar Mjeda nga Shkodra, Zini Avdyli nga Çamëria, Bahollët nga Elbasani etj. Në shtator 1945 u hapën edhe kurse kundër analfabetizmit. Në Ramicë, Verbas dhe Lumë morën pjesë 38 burra e gra, ndër të cilët 23 gra.
Reforma arsimore e vitit 1946 e gjeti Smokthinën me katër shkolla fillore dhe me një numër të konsiderueshëm nxënësish e kursantësh kundër analfabetizmit.
Shkolla 7-vjeçare “Sadik Zotaj”
Një etapë e rëndësishme ishte 1 shtatori 1951, kur në Ramicë u hap shkolla 7-vjeçare “Sadik Zotaj”. Në të mësonin nxënës nga Ramica, Matogjini, Bashaj, Velça dhe Mesapliku.
Në fund të vitit shkollor 1953–1954 përfundoi kontingjenti i parë. 16 nxënës morën dëftesën e lirimit; 14 vazhduan shkollën e mesme dhe 6 prej tyre përfunduan arsimin e lartë. Ndër ta u formuan kuadro të rëndësishëm si inxhinierët Abaz Ceka, Agron Deliaj, Merko Liçaj e Nebi Kokaj, oficeri Myrte Canaj dhe mësuesi Bejto Dulaj.
Në vitet ’60 shkolla kaloi në sistemin 8-vjeçar dhe vijoi të përmirësonte procesin mësimor, kabinetet dhe veprimtaritë edukative. Në vitet 1967–1969 këtu studioi edhe Abedin Lame, kampion i Shqipërisë në mundje dhe “Mjeshtër i Sportit”.
Shkollë e mesme bujqësore
Më 1 shtator 1970 në Ramicë u hap shkolla e mesme bujqësore pa shkëputje nga puna, me degën e agronomisë. Në vitin shkollor 1973–1974 ajo kishte 50 nxënës dhe 13 maturantë përfunduan studimet, duke marrë dëftesën e pjekurisë.
Për punën e saj në edukimin e brezit të ri, shkolla 8-vjeçare “Sadik Zotaj” u dekorua me Urdhrin “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore”, Klasi III, me dekretin nr. 5279, datë 28 shkurt 1975.
Një shekull mësuesish dhe përkushtimi
Në drejtimin dhe zhvillimin e shkollës kanë dhënë kontribut shumë mësues e drejtues, ndër ta Pëllumb Kikino, Leonidha Polo, Muharrem Duro, Dasho Mato Matodashaj, Fuat Tare Kokallaj, Dane Alem Hoxhaj, Lefter Velo Malaj, Safet Jakup Malaj, Shpend Hasan Curraj, Arsen Muharrem Kokallaj, Sihat Zigur Veshaj, Shezo Balili, Fatjona Godaj dhe Kozeta M. Murataj, si dhe shumë mësues të tjerë.
Ata nuk ishin vetëm mësues të një shkolle. Ishin edukatorë të brezave dhe kontribues në formimin kulturor e qytetar të gjithë zonës.
Nga Abetarja e vitit 1903 te shkolla e sotme, historia e arsimit në Ramicë është histori e dashurisë për dijen, gjuhën shqipe dhe vendlindjen.
Nderim dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit që, në më shumë se një shekull, ndezën dhe mbajtën gjallë dritën e dijes në Ramicë!
Gëzuar vitin e ri mësimor 2026–2027!