Nuk iu dha fjala përfaqësuesit të OVP të LANÇ-it, një veprim përçarës dhe i pajustifikueshëm

Albert Z. ZHOLI
16 Shtatori i Pezës nuk është një datë e zakonshme në kalendarin e përkujtimoreve. Është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Konferenca historike e vitit 1942. Pikërisht për këtë, mënyra se si u organizua përkujtimi i saj këtë vit ngre pikëpyetje serioze. Drejtuesit e pushtetit vendor që organizuan ceremoninë në Pezë nuk i dhanë fjalën përfaqësuesit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it “Nderi i Kombit”. Kjo nuk mund të konsiderohet thjesht një harresë. Është një veprim që, në rrethanat e një ceremonie kushtuar historisë së LANÇ-it, tingëllon si një qëndrim përjashtues dhe përçarës ndaj një organizate që prej dekadash mbart, ruan dhe përcjell kujtesën e kësaj lufte. Nëse pushteti vendor kujtohet për Pezën vetëm një herë në vit, OVP e LANÇ-it kujtohet për LANÇ-in çdo ditë. Ajo është në Vermosh e Konispol, në Korçë e Vlorë, në Lushnjë, Pukë e Shkodër, kudo ku përkujtohen dëshmorët, heronjtë dhe ngjarjet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Veteranët dhe pasardhësit e tyre marrin pjesë në ceremoni, nderojnë lapidarët e monumentet, kujtojnë betejat dhe luftimet, si dhe historinë e krijimit të çetave, batalioneve e brigadave.
Pezën nuk e kujtojnë vetëm më 16 Shtator.
Historikisht, në ceremonitë e Pezës, përfaqësuesi i OVP të LANÇ-it ka pasur vendin e tij dhe, sipas traditës së këtyre veprimtarive, ka qenë ndër zërat kryesorë që ka përcjellë mesazhin e veteranëve dhe të pasardhësve. Kjo për shkak se OVP e LANÇ-it është një nga organizatat që mban gjallë kujtesën historike të Luftës dhe përpiqet ta përcjellë atë te brezat e rinj. Atëherë, pse këtë vit përfaqësuesit të saj iu mohua fjala? Kush kishte frikë nga fjala e OVP të LANÇ-it? Kush i nxiti dhe pse pas 84-vitesh?! Kjo është pyetja që duhet t’u bëhet organizatorëve. Harresa nuk është e arsyeshme. Sidomos kur bëhet fjalë për një ceremoni përkujtimore që lidhet drejtpërdrejt me historinë e LANÇ-it dhe me emrat, sakrificat e veprën e atyre që luftuan. OVP e LANÇ-it “Nderi i Kombit” ka mijëra veteranë dhe pasardhës të angazhuar në veprimtari përkujtimore e atdhetare në të gjithë vendin. Ata nuk dalin vetëm në ditë ceremonish. Punojnë gjatë gjithë vitit për ruajtjen e kujtesës historike, për nderimin e dëshmorëve dhe heronjve dhe për ndërgjegjësimin e brezave të rinj. Edhe “Kushtrim Brezash”, gazeta e OVP të LANÇ-it, e ka në qendër të misionit të saj ruajtjen dhe përcjelljen ndër breza të kujtesës, vlerave dhe kontributit të LANÇ-it. Në faqet e saj, në mënyrë të vazhdueshme, trajtohen historia e Pezës, Myslim Peza, Çeta e Pezës, dëshmorët dhe heronjtë e saj. Është një gazetë me një tirazh prej mbi 5 mijë kopjesh, që i kushton një hapësirë të rëndësishme historisë, kujtesës kombëtare dhe veprimtarisë së veteranëve.
Por, me sa duket, drejtuesit vendorë të Pezës nuk e lexojnë.
Ose, më keq akoma, mund të mos duan ta dëgjojnë zërin që përcjell ajo. Sepse OVP e LANÇ-it nuk hesht për çështjet kombëtare. Nuk hesht kur cenohet kujtesa historike. Nuk hesht për korrupsionin, padrejtësitë apo dukuritë që dëmtojnë interesin publik. Dhe kërkon një Shqipëri ku historia të respektohet, atdhetaria të mos konsiderohet si një fjalë e vjetër dhe sakrifica e brezave të mos harrohet. Të përjashtosh nga fjala përfaqësuesin e OVP të LANÇ-it në Pezë nuk e ndryshon historinë e Pezës. Nuk e zvogëlon rolin e Myslim Pezës. Nuk i fshin emrat e dëshmorëve. Nuk e zbeh sakrificën e atyre që luftuan. Dhe nuk mund ta mbyllë zërin e veteranëve dhe pasardhësve. Përkundrazi, një veprim i tillë hap një debat të panevojshëm dhe krijon një ndarje aty ku duhet të kishte bashkim.
Pezën duhet ta bashkojë historia, jo ta ndajë politika e ditës.
Prandaj, drejtuesit vendorë që organizuan ceremoninë e 16 Shtatorit duhet të japin një shpjegim publik: Pse nuk iu dha fjala përfaqësuesit të OVP të LANÇ-it? Për një organizatë që e ka kthyer kujtesën e LANÇ-it në një mision të përditshëm, heshtja nuk është përgjigje. Pezë, 16 Shtator 2026 – historia meriton respekt, ndërsa veteranët meritojnë të dëgjohen.