Namik Selmani
Fletorja e vjetër
Ajo është aty
si një stacion i dashur, i largët.
që ti nuk e ke parë prej shumë vitesh.
Syri i menduar nga shiu i kohës laget
të bën të hapësh vetë një lulishte.
Në ato fletë hap portën e nostalgjisë
Sa dhimbje e emocion më zgjohen me nxitim!
Dora më dridhet
loti në faqe më rrokulliset
Fjala
më bëhet diell në rrëzëllimë
Dhe duart shfletojnë fletët
e fjalët e brishta lexojmë.
E ngrihen ujëvara
nga ato që të lagin deri në palcë.
Sikur gjerdanë floriri të më vënë në dorë
jo, nuk e ndërroj me asgjë, në asnjë çast.
Të tjera fletore radhiten në sirtarë.
Me ngjyra e pa ngjyra
Me ngjyrën e grurit të mbetur në fushë.
Po unë
ku, ku jam?
Në brigje jete vazhdoj të thërras
E dora dridhet
E dua të heq nga udha e jetës ferra e gurë.
