Kur perëndon jeta-Ariel Bella

Kur perëndon jeta
Perëndimet janë gjithmonë kaq të trishtueshme
në momente kur takohet jeta jote,
e shgarravitur nga një dorë e pastërvitur
për të pikturuar,
me muzgun që bie lehtë mbi tokë.
• • •
Dhe ti shikon ngjyrat
që treten ngadalë
në një të verdhë
që sa vjen e bëhet e zezë.
Drita largohet pa bërë zhurmë,
këmbëzbathur shkel mbi errësirë
dhe tretë në të.
Por një pyetje s’të ndahet nga vetja:
sa herë e ke lënë diellin
të perëndojë brenda teje
pa bërë asgjë?
• • •
E shpreson se ndoshta e nesërmja
do të sjellë një mëngjes
me një dritë të re
mbi të njëjtën pikturë,
dhe ajo dorë e pastërvitur
do të provojë
të pikturojë përsëri jetën.
Ariel Bella —