Dashuria – si uragan mitologjik-Nga Margarit Done

DASHURIA – SI URAGAN MITOLOGJIK

(Mbi triptikun poetik “Tre bulëza dashurie” të autorit Kujtim N.Mullai.)

Në dukje janë “tre bulëza dashurie”, por në fakt, per mendimin tim kemi përballë një triptik mitologjik, që shkund “themelet” e zemrës njerëzore ashtu siç dikur perënditë trondisnin Olimpin. Poeti i përshkruan me pathos këto bulëza, por ato nuk janë pika të lehta mbi “detin” e jetës, ato janë “uragane” ndjenjash, që shpërthejnë si energji hyjnore.

—- Në pjesën e parë, grindjet e dashurisë nuk shihen si plagë, por si ritual i Erosit. Ashtu si Afërdita shkëlqente mbi dallgët, edhe dashuria shfaqet si forcë lëvizëse. Grindjet dhe mosmarrëveshjet janë stuhitë e saj të vogla, që forcojnë lidhjen, e ringjallin zjarrin, e bëjnë zemrën të rrahë më fort. Kjo është “aleksia” e jetës, terapia e shpirtit që vetëm dashuria mund ta japë.
—- Në pjesën e dytë, skena bëhet mitike.Vullkani, simbol i Hefestit të hekurt e të pamëshirshëm, i krenohet dashurisë me fuqinë e tij shkatërruese. Por dashuria, hyjnesha Afërditë, nuk e sfidon, përkundrazi e fton në gjirin e saj:
—– “futu brenda meje, unë të jap freski”.
Ky është kulmi i fuqisë së saj: dashuria nuk mposht duke thyer, por duke shkrirë zjarrin në dritë.
Ajo e shndërron dhunën e vullkanit në frymëzim, e bën shkatërrimin krijim. Ashtu si dikur Afërdita zbuti Aresin e egër, edhe këtu dashuria i jep një tjetër kuptim forcës së verbër të natyrës.
—- Në pjesën e tretë, toni bëhet personal, rrëfyes. Urrejtja, si hijet e Erinitëve (perëndesha të hakmarrjes), mund të përballohet, sepse ajo forcon karakterin. Por dashuria, si shigjeta e Erosit, është e pamëshirshme. Ajo të digjet brenda, të bën të brishtë, të zhvesh çdo mbrojtje. Përballë saj njeriu është më i pafuqishëm se përballë urrejtjes, sepse dashuria nuk të shkatërron nga jashtë – ajo të shkrin nga brenda, si një “furrë” hyjnore që s’të lë të qetë.
Kështu, triptiku poetik është një “uragan” dashurie që udhëton nga jeta e përditshme te mitet madheshtire e deri në zbulimin e intimitetit njerëzor.
Ai tregon se dashuria është më e fortë se çdo fuqi tjetër, më e madhe se vullkani i Hefestit, më e thellë se hakmarrja e Erinitëve, më e pavdekshme se çdo shtrëngatë urrejtjeje.
Mesazhi i poetit është i qartë dhe mitologjik: dashuria është dhigma, modeli i jetës, një hyjni që nuk ulet në fronin e saj për të qetësuar zemrat, por shpërthen si uragan që i trondit, i djeg dhe i ringjall. Ajo është vetë Eterniteti i njeriut.
Urime poetit!


Nga Margarit Done



………………………………………………….




TRE BULËZA DASHURIE
***
Mos u qaj!
Çdo gjë
nuk shkon
si në vaj!
Mosmarrëveshjet,
grindjet
në dashuri,
Karikim zemre,
terapi,
Për t’u rindezur
vullkani
Me më shumë fuqi!
* * *
(e ripunuar)
Një ditë…
vullkani iu mburr
dashurisë:
“- Motër!
Ja, këtij i thonë zjarr!
Shiko!
Trondit një mal!
Kur dua të shpërthej,
asgjë s’më ndal!”
Po dashuria, ç’tha?
“- Sa mirë
që erdhe,
vëlla!
Të lutem,
më fut brenda në gji!
Oooh!…
Kam nevojë
për freski!”
* * *
Nga urrejtja
nuk kam gajle,
Bëhem burrë!
Dashurisë
s’ja dal dot,
Më djeg si furrë!
Kujtim N. Mullai
12.09.2025