Vdekja e drejtësisë-Rubjana Nika

Rubjana Nika

Vdekja e drejtësisë

Na braktisi Drejtësia!!!
Shpinën na ktheu pa keqardhje,
na la në baltë,në batak,
e për çudi,s’kërkoi as falje!!!

U shkërmoq Drejtësia,
mes grushtave tanë u thërmua,
u degdis se di se ku,
te mashtrimi mori hua.

U tjetërsua Drejtësia,
më s’po e njohim si më parë,
e ka zaptuar dyfytyrësia,
me gënjeshtrën vënë në garë.

U zu në kurth Drejtësia,
ajo e paprekshmja,ajo e shenjta,
u nda në copa ,u gri nga bishat,
iu thith çdo gjë e vyer,
siç gjakun thithin,
të pështirat hijena.

Pra,arratinë mori Drejtësia,
po sa shumë me vete mori,
besimin në zemrat njerëzore,
e zjarrin nga kraharori.

Vdiq,u shua drejtësia,
në Tempullin ku mbi Bibël betohen,
vdiq në mendjet e zemrat njerëzore
që dita ditës ftohen,largohen.

Vdiq ,o njerëz drejtësia,
mu në tempullin e saj,
ku duhej të vulosej Liria
e flamuri saj të shtrihej skaj më skaj.