SHTETI KA RËNË
Shteti ka rënë jo prej mureve që tunden nga tërmeti,
as prej armatës që mësyn mbi kufi e nga deti,
por ra ngadalë, në heshtje, ku askush s’e vuri re,
kur ligji u bë rreckë e drejtësia ra përdhe.
Shteti ka rënë në çdo zyrë ku sot shitet një firmë,
ku qytetari pret në rresht e mbytet me ngashërimë,
kur rrugët mbillen me premtime e korren me mashtrim,
dhe çdo dritare e këtij vendi sheh në mërgim.
Shteti ka rënë, se rinia ikën e merr rrugët nëpër botë,
jo se s’e duan këtë tokë, por prej dhimbjes së fortë,
ku krimi ulet në krye të pushtetit e vesh kostum zyrtar,
dhe i ndershmi me plot gojën quhet i marrë.
Shteti ka rënë, por jo kjo tokë, jo ky popull që duron,
nën hirin e një sistemi që kalbëzohet dhe rënkon,
se shteti bie kur humb shpirtin, kur askush më s’e beson,
dhe zgjimi vjen vetëm atëherë kur njerëzia po e kupton.
Shkurte Berisha 24 Shtator 2026
