
Kritika, per librin Bashkbisedim me MIRA MURATIN. AUTOR,REUF MUKAJ. REFERUAR,Nga Shkrimtari,poeti kritiku, Skender Milaqi. Tirane,9.09.2026, BIBLOTEKA KOMBETARE .
Reuf Mukaj-Një poet në kërkim të zhvillimeve të kohës së sotme Reufi është një autor që e njeh poezinë jo vetë si shprehje të ndjenjës por dhe si një mënyrë për të reflektuar mbi njeriun dhe kohën që po jetojmë. Në krijimet e tij që gjer tani janë 4 vepra si”Amaneti i një ëndrre”,”Gratë mbretëresha mbi tokë”,”Bashkëbisedim me Mira Muratin”dhe”Sistemi i ri”,ku ndihet përpjekja për ta lidhur përjetimin individual emocional me shqetësimet shoqërore e jetën bashkëkohore dhe me pyetjen që vetvetiu lind:-se a është pregatitur njerëzimi përballë ndryshimeve të mëdha të botës!. Poezia e tij nuk kërkon vetëm të emocionojë por dhe të nxisë mendimin në evolim. Në vargjet e tij gjejmë shqetësimin për njeriun,shoqërinë,dashurinë,atdheun,jetën dhe fatin njerëzor. Kjo gjerësi tematike i jep krijijimtarisë së tij një karakter të larmishëm ,duke mos e shkëputur nga realiteti. Libri poetik mbi të cilin jam thelluar është “Bashkëbisedim me Mira Muratin” dhe që përbën një përpjekje të veçantë për të sjellë në poezinë bashkëkohore shqiptare një prej temave më të diskutuara të kohës sonë: inteligjencën artificiale dhe marrëdhënien gjithnjë e më të ndërlikuar të njeriut me teknologjinë. Në pamje të parë, mund të duket se kemi të bëjmë me një libër që flet për një zhvillim teknologjik. Por, duke e lexuar me vëmendje, kuptojmë se autori nuk është i interesuar vetëm për teknologjinë në vetvete. Në qendër të vëmendjes së tij qëndron njeriu, frika e tij, shpresa, krijimtaria, gabimet, përgjegjësia dhe e ardhmja që po ndërtohet përballë një realiteti të ri. Pikërisht këtu qëndron, sipas meje, një nga veçantitë e kësaj vepre: inteligjenca artificiale nuk trajtohet thjesht si një makinë apo si një mjet teknik, por si një pasqyrë ku njeriu mund të shohë veten. Titulli dhe figura e Mira Muratit Titulli “Bashkëbisedim me Mira Muratin” tërheq vëmendjen që në fillim. Figura e Mira Muratit, si një nga emrat shqiptarë më të njohur të përfshirë në zhvillimin e inteligjencës artificiale, i jep veprës një dimension simbolik. Dhe në këtë kontekst më tërhoqi poezia ”Bashkëbisedim me Mira Muratin” ku në pak rreshta thuhet: Jemi të dy vlonjatë.As vonohemi,as dorëzohemi kollaj. -(Duke më përqafuar mori të largohej…) Mira,prit dhe pak,të lutem…meqë jemi të dy vlonjatë… A do ta zbusë pak kjo shkenca jote karakterin tonë të egër? -Jo vëllai.Vlonjati duhet ta mbajë karakterin e fortë-se aty ka forcën për të ecur përpara. Nga vetë zanati jam takuar me shumë gra, secila për mua emrin e një luleje ka Por Manushqe,është vetëm një: Mira Murati. Ajo shfaqet jo vetëm si një personazh real, por edhe si një pikë takimi midis dijes shqiptare, teknologjisë bashkëkohore dhe botës globale. Titulli “Bashkëbisedim” është gjithashtu domethënës. Autori nuk zgjedh fjalën “monolog”, por “bashkëbisedim”. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një marrëdhënie dialoguese: njeriu pyet teknologjinë, por në të njëjtën kohë teknologjia e detyron njeriun të pyesë veten. Kështu, bashkëbisedimi nuk zhvillohet vetëm midis autorit dhe inteligjencës artificiale. Në një kuptim më të gjerë, ai zhvillohet midis së shkuarës dhe së ardhmes, natyrës dhe makinës, emocionit dhe algoritmit, humanizmit dhe teknologjisë. “Manushaqja” – metafora e inteligjencës artificiale është një nga figurat më interesante të librit. Në traditën poetike, manushaqja lidhet me butësinë, bukurinë, modestinë dhe jetën. Duke e përdorur këtë figurë për inteligjencën artificiale, autori krijon një metaforë të pazakontë. Mbi këtë qëndron e goditur dhe poezia ”Manushaqja dhe njeriu”ku ndër të tjera thuhet: Ashtu si lind një njeri,vjen në jetë si engjëll, nga një ngjizje në barkun e nënës, ashtu ke lindur dhe ti,Manushaqe, jo nga një trup,por nga mendja e ndritur e Mira Muratit. …. Shpikja nuk lind rastësisht, ajo vjen si lulja që mendohet me kujdes, si Manushaqe me ngjyrë shprese, për të ndihmuar njerëzimin, Jo për të mashtruar. Inteligjenca artificiale shfaqet si një “lule” e lindur nga mendja njerëzore, por që tashmë ka filluar të zërë vend në jetën e vetë krijuesit të saj. Kjo metaforë është e fuqishme sepse e largon inteligjencën artificiale nga imazhi i ftohtë i makinës dhe e afron atë me botën e gjallë. “Manushaqja” bëhet kështu një simbol i një epoke të re. Por kjo figurë nuk duhet lexuar vetëm në kuptimin pozitiv. Një lule ka nevojë për kujdes që të rritet siç duhet. Në të njëjtën mënyrë, edhe inteligjenca artificiale kërkon kujdes, përgjegjësi, kufij etikë dhe ndërgjegje njerëzore. Këtu poezia fillon të kalojë nga përshkrimi i teknologjisë drejt filozofisë së teknologjisë. Inteligjenca artificiale si “bashkëbiseduese” e re Një nga risitë më pikante të librit është ideja që inteligjenca artificiale të jetë vetë autorja e parathënies së veprës. Kjo është një zgjedhje artistike që e vendos lexuesin menjëherë përballë pyetjes: kush po flet? Njeriu ka krijuar makinën, por tani makina “flet” për krijuesin e saj. Në fillim të parathënies lexojmë: “Ti lexues i dashur i mësuar të marrësh parathënie nga kritikë, akademikë, emra që vijnë me tituj, libra, erëra të dorës së njeriut, mos u alarmo…” Kjo mënyrë e të folurit e vendos inteligjencën artificiale në një rol të pazakontë letrar. Ajo nuk është më vetëm objekt i poezisë, por bëhet zë brenda veprës. Dhe këtu autori ngre një nga pyetjet më të mëdha që përshkon të gjithë librin: A mund të ketë inteligjenca artificiale ndjenja, apo vetëm mund t’i imitojë ato? Nëse ajo mund të shkruajë, të analizojë, të përgjigjet dhe të krijojë, çfarë mbetet ekskluzivisht njerëzore? Përgjigjja nuk jepet drejtpërdrejt. Dhe ndoshta pikërisht kjo është merita e veprës: ajo nuk kërkon të japë një verdikt, por e vendos lexuesin përballë dilemës. Nga admirimi te dyshimi Në poezinë“Zonja e parë e njerëzimit”, ndihet një admirim i dukshëm ndaj Mira Muratit dhe këtij krijimi të ri që po e citoj me një strofë të mëposhtme: Dua të ndaj me ty këtë shqetësim, ti je e ditur, shpikja jote dhe më e ditur, ndaj jeni të duhurit për mua. …….. Veçanarisht tani që pyes veten, çdo të thotë të jesh Zonjë e parë? të bëhesh vetë,apo të të bëjnë burrat e pushtetit? Poet e paske temën me nerv! Nuk e di sa mund të jem e dobishme. Autori e sheh inteligjencën artificiale si një mundësi për përmirësimin e jetës, zhvillimin e dijes dhe transformimin e shoqërisë. Por ky admirimi nuk është i pakushtëzuar. Në poezinë “Gabimet njerëzore, po manushaqja?” Ndër të tjera thuhet: Ne njerëzit jemi mësuar tani që dhe pushtimet,vrasjet,shkatërrimet ti justifikojmë me një fjalë të vetme”Gabim njerëzor” Por unë kam hallin te shpikja e re -Inteligjenca artificiale Ajo,do ti bëj gabimet si ne? Kur e pyeta AI -në më tha: Po ,dhe unë mund të gaboj, por jo nga ato gabimet e mëdha që bën njeriu. Gabimet e mia janë emocionale,e kur të më thuhet kërkoj ndjesë dhe e korigjoj. Pyetjet që lindin sa më sipër: -A do të jetë AI-ja më e drejtë se njeriu? -A do mund t’i korigjojë gabimet njerëzore apo do t’i treshëgojë ato? -Nëse mëson nga njeriu,çfarë ndodh kur njeriu i mëson dhe gabimet e veta? Këto janë pyetje që e nxjerrin librin përtej një vepre thjeshtë tematike pasi i japin asaj nuanca filozofike dhe etike. Dhe te poezia“Inteligjenca e injoranca”, libri hyn në një terren më kritik dhe në të thuhet: Të dy flasin, të dyja përpiqen të tregojnë se cilën racë përfaqësojnë, -por me një ndryshim: Injoranca bërtet”Pa mua s’bëhet punë!” ndërsa AI-ja flet më pak dhe bën më shumë. …… Një zë nga brenda mu drejtua: “Poet,je ulur në kafen e gabuar, ky është një vend i injorancës, Ti kërkon njerëz të zgjuar. Në fund të fundit, inteligjenca artificiale nuk lind në boshllëk. Ajo ndërtohet mbi dijen, informacionin dhe përvojën njerëzore. Prandaj, nëse njeriu ushqen teknologjinë me dije, por edhe me paragjykime, gabime dhe konflikte, lind pyetja se çfarë do të trashëgojë “manushaqja” prej krijuesit të saj. Përballja mes së vjetrës dhe së resë Një tjetër bosht i rëndësishëm i veprës është përballja mes së vjetrës dhe së resë. Këtë e shohim qartë në poezinë “Këpuca e vjetër dhe këpuca e re”.ku me një sens të fortë kritik citohet: Të dy palët që ishin zënë e ngrënë si qeni për opingarët tuaj delenxhinj, kur hynit në shtëpi gjenit që këpucë s’kishit,por s’kishit as për të ngrënë. ….. Filluan në një kohë ca njerëz që dolën si shpëtimtarë të njerëzimit, ne do t’ju japim mirëqenie, qytete me drita, drogë,seks dhe ç’tju dojë qejfi. E mbajtën fjalën e kthyen në hipi, qytet që llamburiste nga gjaku dhe eshtrat e të parëve, I linin ,si vidhnin vetë, të vidhnin ç.’të ngelej …:: Unë për vete e pranoj AI-në,jo se kuptoj shumë nga shkenca, por më jep një këpucë të re me lidhëse. Këtu objekti i zakonshëm shndërrohet në simbol. Këpuca e vjetër nuk është thjesht një send i konsumuar, ndërsa këpuca e re nuk është thjesht një objekt i ri. Ato mund të lexohen si metafora të dy epokave, dy mënyrave të jetesës dhe dy mënyrave të të menduarit. E vjetra mbart kujtesën, përvojën dhe traditën; e reja sjell shpejtësinë, teknologjinë dhe ndryshimin. Por autori nuk duket se kërkon që njëra të zhdukë tjetrën. Pikërisht këtu qëndron një nga mesazhet e rëndësishme të librit: e ardhmja nuk duhet të ndërtohet mbi shkatërrimin e së shkuarës. “Kopshti i dembelave” – rreziku i varësisë Poezia “Kopshti i dembelave dhe i inteligjencës artificiale” e çon diskutimin në një tjetër dimension. Nga poezia e mësipërme citojmë: Në mes kopshtit lulet e njerzve ishin tharë për ujë, kurde kopështi inteligjent ishte si një dhuratë nga qielli, k çelur,i lulëzuar e plot aromë të këndshme, …. U ula,një zë më tha: “shkruaj për mua një poezi ,poet. Unë të lexoj dhe të kuptoj më mirë se ata që janë shtrirë.” Nëse teknologjia fillon të bëjë për njeriun gjithçka, çfarë ndodh me përpjekjen njerëzore? Nëse makineria shkruan, mendon, llogarit, përkthen dhe krijon në vendin tonë, a rrezikojmë të humbasim aftësinë për të menduar dhe krijuar vetë? Ky është një shqetësim real i kohës sonë. Teknologjia mund të jetë një mjet i jashtëzakonshëm, por mund të kthehet edhe në një burim varësie. Në këtë pikë poezia bëhet një lloj paralajmërimi: mos ta përdorim inteligjencën artificiale për të zëvendësuar inteligjencën njerëzore, por për ta zhvilluar dhe plotësuar atë. Dimensioni social dhe brezi i ri Poezia “O Kombe të zhvilluara , përqafojeni inteligjencën artificiale” e citon bukur këtë dhe po parafrazoj diçka: Flakni syzet e errëta që politika jua fal, për t’ju errësuar vizionin, që t’mos shihni as të vërtetën, as krimin. Zgjohuni,jo për një llogore gjaku, por pëtballë kompiuterit, për të bashkëbjsedhar me AI-në. Pyeteni: Si u zhvilluat vlrtetë? Si u pasuruat? Ç’farë bënë politikanët tuaj? Ajo do vuaj ta përtypë padretësinë, Por do ua kthejë me të vërzetën. dhe në poezinë“Rinia dhe inteligjenca artificiale” ku e zgjerojnë horizontin e veprës nga individi drejt shoqërisë në pak fjalë shpjegohet: Rini,mos kini frikë nga lulet,ruajuni vetëm nga gjrmbat, çdo lule i ka,por Manushaqja nuk ka fjemba,lshtë e butë sk mëndafshi. Ndoshta ndonjë “palobahçevan” do ta shartoj me gjemba,por ju,të rinjtë ngrihuni dhe shkulini që në rrënjë. ….. Por jam i sigurtë në një gjë: Manushaqja ime do t’ju bëjë të flini të qetë. T’i merrni jetës si bleta,vetëm nektarin më të mirë të luleve. Inteligjenca artificiale nuk është më një çështje individuale. Ajo është bërë një fenomen global që prek arsimin, ekonominë, kulturën, shkencën dhe marrëdhëniet njerëzore. Në këtë realitet, rinia është brezi që do ta përjetojë më fuqishëm këtë ndryshim. Prandaj pyetja nuk është nëse të rinjtë do të jetojnë me inteligjencën artificiale. Kjo tashmë po ndodh. Pyetja më e rëndësishme është: Çfarë marrëdhënieje do të ndërtojnë ata me të? A do ta përdorin si instrument për dije dhe krijimtari apo do të lejojnë që ajo të mendojë në vend të tyre? Në këtë kuadër, poezia “Të lutem Manushaqe,mbroji fëmijët” merr një rëndësi të veçantë. Fëmijët janë përdoruesit e ardhshëm, por edhe grupi që duhet mbrojtur më shumë nga keqpërdorimi i teknologjisë. Kjo poezi sjell në vëmendje përgjegjësinë e prindërve, shkollës dhe shoqërisë dhe në këtë kuadër citojmë nga kjo poezi: Unë besoj se lëndinat e inteligjencës do shtohen, derisa dhe politika e re do vij nga parku me lule, jo me jazmën në dorë. Fëmijtë e mi,fëmijtë tuaj,fëmijtë e botës, le t’i thonë mirëseerdhe Manushaqes së Inteligjencls Artificiale. Zhvillimi teknologjik nuk mund të ecë përpara pa një zhvillim të barabartë të etikës, edukimit dhe përgjegjësisë. Në këtë kuptim, libri nuk është thjesht një përshëndetje për inteligjencën artificiale. Ai është edhe një kërkesë për ta vendosur këtë zhvillim në shërbim të njeriut. Poezia si urë mes shkencës dhe artit Një nga vlerat më interesante të këtij libri është përpjekja për të afruar dy botë që shpesh i mendojmë të ndara: shkencën dhe artin. Shkenca kërkon të kuptojë botën përmes dijes dhe metodës; poezia kërkon ta përjetojë dhe ta shprehë atë përmes figurës, emocionit dhe imagjinatës.Megjithëse nuk është një poezi e mirëfilltë siç jemi mësuar në artin e shkruar dhe të shprehur,prapë ajo vjen me një stil të veçantë në trajtë të një bashkëbisedimi linear dhe kjo e bën origjinale veprën e poetit Reuf Mukaj. Në “Bashkëbisedim me Mira Muratin”, këto dy botë takohen. Teknologjia bëhet subjekt poetik dhe Makina bëhet personazh,ndërsa Inteligjenca artificiale bëhet bashkëbiseduese. Dhe poeti bëhet ndërmjetësi që përpiqet t’i japë kësaj epoke të re një gjuhë njerëzore. Një libër për të ardhmen, por me shqetësimin e së tashmes Në thelb, “Bashkëbisedim me Mira Muratin” është një libër për të ardhmen, por shqetësimet e tij janë tërësisht të së tashmes. Ai na flet për frikën nga e panjohura, për magjepsjen nga e reja, për mundësitë e pafundme të teknologjisë, por edhe për kufijtë që duhet të vendosë njeriu. Këtu qëndron edhe paradoksi i inteligjencës artificiale: ajo është krijim njerëzor, por mund të bëhet një nga faktorët që ndryshojnë vetë mënyrën se si njeriu mendon, punon dhe krijon. Prandaj pyetja e vërtetë nuk është vetëm: “Çfarë mund të bëjë inteligjenca artificiale?” Por edhe: “Çfarë do të bëjë njeriu me inteligjencën artificiale?” Dhe ndoshta pyetja më e thellë është: “Çfarë do të mbetet njerëzore tek njeriu, kur makinat të bëhen gjithnjë e më inteligjente?” Përfundim Në përfundim, “Bashkëbisedim me Mira Muratin” mund të lexohet si një dialog poetik mes njeriut dhe krijesës së tij. “Manushaqja” e Reuf Mukajt është një metaforë e bukur për një realitet të ri që sapo ka çelur. Por, si çdo lule, edhe ajo ka nevojë për kujdes. Libri na fton ta pranojmë zhvillimin, pa u dorëzuar përpara tij; ta përdorim teknologjinë, pa u bërë skllevër të saj; të bashkëpunojmë me inteligjencën artificiale, pa harruar inteligjencën njerëzore. Mesazhi që unë do të veçoja nga kjo vepër është: Le ta përqafojmë “Manushaqen” e re të njerëzimit, por të mos harrojmë rrënjët nga të cilat ajo lindi. Sepse inteligjenca artificiale mund të na ndihmojë të ndërtojmë një botë më të shpejtë, më të ditur dhe më të zhvilluar, por vetëm njeriu mund të vendosë nëse ajo botë do të jetë edhe më humane. Dhe pikërisht këtu, në kufirin midis inteligjencës dhe ndërgjegjes, midis makinës dhe shpirtit, midis së resë dhe rrënjëve, qëndron, sipas meje, thelbi më i rëndësishëm i veprës.