Rrënjët-Shkurte Berisha

RRËNJËT

Kohë më parë pashë hirin e zjarrit,
Mbi lëndinën e mbytur në heshtje dhe zi,
Aty ku bliri dhe lisi i vjetër i fshatit,
Ishin bërë shkrumb e prush edhe hi.

U dogjën ferrat, u përcëllua dhe bari,
Çdo gjë dukej e vdekur, pa jetë,
Sikur ra një mallkim prej mëkatari,
Mbi trupat e drurëve që mbetën skeletë.

Por sot pashë një mrekulli,
Atje ku zjarri kujtoi se çdo gjë u tha,
Nga toka e zezë, me plot energji,
Plot filiza të rinj drita i pa.

Ishin të shëndetshëm, të gjelbër, me fletë,
Çanë koren e djegur, dolën me vrull,
Se rrënjët e tyre nën tokë ishin mbetë,
Ndaj s’mund t’i rrëzonte as zjarr e as shkrumb.

Ashtu si kjo tokë, si ky vendi ynë,
Që shekujt e dogjën me zjarr e me hekur,
Armiqtë kujtuan se jetën ia fshinë,
Se trungun e lashtë e lanë të vdekur.

Por ne jemi rrënjët që mbrojmë çdo prag,
Që mbijnë sërish me besim e me shpresë,
Nuk na shkeli kthetra që kërkonte gjak,
Filizi i kombit kurrë nuk do të vdesë!