Adelina Mina

Në shesh u mblodhën ëndrrat e vrara,
Me libra në duar, me plagë në gji,
Me sytë nga një e ardhme e mohuar,
Me zemrën që klithte: A ka vend për ne këtu, në Shqipëri?
Nëna i përcolli me lutje në prag,
Me bukën e ndarë, me shpirtin përgjysmë,
“Mos u përkulni, bij, përballë padrejtësisë,
Se jeta pa dinjitet është një vdekje për së gjallë”.
Si të mos i dhembë zemra një nënë shqiptare,
Kur birin e sheh mes turmës së ngritur,
Kur ai kërkon vetëm të ardhmen e vet,
Dhe vendi i përgjigjet me shpresën e fikur?
Përse dija mbetet peng i pushtetit?
Përse një diplomë s’premton dot një jetë?
Përse bijtë tanë, me ëndrra të pastra,
E shohin atdheun si stacion të shkretë?
Kush i numëroi lotët e nënave,
Kur bijtë marrin rrugët e botës së huaj?
Janë bij që botës ndjejnë racizëm e dhunë,
Duke kërkuar një copëz të drejtë për të jetuar.
O Zot, sa e rëndë për një nënë shqiptare,
Të rrisë një djalë me mund e me nder,
T’i falë atdheut rininë e tij të artë,
E t’a përcjellë në mërgim, pa kthim të sigurt në derë!
Mos e ktheni Shqipërinë në një prag lamtumire,
Ku nënat përshëndesin bijtë me lot në sy;
Mos e bëni atdheun një fjalë nëpër libra,
Që e mësojnë në shkollë, por s’ jetojnë aty.
Kur të heshtë sheshi, mos mendoni se protesta mbaroi,
Se dhimbja e rinisë s’ka pragje, s’ka kufi,
Një brez që sot kërkon të drejtën e vet,
Nesër do të pyesë: Kush na e vodhi rininë?