Nuk do të shuhesh Shqipëri-Shkurte Berisha

NUK DO TË SHUHESH SHQIPËRI
 
Në çdo rrudhë të historisë, ku loti rrodhi e la gjurmë,
U thye shpata, u dogj kulla, por ti asnjëherë s’vure gjumë.
Sot mbi ty po fryjnë stuhi, por ti mos e humb shpresën,
Se ky brez që sot po rritet, do ta mbajë te gjalle besën.
 
Nuk do të shuhesh, Shqipëri, sa të ketë male e shkëmbinj,
Rrënja jote s’mund të thahet, se po të dalin zot djem të rinj.
Nëpër shekuj të mundimit, ku liria u mbrojt me gjak,
Sot ky brez po ngre lart vlerat, duke të ndritur në bajrak.

 

Dëgjo zërin e rinisë, që po sjell një tjetër dritë,
Për atdheun që ka vuajtur e ka pritur kaq shumë ditë.
Ata ecin me guxim, duke ndjekur një udhë të mbarë,
Që kjo tokë e lashtë e jona të mos mbetet më e vrarë.
 
Ndaj ktheje kokën nga e ardhmja, fshije lotin, nënë Shqipëri,
Asnjë uragan s’të shuan dot, sa kohë mbi tokë ke këtë rini!
Ti do të rrosh e do të rritesh, e lirë, e bukur, plot shkëlqim,
Se djemtë e tu janë mburoja, janë jeta jote dhe shpëtim.