Albert Z. Zholi

Në Sarandë, në janar, kur dimri kish ftohtësi,
Më tetë lindi Anita, një rreze dashurie,
Me sy që mbanin ëndrra, me buzë që veç këndonin,
Dhe dallgët e së ardhmes në shpirt ia pëshpëritnin.
Vajzë e vogël, plot gjallëri, me shpirtin fluturak,
Recitonte vargje të bukura, këndonte pa u ndalë,
Në botën e fëmijërisë, si lule çelte çdo ditë,
Dhe zëri i saj i ëmbël premtonte ardhmëri e dritë.
Vlorën e deshi shumë, me detin u miqësua,
Në bregun e kaltër, sa herë që ajo shkoi,
Dallgët i flisnin butë, era këngë i dhuronte,
Dhe zemra e Anitës me nota përgjigjej, këndonte.
O det i kaltër, i pafund, më jep një melodi,
Të bëhem zë i ëndrrave, të fal veç dashuri!
Dhe dallga ia kthente me shkumë e me fllad,
Një ditë do të të njohë larg, çdo qytet e çdo fshat.
Me violinën në duar, me shpirtin përmbi re,
Ajo ndiqte ëndrrën e bukur, që zemra ia rrëfeu,
Vaçe Zelën si yll e mbante në kujtim,
Dhe skenën e ëndërronte si tempull të frymëzimit.
Kur mbushi gjashtëmbëdhjetë, këngës iu përkushtua,
“Dashuria e parë” në zemrat tona u ngulua,
Me zë të ngrohtë, me mall, me ndjenjë të vërtetë,
Anita fitoi një vend që nuk e fshin dot jeta.
Por jeta, që aq shumë i fali melodi,
I thuri një dhimbje përtej çdo fjalë e poezi,
Në Nju-Jork, në tetor, u shua një dritë,
Me Siborën dhe Azbijen, në heshtjen e një nate të trishtë.
Tri zemra u ndalën, tri jetë në përqafim,
Një nënë, një bijë, një vogëlushe plot ëndërrim,
Monoksidi ua preu frymën, pa zë e pa fjalë,
Dhe bota mbeti e ngrirë përballë atij malli të madh.
Por dhimbja u bë kujtesë, u bë dritë për të tjerë,
“Ligji Anita” u ngrit, që jetë të mos shuhen në terr,
Në Vlorë, rruga me emrin tënd të kujton,
Se dashuria dhe kënga as vdekja s’i harron.
O Anita e detit, o zë i papërsëritur,
Meteor që kalove, por kurrë i harruar,
Kur dallga përkëdhel bregun dhe hëna shndrit mbi det,
Kënga jote ngrihet lart, e pavdekshme përjetë.