Bollë, Bollë…
Kur rri te dritare, më vjen
era e freskët në këtë vapë të madhe,
nga zëri i të rinjve në bulevard…
Kur rri e meditoj,
nga kutija e televizorit më vjen zhurmë,
thirrje, të bërtitura,
më duhet një televizor me dopio xham…
Sa turp më vjen nga vetja,
që jam dëshmitar i kësaj epoke,
i njoh të gjithë,
por me flokë e me fytyrë tjetër…
U shkonin aq mirë atëherë,
flokët e krehur me gishtërinj,
jo si sot, të thinjura,
të lyera me brillantinë…
Ata flokë dhe ajo pamje atëherë,
ishin të sinqertë,
nuk e fshihnin varfërinë,
as moshën dhe as shpresën.
Sot ajo pamje e shtrenjtë,
ato fije floku të bardha ose të rena,
nuk fshehin dot më asgjë:
vjedhjen, turpet, mashtrimet,
dhe gjithë të këqijat e tjera…
Dikush mburret me përmasa trupore,
“Unë e rrita mesataren e gjatësisë”,
dikush bën gjeste sikur të ishte Napoleoni…
Rinia që doli në sheshe,
ka vuajtjet e politikës së vjetër
të gdhendura në ballë:
Lexo, o i verbër, lexo!
Bollë, Bollë!
Mos i lini fëmijët tanë nëpër sheshe,
sikur nuk ekzistojnë…
Do të jetë një fatkeqësi kombëtare,
nëse vuajtjet e tyre nuk durohen dot,
duke u tallur me ta:
Bollë, Bollë!
MOS I LINI QË VUAJTJET E TYRE NGA SHPIRTI DHE MENDJA
T’U KALOJNË NË DUAR – BOLLE!
