

Tetori i dijes, penës e krijimeve të shkrimtarëve, poetëve, piktorëve etj. Tetori muaji i të vjelave në bujqësi. Muaji i punëve të shumta për t’u përgatitur për dimërim. Tetori muaji ku natyra e pa trazuar nga zjarret, motosharrat, skavatorët dhamb çeliktët, hekur -betoni e asfalti, fillon të zbukurohet me peizazhe dashuruese pas saj. Mirëpo ja që nënën Shqipëri halle madhe e gjen në vullkanin përvëlues të një lufte. Fatkeqësisht kjo i ka copëtuar të mjerët shqiptar në copëza të vogla herë – herë të pa kuptimta. Arsyet dalin të shpërqendruara edhe kur thyhen brinjët, edhe kur trupi mbushte me fshikullimat kamxhikut. Dhe me më me dhimbje therëse kur plumbat e gomës lenë shenja të përgjakura në trupat e filizave të rinj të këtij populli me plagë të shumta të djeshme e të sotme
Zaten kur këto të marrin dritën e syrit, atëherë ka rënë perdja e zezë e krimit ndaj vëllait për vëllain, motrës për motrën. Për çfarë vallë? Ato janë të shumta. Zinxhirin me hallka të shumta secili mundohet t’i heq disa nga ato, ndokush ja shton ato. E prandaj nuk ndryshken, por ama plagë në trupin e shqiptarit gjurmë të dhimbshme kanë lanë. E mbi te gjitha këto tridhjete e gjashtë vjet. Gjaku sikur është pajtuar me atë rrjedhjen e pandalshme të viktimës popull.
Sa e sa heronj kanë lindur këto ditë tetori në vullkanin shpërthyes të revoltës popullore dhe rinisë studentore. Historia po shkruan për syrin e humbur të njëzetë e tete vjeçarit nga Elbasani, Erjon Vishkulli. Nga shtrati në spital, ai shprehet; ‘’Plumbin e kam ende në sy, Ai me kullon gjak. Isha vetëm 30 metra larg policisë. Mirëpo Shqipëria është e jona, vetëm fitore.,, Kryeqyteti është kthyer në një xhungël ku policia zhdep në dajak pa mëshire studentë e gjimnazistë, ndërsa protestues me maska vetëm shkatërrojnë. Populli helmohet me propagandën që buron nga xhungla e politikaneve dhe kazani i gazetarëve. Ndërsa padroni i shqiptarëve bredh nëpër botë dhe mëngjeseve hedh nga një batute tallëse për acarim nervash e zgjim hakmarrje.
Kolltukofagu i ndjerë pikëllueshëm edhe në vetmi, betohet, çirret por edhe monologun: ‘’Unë nuk të braktisi, as largohem pa çuar Shqipërinë në Evropë.,, Ndërsa syri i mavijosur i të resë Evamthi Pango, pas dhjetë ditësh ne spital, të përlot, të fut në vorbullën e humbjes se arsyes njerëzore. Çfarë po ndodh me rininë që po përballet me policinë. Të fton t’i thërrasësh logjikës ekonomike e politike që ka vepruar mbi ato.
Dhe më pas do të qetësohesh kur të lexosh Fan S. Nolin. ‘’Kolltukofagët janë si krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim,, A thua bre politikanët shqiptar, deputet e ministra na qenkan kthyer një shekull prapa me qëndrimet e tyre që kur Noli i shkruajti këto mendime? Studentë, gjimnazistë, pedagogë, asistentë e profesorë e një pjesë e popullit të varfër e pranojnë me zemër të thyer e të zhytur në pellgun mëdyshjes, dyshimeve për të ardhmen.
Sa turp! Çfarë krimi pinoçetjan! Çfarë sadizmi mbretërish gjakatar! Sigurisht kur një populli kërkon t’i nxjerrësh sytë. Kur dinakëria, shpirti kriminal, ethet për nam e lavdi, kur mendje madhësia dhe shpirti bajraktar pushtojnë çdo qelizë të një kolltukofagu. Kështu ndodh. Ai fabrikon një mijë e një dredhi. Ai përdor shpatën, hanxharin, thikën, gazin lotsjellës dhe shpërblime të pafundme. Ndërsa nënat shqiptare ju lebetitet shpirti e zemra. Ju lotojnë sytë nga dhimbja për fëmijët në luftën për misionin e një Shqipëri të re, pa klikat bashibozukë politike tridhjetë e gjashtë vjeçare.
Një shtetar i mirë duhet që rinisë, popullit t’iu jap dritën e syve se bashku me atë të dijes e kulturës kombëtare. Ato mund dhe duhet të jene shërbëtor të popullit dhe jo hijena që kërkojnë të shohin gjak në sheshe e udhë. Pas çka që heronjtë sigurisht do të lindin në keto luftëra të pabarabarta, nga gjiri i vetë popullit që lindi kolltukofagët të etur për lavdi e pushtet të përjetshëm. Në këto betja fyt a fyt me ato që mbrojnë shtetarin që i ka vdekur nuri, burrëria, besa, largpamësia… Mirëpo ama rinisë mos ia nxirrni sytë, more ju shitofshin Zanat.
25.10,2026 Selman Mëziu