Koha e kodoshëve mbaroi-Migel Flor

Migel Flor

Çfarë pret nga një komb ku gratë vriten si mushkonjat?

Ku burrat e ngatërrojnë trimërinë me dhunën dhe frikën që mbjellin në shpirtin e grave ua trashëgojnë edhe fëmijëve?

Fëmijë që rriten duke mësuar të heshtin përpara britmës dhe të dridhen nga hapat e atij që duhej t’u falte siguri. Çfarë pret nga një shoqëri ku burra të caktuar e shpallin veten sulltanë të shtëpisë dhe gratë i trajtojnë si skllave? Ai tradhton, ajo duhet të heshtë. Ai shkel çdo kufi, ndërsa asaj i numëron hapat, fjalët, shikimet, madje edhe frymëmarrjen.

Çfarë pret nga një burrë që fryn xhepin e vet dhe zbraz atë të gruas, duke e lënë pa mjete e pa mundësi për t’u larguar? Ai e ngatërron pamundësinë e saj për të ikur me dëshirën për të qëndruar. Por të mos kesh një derë ku të largohesh nuk do të thotë se pranon burgun. Po nga ai që ngre dorën edhe mbi fëmijën e vet, çfarë pret? Çfarë atësie është ajo që kërkon bindje me grusht dhe respekt me kërcënim? Fëmija nuk është pronë e askujt. Frika nuk është edukim dhe dhuna nuk është autoritet. Pijanecë fodullë, arrogantë, burra që e kthejnë dhunën në zakon dhe poshtërimin në krenari: kush duhet t’i ndalë? Familja që i mbulon? Fqinjët që dëgjojnë e mbyllin dritaret? Shoqëria që e quan «sherr familjar» atë që mund të përfundojë në një arkivol? Apo drejtësia, që duhet të mbërrijë përpara se një grua të bëhet kronikë e lajmeve të zeza? Dhuna ndaj grave nuk është çështje private.

Është çështje dinjiteti, sigurie dhe drejtësie. Është çështje egzistenciale e mbarë shoqërisë. Burrat që rrahin gratë e vajzat duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Kërcënimi, përndjekja, dhuna fizike dhe kontrolli ekonomik nuk janë të drejta bashkëshortore. Janë forma dhune që kërkojnë mbrojtje për viktimën dhe ndëshkim për autorin. Dhe çfarë fakti i neveritshëm! Burri që ndërron aventura e tradhti kërkon në shtëpi një grua të bindur, të heshtur, një shenjtore të paprekur nga jeta.

Ai mund ta tradhtojë, por ajo nuk duhet as të shohë përtej dritares. Ai mund ta braktisë shpirtërisht për vite, por ajo duhet të jetë aty, e gatshme, sikur vetmia të ishte detyra e saj. A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë i ke lënë asaj gruaje brenda kraharorit? Sa net ka kaluar duke mbledhur copat e vetes? Sa herë ka fshirë lotët përpara fëmijëve? Sa herë ka dëgjuar prej teje: «Shikoje veten në pasqyrë, sa e shëmtuar je, sa e mbaruar, sa e pavlerë!» Dhe ti e ke quajtur këtë burrëri? Kur e poshtëron përpara fëmijës, nuk plagos vetëm gruan. I mëson fëmijës se dashuria mund të godasë dhe se njeriu më i afërt mund të jetë rreziku më i madh. Ti hyn e del pa pyetur nëse ajo është lodhur, nëse ka kaluar një ditë të rëndë, nëse i ka mbetur fuqi për të buzëqeshur. Por të shqetëson kripa në gjellë, sallata e përgatitur një orë më parë, një takim me një mike, një bisedë që nuk e ke kontrolluar. Për të gjetur fajin e saj, bëhesh mikroskop; për të parë fajin tënd, verbohesh. Ajo guxoi të dilte nga muret e vetmisë që ti i kishe ndërtuar rreth saj. Guxoi të kuptonte se bota nuk përfundonte te humori, xhepi dhe urdhrat e tu. Dhe ti e përjetove lirinë e saj si fyerje ndaj egos sate. Pastaj e vrave. Dhe çfarë do të thuash? Se e doje shumë? Se nuk e përballove dot tradhtinë? Se të verboi xhelozia? Dashuria nuk është leje për të vrarë. Xhelozia nuk është pafajësi. Egoja e plagosur nuk është justifikim për krimin. Nuk e vrave sepse e deshe. E vrave sepse mendove se të përkiste. Ajo nuk të përkiste kurrë.

As trupi i saj, as koha, as mendimet, as e drejta për të zgjedhur. Martesa nuk është akt pronësie. Unaza nuk është prangë. Shtëpia nuk është territor ku burri ushtron pushtet të pakufizuar. Dhe jo, një grua nuk ka vetëm dy rrugë: të shkatërrojë veten ose të kërkojë diku tjetër atë që i mungon. Ajo ka të drejtën e një rruge të tretë: të jetojë e lirë, të kërkojë mbrojtje, të largohet pa u ndëshkuar dhe të rindërtojë jetën e saj. Asnjë grua nuk duhet të zgjedhë mes jetës dhe dinjitetit. Ajo i meriton të dyja. Çfarë vlere ka të jesh zot i një shtëpie, kur brenda saj askush nuk ndihet i sigurt? Çfarë vlere ka të quhesh burrë, kur gruaja pranë teje duhet të dëgjojë hapat e tu për të kuptuar nëse mund të marrë frymë e qetë? Ne nuk e përdorim gruan si pronë.

Nuk e torturojmë për ta nënshtruar. Nuk e kërcënojmë për ta mbajtur pranë. Nuk e vrasim sepse guxoi të largohej. E njohim si njeri: me shpirt, me dëshira, me lodhje dhe me të drejtën për të thënë jo. Me të drejtën për të ikur. Me të drejtën për të jetuar. Koha kur burrëria matej me frikën që ngjallte te një grua duhet të marrë fund. Koha kur heshtja e viktimës quhej nder, durimi i saj detyrë dhe krimi i burrit mbulohej me turpin e familjes, duhet të marrë fund. Koha e kodosheve sadistë mbaroi. Gratë duhet të bëhen më të forta për të mbijetuar në ferrin që u ndërtojnë të tjerët? JO…fare Shoqëria duhet të bëhet më e drejtë që ato të mos kenë më nevojë të mbijetojnë nga duart e askujt.

Një grua nuk është pronë e askujt. Një fëmijë nuk është pronë e askujt. Dhe asnjë burrë nuk mund të jetë mbi ligjin, mbi të drejtën. Burrëri nuk është ta bësh një grua të dridhet kur hyn në shtëpi… Burrëri është që gruas të mos i japësh kurrë arsye të ketë frikë prej teje. Të mos i japësh kurrë arsye që si zgjidhje të vetme të shohë arratisjen. Migel Flor