Lumo Kolleshi

SHIRA DHE GJETHE
I fshiva gjethet e rrëzuara në prag
Në këtë mëngjes të paqtë tetori.
Mendja djallëzore vjeshtën ma çoi larg,
Kopshti i Edenit peng sytë m’i mori.
Atëherë nuk kishin lindur të dy djemtë,
Onomastika ish e varfër,pa Abel e Kain,
Pranvera mbretëronte në Edenin e etertë,
Dy gjethe fshihnin jetën dhe gjakun rubin.
Tani s’kam ç’t’ju flas për botën time të sertë,
Jam i tëri syth i fjetur në degët plot ethe.
Si të jesh ndryshe në vjeshtën e tretë,
Kur derdhen vetëm shira dhe dënohen gjethe?
29.10.2023-29.10.2024
DITË TË DOBËTA
Paska te njeriu dhe ditë të vështira,
Ditë të dobëta, si degët e fundit të pishës,
Ku mbetet në plasaritjet e trupit rrëshira,
Kur ti bëhesh peng i mëshirës.
Kurt ty të vjen turp të kthesh kokën,
T’i shikosh ato ditë drejt në sy,
Kur ti humbet sensin dhe kohën,
Kur dinjitetin zvarritur lë aty.
Të duhet të ngrihesh mbi gjunjë të copëtuar,
Të ecësh sërish mbi dy këmbë,
Gjuhën ta mbash të kafshuar
Dhe të nderosh: Më rrofshi,o dhëmbë!
29.10.2021
Kopësht zoologjik
Ngrohim vezë sorrash,
Presim me gas çeljen e zojve,
Me dashuri ua rritim zogjtë për ditë…
Vjen dhe koha e kthetrave e thonjve,
Bëlbëzojmë pse na nxjerrin sytë.
29.10.2019
Doni heronj prej balte?
Baltën ngriheni përpjetë.
Bronzin e kemi të paktë.
Heronjtë prej letre kanë sheshin e vet.
29.10.2018
Analfabetë me kamera në dorë,
Me mikrofonë a çipa sa mushkonja…
Alfabeti i tyre me 72 shkronja.
29.10.2026