Marissa Ashiku

I dashuri im
Sonte do të doja t’i shihnim yjet
nga i njëjti ballkon,
të mbështetesha tek ti,
duke i kujtuar vetes
se edhe unë kam nevojë të pushoj.
Të qenët e fortë
për një shekull të tërë
e shfuqizon mitin e zanave
brenda një çasti.
I shtrenjti im,
nata erdhi e uritur
dhe cigarja në buzët e mia
duket si drita e lodhur e një semafori
në një udhëkryq.
Ti më pyet:
– Çfarë mund të bëj për ty, e vogla ime?
Ah, dashuri,
kam harruar të të them
se fryma jote ma ndriçon zemrën
si një pasqyrë
që horizontet i katapulton vertikalisht.
Kryqe dhe lutje.
Ajri mban aromë kanelle.
Yjet grumbullohen kokë më kokë
dhe qielli duket
si një shegë e përgjysmuar
në parvaz.
@M@shiku