Trëndafili i shpirtit-Vullnet Mato

Vullnet Mato

 
Ti ishe një trëndafil, që sapo të mora erë,
më hyre në gjoks, bashkë me oksigjenin,
në inde më lëshove rrënjë e degë deri thellë
dhe gonxhet e trëndafili tënd, nisën të çelin
 
 
Aq sa aroma më shpërtheu, në tërë poret,
e m’u mbush shtëpia me erëmim trëndafili.
Më thanë të afërmit:“Ç’ke që parfumohesh,
sikur je femër, e do të shkosh te bandilli?”…

 

Më pas, në rrugët dhe oborret lagjiare,
aroma e trëndafilit, shkoi derë më derë.
Më vështronin përqark, me habi ziliqare,
sidomos lulet e saksive, që nuk kishin erë…

 

Provova të shkul rrënjët e tua, nga vetja ime,
të drejtoheshin vështrimet, që shihnin vëngër.
Por ndjeva dhimbje të forta, me drithërime
se gjembat më shpuan, nga koka te këmbët…
 
Pra, s’mund të të shkulja, kurrsesi nga trupi im,
se ti e gjitha brenda në shpirt më kishe mbirë…
Dhe i lashë vështrimet, të dërdëllisnin me gjëmim,
përderisa trëndafili yt, më bëri të ndjehesha mirë!…