“E meriton”-Adelina Mina

“E MERITON”

Mos i ul sytë, grua.
As kur fjala rëndon si gur,
As kur dikush të godet me krenarinë e tij të verbër e të thotë,
“Ti nuk e meriton…!”

Ti ke lindur me dritë në shpirt,
Me zemër që ngroh dimrin,
Me duar që mbajnë botën të mos shembet.

Ke qeshur edhe kur zemra të është thyer,
Ke heshtur kur dhimbja duhej të shpërthente,
Ke falur edhe kur plagët djegin.

E meriton lumturinë.
Jo si lëmoshë, as si fjalë të dhënë,
Si të drejtë që lind bashkë me frymën tënde,
që rritet me ty hap pas hapi.

E meriton të qeshësh plot dritë,
Pa frikë se dikush do të ta shuajë shkëlqimin.
E meriton të duash pa u rrëzuar
Nga gjembat e fjalëve që shpojnë.

Ti je më shumë se mendimi i botës për ty.
Më shumë se hiri i një dashurie të djegur.
Më shumë se plagët që i fsheh
që mos të trishtosh askënd.

Ti je vetë pranvera pas çdo dimri.
Ti je lulja që çel edhe në shkretëtirë.

E mos e harro!
E meriton çdo gëzim që të troket,
Çdo rreze që të prek lëkurën,
Çdo fije qetësie që mbërrin në shpirt.

E meriton.
Dhe mos lejo askënd
as dhimbjen, as fjalën, as kujtimin
të ta thotë ndryshe,
Dhe mos lejo askënd…!
Adelina Mina
2025.10.30