
MËSO TË PËRQAFOSH
Mëso të përqafosh
me krahët e tu, me sytë, me zërin tënd
jo vetëm njerëzit, por edhe ditët
gjithë çfarë të vjen e çfarë të ikën
Dhe lëre që heshtja të rrëshqasë ëmbël
se është e vetmja përgjigje që vlen
kur fjalët më s’mjaftojnë.
Mëso të dëgjosh,
zërat e pandjeshëm përreth
hapat e padukshëm të ëndrrave
pulsin e tokës nën hapat e tu.
Është një melodi delikate që luhet
për atë që di të ndalet
një këngë pa nota që për ty ka fjalët
vetëm nëse di të dëgjosh.
Mëso se akoma nuk di,
që ka të vërteta të madhërishme për t’u thënë
si shija e shiut që të njom në faqe
apo një ngazëllim që lind pa shkaqe
dhe magjeps gjithçka.
Bëj që e panjohura të qëndrojë
si një dritë e dobët në fund të zemrës
një sekret i vogël midis teje dhe botës.
Mëso të mos gjykosh,
sepse çdo shpirt ka ritmin e tij
mënyrën e tij të pengimit dhe ringritjes
secili e mban vetë barrën e orëve të veta
secili mbron veten siç mund.
Sillu mirë me atë që nuk kupton
sepse asnjë s’lind i mësuar
se, tek e fundit, qielli është njëlloj për të tërë.
Mëso të vëzhgosh,
jo vetëm të shikosh.
Kap hijen pas çdo drite
ngjarjen pas çdo vështrimi.
Dhe zbulo se e bukura fshihet
pikërisht atje ku as q’e pret
ku gjithçka duket e heshtur
por mbron hyjnisht një pjesë të së vërtetës.
Mëso të ndalësh,
sepse jo gjithmonë garon
ndonjëherë mjafton një moment qetësie
një çast që të mbush me paqe.
Nuk është shumë, mundet,
por kjo është gjithçka që kemi
kjo tokë nën këmbë
ky det brenda syve
kjo bukuri e brishtë që na ikën
megjithatë, çdo herë, ajo na mbush me jetë.
Besomë, është kjo
gjithë çka mbetet
gjithë për çfarë ia vlen.
Sepse në fund të gjësë, jeta
është thjeshtë një këngë
për t’u kënduar me zë të ulët
derisa të kesh ndjerë të bukurën
që dhemb.
**********
Andrew Faber
Sjell në SHQIP, M Zegali Rustemi Marjana
Artists – Michael & Inessa Garmash
#rustemimarjana #art #letersi #kulture