
Fatmir Halimi – Një zë i fuqishëm: studiues, poet, romancier, kritik letrar dhe pedagog, që la gjurmë të thella dhe zemrën e tij në zemrat e lexuesve
Fatmir Halimi lindi më 26.03.1972 në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Podujevë, ndërsa studimet i përfundoi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Po aty përfundoi edhe studimet pasuniversitare, duke marrë diplomën e masterit në letërsi. Halimi është studiues, poet, gazetar, kritik letrar dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Poezitë e para i botoi në vitin 1989 në revistën “Zëri i Rinisë”. Që atëherë, poezitë dhe punimet e tij shkencore janë botuar në një sërë gazetash dhe revistash, përfshirë Rilindja (Bujku), Bota e Re, Fryma, Bota Sot, Kosova Live, Iliria Post, Kosova Sot, Epoka e Re, Jeta Arbëreshe në Itali etj.
Fatmir Halimi ishte autor i dhjetëra punimeve shkencore, të botuara në gjuhën shqipe dhe italiane. Ai cilësohej si një zë i fuqishëm në art dhe në kritikën letrare, sepse depërtonte thellë në thelbin e veprave studimore, filozofike dhe estetiko-letrare.
Librat e tij i bëjnë nder të veçantë kritikës së letërsisë. Së këndejmi, për veprat e tij kanë shkruar shumë kritikë letrarë, duke i vlerësuar lart.
Poeti Urim Mezini, në fjalët e tij për Fatmirin, e vlerëson për angazhimin e tij kërkimor dhe shkencor, duke e konsideruar si një aset kombëtar.

Një mendje e mprehtë si ajo e Fatmirit ndihmon në ecjen përpara të artit dhe kulturës. Unë pashë se zemra e tij pulsonte për artin, që është bërë burim i vazhdueshëm frymëzimi për lexuesit.
Fatmiri e njihte mirë botën e fantazisë dhe i përshtatej më së miri asaj. Qëndrimi dhe rezistenca për të arritur qëllimin del si një predhë që e kishte arritur këtë objektiv.
Deri më tani, ai ka botuar këto vepra:
- “Kornizat e burgut”, poezi, 1996, ribotim 2008.
- “Postmoderniteti në prozën e Zejnullah Rrahmanit”, kritikë letrare, 2015.
- “Prej modernes kah postmodernia”, kritikë letrare, 2016, ribotim 2021.
- “Dy vdekjet e një jete”, roman, 2017, botuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës. Ky roman ka marrë vlerësime të shumta nga më shumë se 20 kritikë të letërsisë, disa prej të cilëve e cilësojnë si romanin më të mirë për luftën e fundit në Kosovë. Romani përfaqëson një arritje të autorit, duke përdorur gjuhën figurative, strukturën dhe rrjedhën e rrëfimit për luftëtarin artist. Citimet, lajmet e ndërprera nga radioja, TV dhe gazetat i japin ngjyrim postmodern këtij romani, i cili lexohet me një frymë. (Prof. Dr. Merita Bajraktari Januzi)
- “Makthi”, roman, 2021.
- “Letërsia shqipe në dy dekadat e fundit”, kritikë letrare, 2024.
Fatmir Halimi është laureat i disa çmimeve prestigjioze, përfshirë:
- Çmimi Vjetor për Letërsi “Anton Pashku”, për veprën më të mirë letrare në prozë të botuar gjatë vitit 2017, me romanin “Dy vdekjet e një jete”, nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.
- Çmimi i parë për romanin “Makthi”, në konkursin letrar Mitingu i Poezisë, organizuar nga Klubi Letrar “Gon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, për vitin 2021. Sipas Ahmet Pilanës, “Makthi” është një roman psikologjik postmodern në letërsinë tonë, ku autori e ndërtoi temën e makthit si një tërësi që përfundon me triumf ndaj tij, duke e paraqitur si ndjenjë frikësuese dhe emocion të fuqishëm.
ShB ProkultPress është shtëpi botuese e themeluar në vitin 2012, që merret me botimin e librave të fushave të ndryshme, si letërsia, historia, monografitë, librat për artin e muzikës, artin figurativ etj.
Fatmir Halimi, si ish-pronar dhe botues i ShB ProkultPress në Prishtinë, ka redaktuar mbi 150 libra të autorëve e shkrimtarëve të fushave të ndryshme, përfshirë letërsinë, publicistikën, historinë, monografitë, muzikën dhe të tjera.
Në një intervistë për TV 7, Faslliu e vlerësoi Halimin si autor kritik dhe drejtor i Panairit të Librit, duke theksuar se ai ia ka kushtuar jetën kulturës dhe letërsisë.
Në një kujtim personal, Shuajo Gubetini thotë: “E di shumë mirë se Fatmiri e ka dashur gjithmonë librin, pasi kur ishim në vitin e parë të shkollës së mesme, pashë një raft të mbushur plot libra në shtëpinë e tij. E pyeta kur do t’i lexojë të gjitha ato libra, dhe ai më tha: ‘I kam lexuar të gjitha.’ Kjo është dëshmi se Fatmiri ishte një poet dhe shkrimtar i vërtetë, jo unë.”
Fatmiri shpalosi ndjenjat e tij në edukimin e brezit të studentëve me vlerat e tij, me dashurinë. Fatmiri ka edukuar sa e sa breza me dashuri. Dashuria nuk është gjë tjetër veçse pasqyrimi te njerëzit i vlerave të njeriut. Bota e tij si pedagog ka pasur një dimension të gjerë që e ka mbajtur, e ka ruajtur dhe e ka ushqyer, ndaj vazhdimisht ka pasur sukses.
Ai ka pasur një gjerësi shikimi në punën e tij dhe ka ecur gjithmonë me hapa të menduar për të nxjerrë një produkt me vlera, që e ka bërë sot realitet, duke i dhënë edhe orientimin se si të mësojnë nga njerëzit, nga jeta dhe të jenë bashkëkohorë. Nuk i ka lënë të gabojnë, me durimin dhe këmbënguljen e tij, që të mos bëhen jetë e shpërfillur e shoqërisë, por produkt i një brezi të mirë.
Fatmiri i mësoi studentët e tij se libri është ushqim për mendjen e lexuesit. Ai thotë: “Libri aktivizon të gjitha shqisat e njeriut dhe i ngul ato në memorie, fantazi dhe imagjinatë.”
Siç thotë U. Theker: “Librat ndriçojnë shpirtin, lartësojnë, forcojnë dhe plotësojnë njeriun. Ato zgjojnë aspiratat më të mira, mprehin mendjen dhe zbusin zemrat.” Fatmiri theksonte se duhet të lexojmë më shumë, pasi epoka dixhitale po zëvendëson lidhjen me librin tradicional. Ishte nder për ne dhe për ju, shikues të nderuar, që e kishim një personalitet që tërë jetën ia ka kushtuar kulturës, artit, letërsisë, librit dhe mësimdhënies.
Letërsia është një medium i fuqishëm që mund të ndikojë në ndërgjegjen shoqërore dhe të krijojë lidhje të fuqishme në shoqëri. Nga kjo bibliotekë kanë dalë shumë libra, si: “Histori gojore me të moshuar” dhe “Nga Sanxhaku dhe me prejardhje nga Sanxhaku”, të shkruara nga Ismet Azizi.
Në librin me përmbledhje dramash të shkurtra teatrale të shkruara nga Arben Kurteshi, Fatmiri thekson: “Arbeni na bën të udhëtojmë nëpër historinë e gjallë të popullit tonë, të mbushur me ndjenjë dhe frymëzim.” Fatmiri shprehej se këto shfaqje nuk ishin vetëm drama teatrale të shkurtra, por thirrje për ringjalljen e vlerave tona kombëtare dhe kulturore. Ato janë ftesë, thoshte ai, për të kujtuar rrënjët tona, për të mbajtur gjallë flamurin që valon në zemrat tona dhe për të përcjellë frymën e bashkimit të brezave që vijnë.
Fatmiri shprehej: “Ky libër, i cili i bën një zbërthim kaq të ndjerë patriotik, është testament i ndjenjës së tij të thellë për letërsinë, atdheun dhe njeriun shqiptar, një ftesë për të mos harruar kurrë se kush jemi dhe prej nga vijmë.”
Romani “Dy vdekjet e një jete” ka hyrë në vitin e dytë të botimit, por edhe sot nuk hiqet nga dora, pasi është tejet cilësor dhe aktual. Ky roman u shpërblye nga shteti i Kosovës si romani më i mirë i vitit 2018. Këtë e dëshmojnë edhe letrat e shumta që Fatmiri merr çdo ditë, ku lexuesit i shprehin pikëpamjet, ndjenjat dhe përshtypjet e tyre. Njëra nga këto lexuese është edhe Sejrie Ruka Kaçeli nga Bologna, Itali, e cila i shkruante:
“Përshëndetje, mik i nderuar, poet, shkrimtar dhe profesor Fatmir Halimi!
E lexova me shumë kënaqësi dhe interes romanin tuaj. Që në kapitullin e parë më tërhoqi dashuria e Astritit për Valonën (në kujtimet e tij), e cila është sa magjepsëse, aq edhe reale! Drama është thurur me mjeshtëri artistike, të bën për vete, të bën të ndihesh në zemrat dhe mendjet e të gjithë personazheve. Të lë ndjenja të ëmbla për dashurinë e të rinjve, pa banalitet. Të fut në ngjarjet e dhimbshme të Kosovës, për shkatërrimin e jetës së dy familjeve dhe shuarjen e ëndrrave rinore.
E kam përgëzuar për mënyrën e të shkruarit, për rrjedhshmërinë, thjeshtësinë e përshkrimeve me një gjuhë të pastër që e bën romanin të kuptueshëm. Kam mbetur me mbresa dhe lot nga mënyra se si hyni në botën e brendshme të të gjithë heronjve, në dramën e jetës së tyre. Kulmi arrihet kur, pas dashurisë së pafat, pret një zgjidhje të lumtur, por ndodh ajo që nuk imagjinohej. M’u drodh zemra, qava me lot të rrjedhshëm.
Komplimente dhe suksese për krijimet e tij të shkëlqyera letrare! E falënderova për dhuratën e veçantë! Respekte pa fund për këtë talent dhe lumturi i urova për familjen e tij.
Punët e bukura e kanë lavdërimin me vete. Vlerat dhe asetet tona kombëtare është mirë të njihen dhe të promovohen në çdo kohë. E kur mbesin të shkruara, padyshim do të bëhen pjesë e trashëgimisë dhe do të njihen nga brezat e ardhshëm për kontributin e tyre të madh. Prandaj, puna dhe kontributi i tij ishte i pallogaritshëm. Respekt!”
Sa bukur shkruan Zekerija Idrizi për mikun e familjes së tij, Fatmirin, poetin dhe shkrimtarin e talentuar të cilin e vlerësonte shumë:
“Fatmiri është gjithashtu një prind shembullor. Së bashku me gruan e tij kanë rritur dhe edukuar fëmijë të mrekullueshëm, të cilët janë model në shkollë dhe në shoqëri.”
Bashkëshortja e tij, Vahidea Halimi, është një piktore mjaft e talentuar, ndërsa Leme Vokrri thotë se për të ajo është një yll i vërtetë, dhe Zaide Maksuti i uron suksese në këtë rrugë të nisur. Ajo po arrin majat në art, shkruan miku i familjes së tyre, poeti dhe shkrimtari i talentuar Zekerije Idrizi: “Piktura është një thesar i talentit të saj, që e ka pasur që e vogël dhe e përsosi në rrugën e jetës me shumë dashuri.” Dhe kënaqësia e Fatmirit dhe Vahides ishte dalja e shumëpritur e romanit të vajzës së tyre, Sarandës, e cila po ecën në rrugën e babait të saj.
Përshkrimi i bërë nga Valentina Muka për autorin Fatmir Halimi dhe bashkëshorten e tij Vahiden është mbresëlënës dhe i mbushur me emocion. Valentina thekson fisnikërinë dhe klasën e tyre që e ndjeu qysh në përshëndetjen e parë. Në Panairin e 27-të të Librit në Tiranë, ata ndodheshin në stendën e MediaPrint, ku Valentina prezantonte librat e saj. Ata e përjetuan një takim të natyrshëm dhe të ngrohtë, që çoi në një bisedë të thellë e të këndshme mbi veprat e tyre letrare.
Fatmir Halimi, autori i romaneve “Dy vdekjet e një jete” dhe veprave të tjera, i tregoi Valentinës dëshirën e tij që romani të përkthehej në anglisht, për t’u dhënë më shumë lexuesve mundësi të kuptonin luftën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës nën pushtimin serb. Valentina pranoi menjëherë ta përkthente romanin pa asnjë detyrim, dhe brenda dhjetë ditësh ajo e kishte përfunduar përkthimin. Për Fatmirin, kjo ishte një befasi e madhe dhe një moment gëzimi të thellë, kur ai mësoi se përkthimi tashmë ishte përgatitur dhe gati për botim.
Ky akt humanist nga ana e Valentinës pasqyron një lidhje të ngushtë mes shkrimtarëve, ku mbizotëron respekti dhe mbështetja për krijimtarinë e njëri-tjetrit.
Përveç suksesit në letërsi, bashkëshortja e Fatmirit, Vahide Maksuti, gjithashtu shkëlqen në fushën e artit. Ajo është piktore me talent të rrallë dhe ka realizuar një pikturë të famshme të “Monalizës” gjatë një vizite në Paris. Ja si shprehet Valentina Muka: “Kurrë ndiq ëndrrat me shpirt, suksesi është i padiskutueshëm, i pashmangshëm.”
Ndërkohë, miqtë dhe kolegët e Fatmirit e vlerësojnë për bujarinë dhe zemërgjerësinë që ka treguar ndaj veprave letrare të miqve të tij, duke i botuar falas disa prej tyre, siç ishte edhe Antologjia “Portrete shqiptaresh” e autorit erudit Zekerija Idrizi.
Fatmir Halimi ishte një gjeni i fjalës, një njeri që shkruante me gjuhën e zemrës dhe u jepte lexuesve të tij mesazhe të qarta dhe të fuqishme. Ai ka fituar respektin e lexuesve dhe kolegëve, jo vetëm për talentin e tij letrar, por edhe për njerëzillëkun dhe përkushtimin ndaj artit dhe mësimdhënies.
Fjala e tij ka peshë te çdo lexues. Fjalët e tij dilnin si një lum kristalesh dhe thureshin me bukuri dhe finesë. Fisnikëria e tij ishte balsam për zemrat e lexuesve. Ai shkruante me gjuhën e zemrës dhe derdhte me penel gjithë ngjyrat e shpirtit. Ai kishte një penë të artë. Ishte dimensional, i thjeshtë; shkrimet e tij kishin shpirt, ato flisnin shumë, ndjenin, frymonin. Në to rrihte një zemër që e donte artin. Ato të buzëqeshnin, përçonin mesazhe dhe ide me pikësynime të qarta, ndaj e donin, e respektonin dhe krenoheshin për të si shkrimtar të denjë, si pedagog shembullor që edukonte brezin e ri, të cilët flasin fjalët më të mira për pedagogun e tyre.
Fatmiri gëzonte edhe respektin e kolegëve të tij, por edhe të shokut, mikut të tij të zemrës, Zekerija Idrizit, me të cilin ka pasur një bashkëpunim të përhershëm, sepse i bashkon një ideal, një qëllim. Zekerija e vlerësonte shumë mikun e tij, duke thënë se është një njeri i thjeshtë, i thellë në kritikë, bujar, me ndjenja të theksuara humane, pedagog mjaft i përgatitur, i zoti në profesionin e tij, të cilit i buronin vlera të shumta. Pra, ky është shkrimtari me vlera që na ka sjellë më të mirën, më të bukurën, më të dobishmen, dritën e botës së tij shpirtërore, që me punën e tij të palodhur ka arritur majën, dhe lexuesit e quajtën vlerë të kombit që ndriçoi si një yll i vërtetë!
Ai iku, por la pas shkëlqimin e dritës së tij, la gjurmë të pashlyera te studentët, shokët, miqtë, të afërmit, la frymën e tij në bibliotekë te librat e tij, la edhe gjurmët e dashurisë! Ai iku i ri e pa bërë asnjë mëkat, ndaj emri i tij do të jetojë gjatë. Ju prehtë shpirti në parajsë!