Po të të thosha se-Andrew Faber-Sjell në shqip M Zegali Rustemi

PO TË TË THOSHA SE

Po të të thosha se
sa herë kam ecur nëpër errësirë
zbathur përmes frikërave të mia
do të ndjeje hapat që jehonë brenda
nëpër dhomat e zbrazëta të zemrës
ku kam fshehur ditët
në të cilat nuk merrja dot frymë.

Ka patur momente kur
e pyesja veten nëse ia vlente
nëse e gjithë kjo ulje ngritje
ishte thjesht një lojë mizore e universit
ose një provë force
e unë, lodhur, nuk kisha përgjigje
vetëm netë pafund dhe britma mendimesh
të cilat përpiqeshin të dilnin.

Më së fundi, kuptova se nuk ishte errësira
që më bënte të dridhesha
por guximi për ta kaluar atë.
Sepse tamam aty, në mes të asgjëje
zbulova se edhe dhimbja
ka këngën e vet
dhe çdo lot, ka një rrënjë.

Do të të thosha se nuk është frika
që na përcakton për atë që jemi
por pluhuri me të cilin mësojmë të vallëzojmë
në mes të stuhisë.
Sepse edhe kur era
hakërrehet
është gjithmonë një farëz
që i ngjizet jetës
gati për t’u çelur
pikërisht, mu në zemër të suferinës.

Më së fundi, arrita të kuptoj se nuk ia vlen thjeshtë që ta kem të qartë
që qëllimi nuk duhet të jetë destinacioni, por momenti.
Të jetosh është lojë ekuilibri
në prag të çdo gjëje
me frikën shtrënguar në duar
dhe guximin ndër sy.
Një frymëmarrje pezull midis qëndrimit dhe ikjes.
Është të kesh ndjesinë e zbrazëtisë nën këmbë dhe të vazhdosh të rrezikosh, po njëlloj
sepse ndonjëherë pikërisht kur pengohesh
zbulon se mund të fluturosh .

**********
✒️ Andrew Faber
©️ Sjell në shqip M Zegali Rustemi Marjana
🎨 Vladimir Volegov
#rustemimarjana #art #letersi #kulture