Nga Agron MEMA

Koçi Moçi nga Mursia e bashkisë së Konispolit nuk rresht së rrëfyeri historinë e tij të dhimshme të vuajtur padrejtësisht për tre muaj, 90 ditë, hetuesi në kohën e diktaturës komuniste i akuzuar si kryetar i një grupi armiqësor që kërkonte të arratisej jashtë atdheut ( tradhëti ndaj atdheut quhej atherë nga shteti komunist që penalizoheshe nga burgim 8 vite, neni 55, heqje lirie e deri në dënimin kapital, dënim me vdekje).Koçi Moçi për herë të parë bëri detaje nga kjo histori e dhimshme në 23 shtator 2016 tek faqet e gazetës “ TELEGRAF”, por detaje të sipërfaqshme, me rezerva e jo historinë e plotë të tyre. Po çfarë kishte ndodhur? Rrëfimi është i dhimshëm e Koçi loton e shfrynë gjithë ankth e brengë shpirtërore që i ka pushtuar gjoksin dhe i shpërthen si vullkan. Koçi thotë se ishte një inskenim i sigurimit të shtetit ndaj të ashtuquajturit “ Grupi armiqësor i Mursisë” i përbërë nga 7 persona; Koçi Moçi nga Mursia, Vasil Mavro nga Mursia i cili iku dhe vdiq në Greqi pa ardhur më në Shqipëri pas shembjes së sistemit komunist, Pipo Çabiri nga Saranda, Ylli Goshi nga Saranda, Timo Lapa nga Saranda, një person nga Memaliaj dhe një tjetër nga Kavaja. Inskenimi i arrestimit të tyre u bë i finalizuar tek vendi i quajtur Manastir, afër Ksamilit. Atëhere, në atë kohë, kjo quhej zonë kufitare dhe pasaporta e banorëve, përveçse kishte një vulë identifikimi nga Dega e Punëve të Brendshme si banor i zonës kufitare, kishte edhe orar kufizues për lëvizjen e banorëve vendas, se të tjerët duhej të merrnin lejen nga Dega e Brendshme e rrethit.
Kjo u shfrytëzua në planin operativ për arrestimin e tyre. Ata u arrestuan dhe u mbajtën në hetuesi rreth 3 muaj, ose 90 ditë në qelitë e errëta dhe plotë tortura çnjerëzore si fizike edhe psikologjike. Koçi tregon se arrinin veprimet çnjerëzore deri aty sa hidhnin krimba të gjallë në fuçinë me ujë të cilin e përdornin edhe për të pirë. Hetuesit, Kristo Vangjeli dhe Xhevat Hana, tregon Koçi, ishin të ashpër e të tmerrshëm gjatë hetuesisë. Pas 90 ditësh hetuesi dhe tortura, u liruan nga qelitë dhe u lanë të lirë me porosinë se nuk duhej të flisnin, pa le më të tregonin se çfarë qe bërë në qeli gjatë hetuesisë se ndryshe do të ktheheshin përsëri në qeli. Nuk folëm , thotë Koçi, e kujt ia mbante? Kush qe burrë të fliste apo të bënte ndryshe nga porositë…Por Koçi thotë se e quajtën kryetar të “Grupi armiqësor i Mursisë” për vet faktin se Koçi kishte dajon e tij, Llazo Gërbura të arratisur në Greqi në vitin 1948. Kishte dhe dajon tjetër Lefter Gërbura të burgosur pasi ju arratis i vëllai dhe u dënua 25 vjet burgim nga të cilat kreu 20 vite në burgjet më famëkeqe të komunizmit në Shqipëri. Vjehrri i tij, Proko Mano u dënua me 20 vjet burg dhe kreu 15 po në burgjet famëkeqe të komunizmit shqiptar si dhe u qe sekuestruar e gjithë pasuria. Ndaj më akuzuan si kryetar grupi se unë isha ai që u kisha mbushur mendjen për tu arratisur dhe do ti sistemoja në Greqi tek daja im. U liruam të gjithë pas 90 ditëve hetuesi të tmerrshme, përveç Timo Lapës që u dënua me një vit heqje lirie. Inskenimin Koçi e sjell edhe me një fakt tjetër domethënës të një dëshmitari okular që vjen me një rrëfim rrënqethës si pjesë e kësaj historie:
“Ai qe në prag të vdekjes (dhe sot i larguar nga jeta), ndaj vendosi ta thërriste pranë tij Koçin dhe 15 burra të tjerë ta dëgjonin rrëfimin e tij. A. H. (në ruajtje të etikës nuk mund t’i përmendim emrin e plotë, por edhe pasi nuk
paraqet shumë rëndësi emri para historisë që plaku tregon) rrinte në vendin e tij duke numëruar ditët e fundit. Vendosën dhe shkua me ftesën e tij. Plaku A.H. i shikonte thellë në sy të 15 burrat. Kroi zërin si për të marrë fuqi dhe
të mundte sëmundjen dhe ia nisi me fjalë të ngadalta e të mençura. Kishte qenë kuadër dhe komunist në fshat gjithë jetën dhe këto rrethana e kishin detyruar të bashkëpunonte me organet e sigurimit. “Ju kërkova t’ju tregoj një të vërtetë, le të jetë e dhimbshme dhe e turpshme njëherësh, por do ta them dhe nuk dua ta
marr me vete në errësirën e varrit, se siç e shikoni, jam në ditët e fundit të jetës. Po e kam edhe si pendesë dhe ju gjykoni si të doni, tani për së gjalli dhe më pas për së vdekuri, unë do t’ju them ty Koçi Moçi dhe Vasil Mavro, në
ato vite të vështira, sigurimi i shtetit më dha detyrë t’ju vrisja, t’ju çoja afër kufirit dhe të lajmëroja rojën operative dhe degën e brendshme se u vratë në kufi. Nuk e bëra dot dhe sot jini të gjallë. Gjykomëni si të doni”. Plaku nuk foli më. Neve,-tregon Koçi,- na ra tavani në kokë. Kisha vuajtur hetuesive dhe tani në demokraci, para syve kisha atë njeri që do më kishte marrë jetën kot së koti. Pashë shokët, të gjithë rrinim mendueshëm e kokulur, të tronditur
e të pezmatuar. Si mund të arrinin deri këtu, o zot i madh, si?! Mbi ç’baza dhe parime?…Dolëm duke e lënë plakun në vetminë e tij të heshtjes dhe pas disa ditësh ai u largua nga kjo jetë dhe ne nuk munguam në përcjelljen e tij në
jetën e përtejvarrit.”
Sarandë; 11—10–2026
