Olimbi Dafa
Në fushën e shkrimeve publicistike, sidomos në promovimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave artistike të shumë e shumë artistëve të fushave të ndryshme, një zë i fuqishëm dhe tejet i spikatur, është pikërisht zëri dhe pena e publicistit të mirënjohur Ahmet Musta! Në shkrimet e tij, që u kushton artistëve të shumtë, ai derdh shpirtin e tij të bukur për gjithçka që dhuron. Është privilegj për mua të them pak fjalë për shkrimet e tij të spikatura, në ngjyrën e shpirtit të tij, me fjalën e bukur dhe të ëmbël që i servir lexuesit!
Ahmeti është mendjendritur, ku me elegancën e tij profesionale, ndërthur thesare brilante vlerash e pune dinjitoze. Kur flet vepra, fjalët janë të tepërta! Kjo vepër këndon ëmbël, shijon.
Janë me dhjetëra artikuj publicistikë të shkruar nga Ahmet Musta, që përcjellin vlera të çmuara njerëzore, ku ai derdh muzën, nektarin e shpirtit të tij të përsosur dhe depërton thellë në shpirt për ato që shkruan, duke iu gëzuar fryteve që i burojnë nga shpirti i pastër prej artisti.
Krijimtaria e tij ka arritur nivele të larta dhe, për këtë arsye, meriton vëmendje dhe vlerësim të veçantë. Duke lexuar krijimtarinë e tij publicistike, bie në sy talenti i spikatur, krijimtaria shumdimensionale, me vlera.
Por çfarë e dallon, mes të tjerëve, publicistin e mirënjohur A. Musta?
Përgjigjen më të saktë për këtë e jep artistja e skenës, këngëtarja e mirënjohur dhe shumë e dashur për publikun, Arta Babaramo, e cila, në komentin e saj me rastin e botimit të artikullit publicistik në revistën “Albania – Shqipëri Natyrale”, kushtuar ikonës së muzikës shqiptare Justina Aliaj, shprehet për publicistin Ahmet Musta:
“…Çdo gjë që ti shpreh është kënaqësi e madhe të të lexojë, sepse bota jote shpirtërore dhe intelektuale zgjedh një fjalor aq të pasur dhe fisnik, karakteristika që të veçantojnë nga rryma e shkrimtarëve/gazetarëve!”, thekson, ndër të tjera, këngëtarja Arta Babaramo.
Po ashtu, një tjetër intelektuale e spikatur, redaktore letrare dhe publiciste e mirënjohur, Prof. Kostandina Gegeni, shprehet kështu për publicistin Ahmet Musta:
“Fjala jote ngre peshë çdo lexues. Shpirti juaj shëron plagë të kohës, të situatës që kalojmë, të problemeve të përditshme. Fisnikëria juaj është balsam i zemrave tona. Zoti të dhëntë shëndet e jetë, për t’ju patur sa më pranë. Je NJË dhe i VETËM në vlerësim korrekt dhe human. Sikur të kishte pak si Ju, të gjithë do të ndiheshim më mirë!”
Një tjetër poete e mirënjohur, Dafina Lira Muçka, ndër shumë e shumë vlerësime për publicistin dhe kritikun letrar A. Musta, shprehet:
“Ju ndriçoni më shumë se Dielli dhe është fat i madh që në botën tonë kemi kaq njerëz të bukur si Dielli! Ju uroj vetëm mirësi në jetën tuaj – Diell, që ka vetëm shkëlqim!”
“Artist lind, nuk bëhesh, dhe ti ke lindur i tillë, artist mendjendritur”, shprehet, mes shumë e shumë vlerësimesh për mikun e saj, publicistin A. Musta, mikesha e tij, artistja Mimoza Ruko.
“Dhe Ju, miku im i mrekullueshëm Ahmet Musta, jeni një Yll që shndrit më shumë se Dielli, me mirësinë dhe pozitivitetin që transmeton jo vetëm për mua, por për të gjithë miqësinë. Ti je Gjeniu i fjalës magjike, artisti gojëmjaltë, që përcjell aq shumë art dhe kulturë, pasi ti ke cilësi të veçanta dhe sensibilitet njerëzor, që rrallë gjenden në këtë botë.”Ja si shprehet publicisti A. Musta, ndër të tjera, në artikullin “Ikonë e gjallë e letrave shqipe”, kushtuar një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, Zija Çela:
“Pasi lexon shkrimet e Zija Çelës, është si të kesh dalë nga një seancë terapeutike dhe, pas leximit të tyre, bota të duket më e paqtë dhe shumë më e bukur.”
Ai e cilëson Zija Çelën një thesar të çmuar të kombit, shkrimtar misionar, unik dhe të papërsëritshëm në stilin e tij. Ky artikull pati jehonë të gjerë dhe u pasqyrua në shumë gazeta e revista, duke marrë vlerësime pafund për përshkrimin e bukur që i bëri shkrimtarit tonë të madh, Zija Çela.
Në një tjetër artikull, të titulluar “Një tjetër ambasadore e muzikës dhe kulturës shqiptare në botë”, kushtuar këngëtares Alisiana Isufaj, ish-finaliste e “The Voice of Albania”, Ahmeti i bën një analizë të bukur gjithë rrugëtimit artistik të këngëtares, që nga mosha 5-vjeçare, kur ajo filloi të këndonte, e deri në ditët e sotme.
Artistes Alisiana Isufaj, e cila jeton në Londër, Ahmeti i bën një vlerësim mjaft dinjitoz e të merituar, duke na e sjellë para nesh si një shembull të bukur të arritjeve të artistëve shqiptarë nëpër botë. Shkrimi i tij është mbresëlënës, produkt i një mendjeje të bukur, shkrim i ngjyrosur me figura të bukura, që, kur e lexon, të shpalos vlerat e kësaj artisteje me një zë brilant, të ëmbël dhe unik.
Ja si shprehet poetesha e adhuruar nga lexuesit, Mimoza Halili, rreth këtij artikulli:
“Një analizë e shkëlqyer, e artikuluar bukur për artisten Alisiana, që mjeshtri i penës, Ahmet Musta, e ka qëndisur me margaritarë e metafora arti, që nxjerrin aq bukur në pah vlerat artistike dhe talentin e këngëtares në fushën e interpretimit të këngës.”
Ndërsa artistja Mimoza Ruko shprehet për këtë artikull:
“Të jesh në krahun tënd, miku im artist, është vlerë dhe krenari, sepse artistët gjejnë artistët dhe kujtimet mbeten gjithmonë të bukura dhe të vyera ndër vite.”
Në një tjetër artikull pikant, kushtuar shkrimtarit, publicistit, gazetarit dhe botuesit Albert Zholi, përmes një ekspozeje mjaft të bukur, Ahmeti sjell në vëmendje të lexuesit arritjet e shkrimtarit të mirënjohur, përmes një përshkrimi mbresëlënës, ku veprimtaria e tij artistike është mjaft e spikatur dhe e një niveli shumë të lartë artistik.Në një tjetër artikull të disa viteve më parë, kushtuar aktores, pjesë e kinematografisë italiane, Enkeleda Kosova, e larguar që në moshë të vogël në Itali, Ahmeti, përmes këtij artikulli, sjell për lexuesin arritjet e kësaj aktoreje, e cila, me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ka arritur të jetë pjesë e kinematografisë italiane.
Ndërsa në artikullin me motiv patriotik dhe atdhetar, me titull “Atdhetarë me vepra”, Ahmeti sjell në vëmendje të lexuesit aktin e lartë atdhetar të intelektuales së shquar Mimoza Prifti, me banim në Kanada, e cila, me rastin e tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019 në Shqipëri, krijoi një fondacion në Kanada, ku mblodhi e dërgoi në Shqipëri rreth 100.000 dollarë, në ndihmë të banorëve të dëmtuar nga tërmeti.
Sa bukur e mbyll këtë shkrim Ahmeti: “Të gjithë kemi menduar dhe medituar që të jemi atdhetarë, por ti je një copëz atdhedashurie reale, Mimoza Prifti!”, e përfundon shkrimin Ahmeti.
Ndërsa në një tjetër artikull, kushtuar artistes së madhe të skenës, aktores dhe këngëtares ikonë Justina Aliaj, disa vite më parë, Ahmeti sjell në kujtesë për lexuesit rrugëtimin brilant, por edhe mjaft të vështirë, të kësaj artisteje të madhe, të cilën e quan Mireille Mathieu të Shqipërisë.
“Kujtimet janë copëza nga jeta jonë, por, në mes artistëve, ato lënë gjurmë në kujtesë. Ato mbeten thesare në memorie dhe kujtohen me nostalgji. Kujtimet me këngëtarët që janë pjesë e historisë së muzikës shqiptare janë gjithmonë të bukura”, thotë Ahmeti, kur pasqyron fotot-kujtim me këngëtaret Aurela Gaçe dhe Rovena Dilo, me rastin e koncertit të organizuar nga “Iliria – Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë në Itali”, ku Ahmeti ishte një nga drejtuesit kryesorë të kësaj shoqate, zhvilluar në teatrin “Orione”, në Romë, dhe ku i prezantoi vetë Ahmeti.
Po kështu, me superlativa shprehet në shkrim Ahmeti edhe për mikun e tij të hershëm, aktorin e madh shqiptar, Artistin e Popullit Kadri Roshi.
“Sa i vogël të duket vetja pranë këtij kolosi”, shkruan Ahmeti në foton-kujtim me artistin e madh Kadri Roshi.
Ndërsa në artikullin me titull “Një talent shqiptar në horizont”, kushtuar vogëlushes 13-vjeçare Lediona Syla nga Kosova, Ahmeti, përmes këtij artikulli, sjell në vëmendjen e lexuesit talentin e kësaj vogëlusheje në fushën e prozës, poezisë, pikturës dhe moderimit.
Ndër të tjera, në këtë artikull Ahmeti vë në dukje se autorja Lediona Syla ka botuar librin e saj me poezi “Me zemër të valë”, në moshën 11-vjeçare, dhe ky është një rast unikal në botë, thekson ai.
Ndërsa aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Itali, në kuadrin e shoqatës “Lega Imigrati Albanesi” (Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë), ku Ahmeti ishte një nga drejtuesit kryesorë të saj, e cila drejtohej nga profesori i shquar i Universitetit “La Sapienza”, V. Kosturi, e ka pasqyruar në një artikull emocional dhe mbresëlënës, ku, ndër të tjera, i paharruar mbetet ai moment kur, në një nga manifestimet në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, Ahmeti u drejtohet nga tribuna emigrantëve nga e gjithë bota me fjalët shqip:
“Do të fitojmë apo jo?”
…dhe përgjigjja në shqip nga rreth 40 mijë emigrantë të të gjitha racave e kombësive, me fjalët:
“PO! PO! PO!”
e pasqyruar gjerësisht në të gjitha edicionet e lajmeve të televizioneve italiane, e bën të paharruar këtë moment historik!
Për më tepër, duke iu referuar këtij momenti, në takimin e organizuar në fund të manifestimit me drejtues të pushtetit dhe autoritetet italiane, prefekti i Romës u drejtohet me fjalët:
“Të fortë ju shqiptarët. Edhe këtu, në mes të Romës, i bëtë të gjithë të flasin shqip!”
Ja sa bukur shprehet krijuesja e talentuar, poetja Mimoza Halili, rreth këtij momenti:
“Artisti gjithnjë mbetet artist, sepse inteligjenca dhe kultura është identiteti origjinal i gjuhës së bukur që e shoqëron si një pasaportë. Ngado që të shkojë, tërheq publikun me dinamizmin shpirtëror dhe kjo është një meritë që jo çdokush e përvetëson kaq bukur e thekshëm; një zë brilant që magjeps turmën si një nismëtar që zotëron forcë të parezistueshme. Një kujtim që do të mbetet përherë në kujtesë, si një yll që ndriçon mes yjeve në çdo pozicion që të jetë. Jo të gjithëve u ndodh kjo. Je ëndërrimtari me hap shembullor, publicisti i mrekullueshëm, që di të gdhendë një ese apo prolog fantastik me penën e artë, që kush e lexoi dhe nuk u mahnit!”, përfundon komentin e saj poetja dhe shkrimtarja Mimoza Halili.
“Ju, Ahmet, jeni një kopshtar që i bëni shpirtrat të lulëzojnë; shkruani me ngjyrat e shpirtit. Miqësia është privilegj. Ajo i ngjan librave të vjetër që koha u jep shumë vlerë. Lum kush e vlerëson dhe e mban të pastër e të sinqertë. Jeni zemër flori, i thjeshtë, i mençur, shpirtbardhë; rrezatoni mirësi dhe ëmbëlsi të spikatur te lexuesi dhe shoqëria. Lum kush lë fjalën e mirë. Fjala e mirë ndriçon vendin, fjala e keqe prish kuvendin.
Ju jeni një krijues i palodhur, jeni origjinal, për t’u marrë shembull me postimet tuaja. Të vetmen pasuri, botën shpirtërore, ju dini si t’ia falni lexuesve, të cilët e kanë bërë pronë shpirtërore të tyren. Intelektuali nuk është thjesht një magazinë dijesh, por edhe një gjenerator vlerash. Arti juaj është i bukur, i ndier, fin, nxitës dhe frymëzues. Fjalët tuaja kanë shpirt, vërtetësi. Jeni penë origjinale, ku dallohet sinqeriteti juaj, me një rrëfim konciz, të gjallë, konkret dhe mjaft shprehës.
Ju jeni një zotëri me zgjuarsi dhe karakter të fortë, shembull i modelit të mirë, me një formim të gjithanshëm, miqësor dhe të pastër në shpirt. Ju vlerësojnë të gjithë ata që ju njohin, sepse jeni një zotëri me diapazon dhe kulturë të gjerë, formim e integritet për t’u pasur zili, njeri fisnik, çmues i vlerave që përcillni, i matur në çdo fjalë që shkruani.
Vlerësimet për ju, për kontributin tuaj në fushën e letrave, janë nga më të bukurat dhe më të veçantat, që nga lexuesit e thjeshtë e deri te poetët, shkrimtarët, këngëtarët dhe artistët e të gjitha fushave.
Ja si shprehet artistja e madhe e skenës, aktorja dhe këngëtarja Justina Aliaj, në një koment për publicistin Ahmet Musta, në artikullin që Ahmeti i kushtoi artistes:
“I dashtun Ahmet, nga zemra të falënderoj për artikullin e shkruar me aq dashuri, pasion e respekt për karrierën time. Është një përkujdesje që më preku shumë dhe të jam mirënjohëse, sepse në mes rreshtave arrita të lexoj atë adhurim që ne artistëve na i jep kuptim jetës sonë artistike dhe na mban gjallë pasionin e pashuar për artin.”
Me respekt të thellë, Justina!”
Ndërsa shkrimtari i madh Zija Çela, në komentin e tij te artikulli “Ikonë e gjallë e letrave shqipe”, shkruar nga Ahmet Musta, shprehet ndër të tjera:
“O Ahmet Musta. Sapo e lexova shkrimin. Kumbon, kumbon shpirti yt, duke shprehur shumë, po shumë mirësi ndaj meje. Ajo që më gëzon, e më gëzon veçmas, është se shoh që ke kërkuar me këmbëngulje dhe ke lexuar me vëmendje çfarë është shkruar rreth veprimtarisë sime. Pra, duke më dashur mua, ke plotësuar letrarisht edhe veten. Shpresoj që në të ardhmen do të vazhdosh edhe me autorë të tjerë, prozatorë e poetë të denjë, që nuk i mungojnë letërsisë sonë në të gjithë hapësirën shqiptare e në mërgata. Të falem përzemërsisht, Ahmet Musta, ty që vetë i falesh Shen Librit”, shkruan ndër të tjera shkrimtari i madh Zija Çela për publicistin Ahmet Musta.
Jo vetëm për artikujt e tij të shumtë publicistikë, por edhe për gjithë mirësinë dhe vlerësimet që bën e përcjell te të gjithë miqtë e tij, qoftë njerëz të thjeshtë, krijues, shkrimtarë, poetë dhe artistë të të gjitha fushave, Ahmeti ka marrë vlerësime të larta, më se të merituara dhe me superlativa për gjithçka është e prezanton në shoqëri.
Si rrallëkush tjetër, shpeshherë është bërë objekt muzë dhe frymëzimi për shumë poetë dhe poete, të cilët i kanë kushtuar poezi publicistit dhe mikut të tyre Ahmet Musta, për të cilat Ahmeti thotë se ndihet i lumtur dhe krenar që rrethohet nga një miqësi e tillë kaq e mrekullueshme.
“Këto poezi që më kanë kushtuar mikeshat dhe miqtë e mi artistë, të cilat janë mjaft të arrira dhe me nivel të lartë ideo-artistik, do t’i ruaj si thesare të çmuara në memorien e kujtesës”, thotë Ahmeti.
Ja sa bukur e shpreh në vargje, përmes një figuracioni letrar mahnitës, në njërën prej tri poezive që poetja e mirënjohur dhe shumë e dashur për lexuesin, Brixhilda Dede, ia kushton publicistit dhe gazetarit të mirënjohur Ahmet Musta, me titull:
VLERA E FJALËS
Të pasurit e një miku të mirë,
Çfarë është për ju?
Për mua diçka më tepër se një thesar,
Ajo fjala e thjeshtë, e ëmbël, që i ngjan lules kur çel mes një dimri acar,
I ngjan muzgut gushë argjend shfaqur, pas një nate të verbër pa yje,
Trëndafilit të egër, çelur në pyje.
Kur Dielli lëshon rreze drite mbi kurm pemësh e puthet me qiellin,
Shfaqet imazhi yt, ngjarë me Diellin!
Me nota të larta poetike dhe vlerësime me superlativa e përshkruan në vargje Ahmetin shoku i tij i shkollës, poeti i mirënjohur Arben Mosko, në disa prej poezive që i ka kushtuar shokut dhe mikut të tij, publicistit Ahmet Musta.
Ja disa nga vargjet në poezinë e titulluar:
SIMBOLE TË NJË HEROI
*Dua të të uroj fat dhe shëndet,
O shoku, miku im i dashur skënderbegas,
Dhe me disa vargje të të përshëndes,
Vargje trëndafila, dalë prej zemrës.
Në çdo urim tëndin ti mjaltin përcjell,
Nektarin e mbledhur nga ajo shkollë,
Kur pasioni shpërthente vullkan i vërtetë,
Me ëndrrat në shpirt thurur kurorë.
Ai pasion na mban gjallë akoma,
Dhe ti, shoku im, kudo e shfaq,
Se fjala jote i ngre peshë zemrat tona,
Se je vërtet një idhull në çdo çast.
Të kemi mes nesh si një Perandor,
Se ai gjeni jot është gjen prej artisti,
Ti je Ahmeti që na frymëzon,
Me germa të arta publicisti.
…Së bashku do të jemi i vetmi simbol,
Simboli i asaj shkolle me emër,
Simboli i më të madhit hero,
Që unë dhe ti e mbajmë emblemë në zemër!*
Ndërsa në një tjetër poezi me titullin aq domethënës,KUMBARI I MIQËSISË, përmes vargjeve, poeti Arben Mosko vlerëson lart figurën e mikut të tij, publicistit Ahmet Musta, si një person që vlerësohet dhe respektohet nga të gjithë.
*Të uroj nga zemra, Meti,
Të uroj për shumë vjet,
Se ti je i gjithë lezeti,
Në çdo fjalë e çdo sebep.
Fjala jote në çdo germë,
Është kumbare e miqësisë,
Është si nota në çdo këngë,
Ujëvara e melodisë.
Ajo fjalë të bën për vete,
Notë plot aromë malli,
Ajo fjalë është përshëndetje,
Nga një zemër shqiptari.
Ndaj dhe unë të përshëndes,
Jam krenar që jam pranë teje,
Se ti je vërtet i thjeshtë,
Nga të gjithë gëzon respekt.
Veç respekt edhe mirënjohje,
Të uron dhe poezia,
Mirënjohjen e çdo moshe,
Sa të jetë dhe Perëndia.
Me ty mburrem në çdo hap,
Në çdo çast e në çdo ditë,
Kur ke Ahmetin në krah,
Ke të shtatë mrekullitë!*
Bukur e sjell në vargje portretin e Ahmetit edhe poeti i afirmuar, Dhimitër Çanga, në një poezi që i ka kushtuar, me titull:
SI E LEXOJ UNË PORTRETIN TËND
*Portretin tënd, miku im, e lexoj me lehtësi,
Vetëm buzëqeshja shpreh një hapësirë pafund, mbushur me dashuri,
Një qiell të kaltër e të pastër pa re,
Një det të kaltër e të qetë,
Një Diell me rreze të arta që shkëlqejnë,
Si në pikën e vesës në agim.
Në tiparet e portretit tënd lexon gjithçka, se të flasin vetë,
Të flasin për shpirtin tënd të pastër qelibar,
Për ngrohtësinë e zemrës e mirësitë e saj,
Për cilësi e dhunti që natyra të ka falë,
Për gojën e fjalët që nxjerrin e pikojnë mjaltë,
Për pjekurinë, ëmbëlsinë e urtësinë, që mund të afrojnë e bindin edhe atë,
Që gjuha hekura i këput.
Kapaciteti i mendimit e komunikimit tënd,
Mund të lidhë e të bashkojë për mirë,
Një botë të tërë, një shoqëri!*
Ndërsa poetja e mirënjohur Mimoza Halili i ka kushtuar një poezi vërtet të bukur publicistit Ahmet Musta, me rastin e ditëlindjes:
*Urime dhe festa të kesh çdo ditë, çdo orë,
Të llamburisë gostia me gaz e verë,
Të ndrijë buzëqeshja si shkëlqimi diellor,
Mirësi të begatoftë jeta përherë.
Kudo që të shkosh mos e ndal hapin,
Të fluturosh si zog mali në qiell,
Mes ëndrrave ku pulsin ritmik rrahin,
Gjithë dëshirat t’u bëfshin Diell.
Gëzo e lumturohu kur prek mrekullitë,
Katarakti i urimeve buron te pragu,
Të dritërojë jeta tinguj pa limit,
Të çelin si jargavanë varur te parmaku.
Te parmaku i gaztë që vegon agimi,
E si kurorë lulesh kundërmojnë në derë,
Në mijëra përshëndetje yje vezullimi,
Stinët e jetës t’u bëfshin pranverë!*
Nuk përfundojnë kurrë vlerësimet nga më të bukurat për mikun e të gjithëve, publicistin me penën e artë dhe zemrën e madhe, Ahmet Musta. Vlerësime për një person që përcjell vetëm mirësi dhe pozitivitet te të gjithë.
Sa bukur shprehet poeti i mirënjohur Myslim Xhaferraj, që e përshkruan me dy vargje-himn portretin e mikut të tij, Ahmet Musta:
“DIELLIT IA KE VJEDHUR ATË BUZËQESHJE TË ARTË,
O MIKU IM, MAL I LARTË!”
Ahmeti ndihet krenar që artin e tij të të shkruarit e përcjell më tej me artin e saj të të pikturuarit, vajza e tij artiste, e cila shquhet aq shumë në artin e bukur të pikturës.
Koha prodhon njerëz dhe u jep atyre vulën e saj, por ka edhe njerëz që bëjnë kohën dhe i japin asaj emrin e tyre. Një prej tyre është pikërisht publicisti i mirënjohur Ahmet Musta.