Armela Hysi – njeriu, shiu dhe shegët e vjeshtës-Nga Timo Mërkuri


 
Nga Timo Mërkuri


Cikli poetik i Armela Hysit, që marrim në shqyrtim, na vendos përballë një njeriu që nuk është gjithmonë në një mendje me veten. As me tjetrin. Diçka mbetet pezull, edhe kur duket se gjithçka është kthyer në vendin e vet. Një mendim që nuk të lë të qetë, një mungesë që nuk e shuan prania, një mall që pret të piqet si shega në vjeshtë. Armela i mbledh këto gjendje në imazhe të befta, herë të ashpra, herë të përshkuara nga një sensualitet i ngrohtë. Nuk nxiton të na i shpjegojë deri në fund. Na lë përballë tyre, sikur secili të duhet të gjejë aty diçka nga vetja.
Ky cikël poetik është  botuar në Revistën Letrare më 18 tetor 2026.
1. Njeriu përballë vetes
Te «Njeriu që jam më sheh me sy prej shiu», vetja bëhet e huaj për vetveten. Njëri vështron, tjetri shmang sytë: «unë s’guxoj ta shoh në sy.»
Një krisje e vogël, por sa shumë hyn brenda saj. Pastaj vjen vargu: «njeriu që jam më lexon / mendimin.» Kush mund t’i fshihet vetes, kur edhe mendimi bëhet i lexueshëm për atë tjetrin që jeton brenda nesh? Është një vetvete që nuk të lë të qetë, që të ndjek edhe atje ku mendon se je vetëm. As buzëqeshja, as pamja e jashtme nuk të ndihmojnë të fshihesh prej saj.
Më tej, trupi shpërbëhet në një pamje gati të frikshme, me syrin ciklopjan dhe barkun e hapur. Ankthi merr trajtë, bëhet trup, por një trup që nuk i bindet më përfytyrimit tonë të zakonshëm për njeriun. Pamja surrealiste nuk është një çudi e hedhur aty për efekt. Ajo i jep formë një gjendjeje të brendshme që vështirë se mund të thuhet ndryshe.
«jam veç / ajër i ngjeshur me impulse idesh.»
Pas këtij ajri të ngjeshur, pas mendimit që nuk gjen prehje, vjen një dëshirë e thjeshtë: «të më prekësh me dorë.» Këtu poezia kthehet te trupi, por jo te trupi si pamje. Te nevoja për tjetrin. Njeriu që nuk e gjen dot veten kërkon dorën e tjetrit, sikur prekja të mund t’i japë për një çast atë siguri që mendimi ia mohon. Më duket se këtu poezia e zbulon plagën pa e emërtuar.
2. Shega, puthja dhe ngjyra
Te «Deep Purpule», e kuqja e shegës merr gjithë hapësirën. Puthjet piqen, çahen, lëshojnë lëngun e tyre. Trupi dhe fruti afrohen aq shumë, sa njëri bëhet mënyra për të përjetuar tjetrin: «puthjet, si shegë të pjekura»
Kjo ngjashmëri nuk mbetet te forma apo ngjyra. Shega sjell me vete shijen, lëngun, pjekjen, çastin kur fruti është gati të hapet. Puthja merr diçka nga ky bollëk, nga një dëshirë që nuk mjaftohet me pamjen, por kërkon shijen dhe prekjen. Erotika e poezisë nuk është e ftohtë, as e largët. Ajo është e gjallë, e kuqe, pothuajse e prekshme.
Djemtë ngjyejnë penelat te puthjet dhe pikturojnë. Pikturojnë sërish. E pastaj edhe një herë. Sikur çasti të mos pranonte të mbaronte, sikur puthja të mos ishte vetëm një përjetim, por edhe një gjurmë që duhet lënë diku. Ndjenja bëhet ngjyrë, buzët kthehen në burim të saj dhe peneli e çon përtej çastit të përjetuar.
Këtu fjala poetike takohet me pikturën. Përsëritja «pikturojnë. / pikturojnë. / pikturojnë.» i jep kohë imazhit të vazhdojë, sikur puthjet të mbeten në lëvizje edhe pasi vargu ka përfunduar. Pikturimi nuk është një zbukurim i jashtëm i dashurisë, por mënyra si poezia përpiqet ta ruajë atë.
3. Prania që nuk e shuan mungesën
«Në të vrenjtur» ka një qytet të rënduar nga shiu, me ndërtesa që ngjajnë të braktisura dhe muzg që mpreh hijet. Shiu kacavaret në qerpikët e qytetit, ndërsa peizazhi duket sikur e ka humbur aftësinë për të marrë frymë lirshëm. Bota e jashtme nuk qëndron më jashtë njeriut. Është sikur trazimi i brendshëm të ketë hyrë në të dhe të mos gjejë dalje. Ndoshta këto godina të braktisura na kujtojnë edhe njerëzit. Nxitojnë aq shumë, sa harrojnë të ndalen te vetja. Bëhen hije që u mungon diçka. Jo pjesë të dukshme, jo gjymtyrë. Janë lipsanë të asaj që kanë qenë, sepse, në këtë bjerrje të ngadaltë, duke nxituar drejt gjithçkaje tjetër, pothuajse kanë braktisur veten.
Pastaj, mes këtij peizazhi të errët, vijnë vargjet:
«më mungon.
edhe kur kthehesh së fundi më mungon»
Këtu fjala ndalet aty ku duhet. Tjetri është kthyer, por diçka nuk është kthyer bashkë me të. Ndoshta ajo që kemi qenë pranë tij. Ndoshta mënyra si e kemi përjetuar dikur. Ose një pjesë e tij që kujtesa e ruan, por që prania e tanishme nuk arrin ta sjellë plotësisht.
Ka mungesa që nuk u binden pranive. Të të mungojë dikush kur është larg, kjo kuptohet. Por të të mungojë edhe kur kthehet, do të thotë se largësia nuk matet vetëm me hapësirën mes dy njerëzve. Ndonjëherë ajo mbetet brenda marrëdhënies, si diçka që nuk dimë ta rikthejmë.
4. Tri piktura dhe një mall që mbetet
Te «Tri piktura për tingullin delikat të vjeshtës», tri pamjet lidhen nga një fije e hollë: koha kalon, por nuk na çliron domosdoshmërisht nga ajo që kemi mbartur. Vjeshta hyn në poezi si stinë e ndryshimit, e kujtimeve që marrin ngjyrën e ndryshkut, e një jete që duket sikur tërhiqet, por ruan ende brenda saj një dëshirë të gjallë.
Në pikturën e parë, shtëpia është e kapërthyer nga gjarpërinjtë e zinj. Muret janë të vrazhdë, qielli i zhubrosur, kujtimet të ndryshkura. Pastaj shfaqet Laokonti: «qenë kthinat e mendjes së një Laokonti.»
Referenca mitologjike nuk vjen si një emër i vendosur për të dëshmuar njohuri kulturore. Ajo ndryshon mënyrën si e shohim shtëpinë. Ajo që në fillim mund të dukej një banesë e braktisur bëhet hapësirë mendore, një vend i pushtuar nga gjarpërinjtë e vet. Shtëpia bëhet mendje, ndërsa mendja një hapësirë ku njeriu mbetet i kapërthyer nga diçka që nuk arrin ta largojë. Kërcënimi nuk qëndron vetëm jashtë tij, por edhe brenda vendit ku mendon dhe kujton.
Në pikturën e dytë, plepat shihen si «detaje të heshtura të Van Gogut». Peizazhi merr pamjen e një tabloje, por heshtja e tij nuk është qetësi. Shiu përgjon fluturakët e uritur dhe jeta rri pas «dritares së varur». Kjo dritare më ndal. Ajo mund të lexohet si një kufi i brishtë mes njeriut dhe botës. Jeta duket ende aty, por lidhja me të nuk është e sigurt. Plepat, qielli dhe bregu i zhveshur bëhen pjesë e një peizazhi të brendshëm, ku heshtja nuk e ka fjalën e fundit, por as nuk lejon që zëri të dalë lehtë.
Laokonti dhe Van Gogu hyjnë në të njëjtin udhëtim poetik nga dy anë të ndryshme. Njëri sjell peshën e mitit dhe të fatit tragjik, tjetri një mënyrë të veçantë të të parit të botës përmes pikturës. Të dyja referencat e zgjerojnë përvojën intime, sikur ajo të kërkonte fjalë në imazhe që i paraprijnë dhe e tejkalojnë një jetë të vetme.
Dhe pastaj vjen piktura e tretë. Një tjetër dritë, një tjetër afërsi me jetën:
«i pranoi vetes se e kishte marrë malli për
shegë dhe puthjet e tij.»
Pas Laokontit, pas Van Gogut, pas qiellit të zhubrosur dhe dritares së varur, njeriu pranon mallin. Për shegë. Për puthjet e tij. Nuk është një kthim i bujshëm, as një zgjidhje e asaj që ka mbetur pezull. Është një pranim i thjeshtë, thuajse i heshtur, që e sjell poezinë sërish pranë trupit dhe dëshirës.
Shegët janë «mbushur si gjinj të shëndetshëm». Figura është e drejtpërdrejtë, trupore, e mbushur me jetë. Fruti nuk është vetëm shenjë e vjeshtës apo metaforë e erotikës. Ai është pjekur, ka ardhur koha e vjeljes, por bashkë me të është zgjuar edhe malli. Pjekuria e natyrës dhe dëshira njerëzore takohen në të njëjtën pamje. Fruti është gati të këputet; njeriut, ndërkaq, i duhet të pranojë se i mungon një afërsi që nuk e zëvendëson dot as peizazhi, as kujtesa, as arti.
Sa larg mund të shkojë poezia nëpër imazhe dhe sa afër kthehet te njeriu me një fjali të tillë! Triptiku nuk e shuan trazimin e dy pikturave të para. Malli mbetet, ndërsa dëshira i hap një dritare jetës. Vjeshta nuk është vetëm stina e rënies; është edhe çasti kur diçka piqet dhe kërkon të preket.
Këtu shfaqet edhe një lidhje e bukur me «Deep Purpule». Atje, shega dhe puthja janë pjesë e çastit të përjetuar, kur trupi, ngjyra dhe dëshira shkrihen në një. Në pikturën e tretë të triptikut, ato kthehen si kujtim dhe mall. Ajo që në njërën poezi është bollëk i çastit, në tjetrën bëhet nevojë për një afërsi të munguar. Shega mbetet e njëjta, por ndryshon gjendja e njeriut që e sheh. Dëshira nuk është vetëm ajo që përjetohet; është edhe ajo që vazhdon të na mungojë.
5. Vetja, kujtesa dhe dialogu me artet
Në këto poezi, modernizmi ndihet para së gjithash në mënyrën si Armela Hysi e vendos njeriun përballë vetes. Ai nuk është një qenie e përfunduar, e sigurt në atë që mendon dhe ndien. E vështron veten sikur të ishte një tjetër, përjeton mungesën edhe kur prania është aty dhe kërkon një afërsi që jo gjithmonë arrin ta gjejë. Shiu, shega, vjeshta dhe trupi marrin kuptim nga përplasja mes asaj që njeriu ndien dhe asaj që arrin të kuptojë për veten.
Te vargu «njeriu që jam më lexon / mendimin», kjo ndarje bëhet e dukshme. Njeriu është njëkohësisht ai që mendon dhe ai që vëzhgon mendimin e vet. Nuk kemi një «unë» të qetë, që e njeh plotësisht veten, por një identitet që lëviz, kundërshton veten dhe nuk e ka të lehtë të pajtohet me atë që është. Kjo është një nga shenjat e ndjeshmërisë moderniste në cikël: njeriu nuk paraqitet si qendër e sigurt e botës, por si një enigmë që mbetet për t’u deshifruar.
Edhe dialogu me artet e tjera e zgjeron këtë botë të brendshme. Laokonti dhe Van Gogu nuk shërbejnë thjesht si referenca kulturore; ata ndryshojnë mënyrën si lexojmë shtëpinë, peizazhin dhe gjendjen e njeriut. Përvoja vetjake takohet me mitin dhe pikturën, pa e humbur intimitetin e saj.
Këtu mund të hapet edhe një lexim në dritën e disa prirjeve postmoderniste, sidomos përmes këtij dialogu mes përvojës vetjake, mitit dhe arteve të tjera. Megjithatë, do të ishte e nxituar që këto referenca, më vete, të merreshin si provë e mjaftueshme e postmodernizmit. Rëndësi ka mënyra si funksionojnë brenda poezisë. Për këtë arsye, më e drejtë më duket të themi se në cikël mbizotëron një ndjeshmëri moderniste, e shprehur përmes krizës së vetes, përjetimit subjektiv dhe pasigurisë në marrëdhënien me botën, ndërsa dialogu me mitin dhe pikturën hap mundësi të tjera leximi.
Një nga arritjet e ciklit është edhe mënyra si figurat kthehen nga një poezi në tjetrën, pa mbetur të mbyllura në një kuptim të vetëm. Shega është trup, ngjyrë, pjekuri, dëshirë dhe kujtesë. Edhe puthja është njëherësh përjetim dhe gjurmë e tij. Në «Deep Purpule», ajo pikturohet në çastin kur përjetohet; në triptik, shega dhe puthja rikthehen si mall për një afërsi që mungon. Ndërsa në poezinë e parë, nevoja për prekje shfaqet si kërkim i vetes përmes tjetrit. Kështu, imazhet nuk përsërisin thjesht njëra-tjetrën. Ato ndryshojnë bashkë me gjendjen e njeriut.
Për mua, një nga arritjet e Armela Hysit qëndron te mënyra si i bën këto mjete të punojnë brenda botës së saj. Ajo nuk ka nevojë ta shpallë trazimin e njeriut; e vendos atë në një trup që shpërbëhet, në një qytet të rënduar nga shiu, në një shtëpi të pushtuar nga gjarpërinjtë. As dëshirën nuk ka nevojë ta shpjegojë gjatë. I jep ngjyrën e shegës, lëngun e puthjes, gjurmën e penelit. Dhe, pas gjithë këtij udhëtimi nëpër imazhe, e kthen njeriun te një pranim i thjeshtë: i ka marrë malli për shegë dhe puthjet e tij.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e këtij cikli. Njeriu mund të jetë i ndarë brenda vetes, mund të mos e kuptojë plotësisht atë që ndien dhe mund ta përjetojë mungesën edhe kur tjetri është pranë. Por dëshira për prekje, për dashuri dhe për një shenjë të gjallë të pranisë së tjetrit vazhdon. Poezia nuk ia zgjidh të gjitha këto kundërthënie. I mban hapur dhe, në çastet më të mira, na bën të ndiejmë se brenda tyre ka ende jetë.
 
Sarandë, tetor 2026


Njeriu që jam më sheh me sy prej shiu*
 
…unë s’guxoj ta shoh në sy.
vjedhurazi
duart gishta ndërthurur këqyr
përtej buzëqeshjes së vrenjtur
me fytyrën prej shenjtori
t’shprishur mendsh.
njeriu që jam më lexon
mendimin. çuditet
si me një qenie pa kokë
me një sy të madh ciklopjan
në barkun zorrë-dalë.
e di që shpejt do japësh
dorëheqjen, njeriu që vetë jam.
s’më kupton dot. jam veç
ajër i ngjeshur me impulse idesh.
në një lëkurë të mrekullueshme
e flokë kurorë. shpërbëhem,
të më prekësh me dorë.
(Nga libri: Amazonë prej reje)
*Metamorfoza II, Mikel Marti i Pol Sartit
 
Deep Purpule
 
puthjet, si shegë të pjekura,
vjeshtës së dytë, shkërmoqin kokërrza
të gjakta, në qetësi të kuqërremtë
ëmbëlsie.
lëng pikëderdhur n’bashkimin e buzëve.
rrëshqet në gushë-mjelmat e lëmuara.
djemtë impresionohen në natyra
të qeta, ngjyejnë penelat
puthjeve të ndezura,
pikturojnë.
pikturojnë.
pikturojnë.
(Nga libri: Amazonë prej reje)
 
 
në të vrenjtur
 
koha u nxi, por shiu kacavjerrë
qerpikëve të qytetit
sikur përtoi të shkiste faqeve t’lëmyshkëta.
tehu i çallatuar i titrave dhe notave të muzgut
bie hijesh lipsane t’pjerra nxitimit
si mbi ndërtesa të braktisura prej vitesh.
më mungon.
edhe kur kthehesh së fundi më mungon
fshehur pas rrokjesh pa hir trillues
të së përditshmes.
(Nga libri: “Po të mos ishte rëra”)
 
Tri piktura për tingullin delikat të vjeshtës
 
triptik
1
kur nga klorofili i gjelbëruar
mbeteshin vetëm kujtimet e ndryshkura
që tharmoheshin nën ecejaket indiferente
shtëpia me lulet zvarritëse
ngjante si e kapërthyer nga gjarpërinj të zinj
muret e vrazhdë nën qiellin e zhubrosur
qenë kthinat e mendjes së një Laokonti.
2
dy kurora plepash në thellësi të qiellit të
verdhë
ngjajnë si detaje të heshtura të Van Gogut.
shiu përgjon flatërimeve të ulëta fluturakësh të
uritur dritares së varur të jetës sime.
batica e mbrëmshme guaska të boshuara
me bardhësi shkumnaje ka lënë
bregut të zhveshur të heshtjes dhe rërë
të ashpër thërrmuar nga shkëmbinj të vrazhdë.
3.
i pranoi vetes se e kishte marrë malli për
shegë dhe puthjet e tij.
mblodhi shallin nga harku i gjerë i qiellit.
shegët shullëheshin nën diellin e vakët
të thyerjes së ditës
mbushur si gjinj të shëndetshëm
kishin kohën e vjeljes.
(Nga libri: “Ujdhesës së përrallës tënde”)